LUAN RAMA: TË DUASH NJERIUN, KUSHDO QOFTË AI NË RANGUN SHOQËROR ËSHTË DIÇKA E MADHE!

LUAN RAMA: TË DUASH NJERIUN, KUSHDO QOFTË AI NË RANGUN SHOQËROR ËSHTË DIÇKA E MADHE!

Luan Rama: Të duash njeriun, kushdo qoftë ai në rangun shoqëror është diçka e madhe!

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari, studiuesi dhe diplomati Luan Rama.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

-A mund të ketë një lumturi të përkryer? Nuk e besoj… pasi gjithnjë do të dalin probleme në jetë që duhen kapërcyer dhe ato nuk kapërcehen duke qenë në hare, pasi ti rrezikon në diçka. Thuhet p.sh. që njeriu i dashuruar është jashtëzakonisht i lumtur. Ndërsa unë kam shkruar një poezi, duke huazuar një varg të poetit francez Louis Aragon, “Nuk ka dashuri të lumtur”. Pasi dashuria është gjithashtu një vuajtje e vazhdueshme, është një përpëlitje më vete, është një ëndërr dhe një zhgjëndër njëkohësisht!

Cila është frika juaj më e madhe?

-Nuk e kam njohur frikën. Ndoshta natyra ime çapkëne. Në adoleshencë kam qenë problematik, por siç ndodh në atë moshë, dashuritë e para të urtësojnë dhe kështu unë fillova të lexoja romanet e nënës time… Kjo më largoi nga një jetë e zhurmshme dhe e prapë. Por frikën asnjëherë nuk e kam provuar. Nuk besoj se do të kem frikë ndonjëherë. Me kujtohet njëherë në një pllajë të Madagaskarit ku kisha shkuar për vëzhgimet mbi zgjedhjet presidenciale atje dhe papritur në një kthesë, përballë makinës sonë u shfaq një kamion i stërmadh me një shpejtësi skëterre. Të gjithë në makinë mbajtën frymën. Ishte të shikoje vdekjen me sy. Por shoferi ynë manovroi dhe ne për pak u prekëm nga kamioni. Dhe unë, në qetësinë më të madhe vazhdova bisedën që po bëja… “dhe që thoni ju…”! Ata u habitën me mua! Nuk arrinin ta kuptonin si mund të neglizhoje një ndodhi të tillë në këtë mënyrë.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

 Motra ime!

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

– Garibaldi në luftrat e tij për bashkimin e provincave italiane, por në letërsi personazhi i romanit tim të rinisë “Njerëz të Pavarur”… ideja e pavarësisë dhe integritetit të njeriut.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

– … Ajo që e harroj shpesh veten time!

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

– Hipokrizia. Kam njohur shumë hipokritë gjatë eksperiencës në punën time, veçanërisht disa vartës që të lajkatosen dhe pastaj të shesin, madje dhe të shpifin… Kjo është neveritëse.

Në cilat gjëra e teproni?

– Në rrëmujën që krijoj… në shtëpinë time librat janë ngado, madje dhe në dollapin e rrobave, por jo vetëm librat por dhe coprat e letrave me shënime të ndryshme… i pandreqshëm në këtë drejtim. E megjithatë, në atë rrëmujë arrij t’i gjej gjërat që dua. Kjo lloj rrëmujë më jep një lloj kënaqësie. Ndoshta aroma e librave, prekja e letrës, kushedi… unë shkruaj shpesh në metro, tren, avion… shumë poezi i kam shkruar në metro, mes njerëzve që bëjnë zhurmë, çka më kujton gjithnjë dhomën e shtëpisë sonë ku vinin miq dhe bisedonin dhe unë në një cep, ulur në karrige studjoja leksionet. Bëja një abstraksion me njerëzit, zhurmën. Isha në botën time.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

– Të ndihmoj jetën e një njeriu të pambrojtur dhe në nevojë!

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

– Të eci rrugëve të Parisit. E adhuroj ecjen në këmbë. Jo vetëm pse Parisin nuk mund ta shijosh thjesht përmes xhamit të një makine. Por, ecja në këmbë të bën të njësohesh me qytetin, te vështrosh kalldrëmet, shkëlqimin e tyre pas shiut, të shkosh në vendet historike, rrugicat larg qendrës, të zbulosh gjithnjë diçka të re nga jeta dhe historia e atij qyteti. Kështu kam mundur të zbuloj rrugët, sheshet dhe kafenetë ku mblidheshin emigrantët shqiptar në Paris nga vit 1900 e deri më sot. Ishin këto bredhje që më ngacmuan të shkruaj librin “Tek Frankët” mbi emigracionin shqiptar në Paris. Ndër të tjera, një mbrëmje duke ecur buzë Senës, pashë prozhektorët ku po xhirohej nje film. U afrova dhe pashë Woody Allen që po xhironte një film. Në rrugë pikëtakohesh me botën njerëzore.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

– “Domethënë”… nuk e di pse e përdor shpesh këtë fjalë. E pamundur ta heq nga fjalori im.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

– Për një të dashur të rinisë!

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

– Të duash njeriun. Pasi mund të duash shumë familjen tënde, njerëzit e tu, por mund të jesh indiferent ndaj të tjerëve që pikëtakon në rrugën e jetës tënde. Pra është diçka tjetër të duash njeriun në tërësi. Eshtë e habitshme, por në udhëtimet e mia të dikurshme si kineast në Shqipëri, kam patur fatin të hyj në kulla të mjera, në kasolle njerëzish të varfër që e kanë ndarë atë copë bukë me ne. Kam parë sy që shkëlqejnë plot dashuri dhe ky lloj humanizmi është shumë mbresëlënës. Të duash njeriun, kushdo qoftë ai në rangun shoqëror është diçka e madhe.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

– Jam i kënaqur pasi kam mundësi të shkruaj dhe të botoj shumë libra, pa folur për cilësinë e tyre, për çka duhet të flasë kritika, koha. I gëzohem këtij pasioni dhe vazhdoj, pa u lodhur, duke zbuluar çdo çast se sa pak gjëra njoh nga historia e kësaj bote dhe njerëzit e saj, qytetërimet, ato të vdekura dhe ato që kanë mbijetuar. Duke u marrë me mbishkrimet e vjetra të Kumranit pranë Detit të Vdekur, me rrodhanët e librave të shenjtë të Testamentit të Vjetër, kjo ishte një gëzim i veçantë. Kjo më shtyu të përktheja në shqip dhe “Kënga e këngëve” (“Kantika e kantikave” apo ndryshe “Kënga e Solomonit”) kënga më e vjetër e botës për dashurinë.

– Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

– Të isha akoma më modest dhe mos të bija pre ndonjëherë e ndonjë vetëkënaqësie sikur ke bërë diçka. Të gjitha gjërat janë shkruar në këtë botë. Skribët mesjetarë në skriptoriat e manastireve shkruanin bukur librat “purpureus”. Nuk di ç’mund të arrihet tjetër sot, përveç shkencës, arritjeve shkencore ku fusha është premtuese. Por, unë nuk jam një njeri i shkencës. Unë jam thjesht një skrib.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

– Arritje të madhe? Tituj, çmime?… E pastaj… Aq e thjeshtë është kjo botë saqë arritjet tona janë mikroskopike. A nuk thoshte Nënë Tereza se “ajo çka unë bëj është sa një pikë ujë, por po mos ta bëja, ajo do ti mungonte botës! Dija është një oqean i madh!

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

– Do të ndryshoja identifikimin e jetës njerëzore me monedhën, paranë, pasurinë, elementin që e ka varfëruar me sa duket shumë shpirtin njerëzor. Duhet gjetur një tjetër mjet i shkëmbimeve të produkteve, mallrave, dhe i konceptit të pasurisë, ndaj të cilës njeriu është kthyer në një lloj skllavi: amerikanët pyesin gjithnjë sa para fiton? Pra ndryshimi i këtij koncepti aktual do të ishte një arritje e madhe. Në kohën e Sokratit, demosit, të “cite”-së, leva lëvizëse e shoqërisë nuk ishte paraja. Morali ishte tjetër. Atëherë kërkohej perfeksioni i jetës shpirtërore, moralit. Jeta që jetojmë sot e konfirmon këtë domosdoshmëri. Gandi prandaj jetoi jo në një pallat por në shtëpizë të thjeshtë, mbuluar thjesht me rrobën tradicionale të tij. Perandorët kanë vuajtur shumë më tepër se njerëzit që kanë patur nën pushtet.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

– Druzët e Libanit, por dhe popuj të tjerë të vegjël e indigjenë, në sektet apo filozofitë mistike thonë se secili që vdes shndërrohet në një send apo një krijesë të gjallë rreth shtëpisë, për të qenë të pranishëm në jetën e familjes dhe tribusë së tyre. Pra të afërmit e tyre e dinë dhe ata janë aty pranë. Madje druzët e përcaktojnë se ku është personifikuar ati apo gjyshi i vdekur.  Këtë e kam parë në disa vende afrikane që kam shkuar apo dhe në Oqeani apo Madagaskar, ku ritet nuk janë me të qara, por me një dans të bukur. Por unë jam agnostik dhe nuk besoj në dogmat fetare. Ndërsa pyetjes tuaj do t’i përgjigjesha: në një krillë, do doja të shndërrohesha kështu në mënyrë që të mund të shtegtoja nëpër botë, të shikoja nga qielli lart stigmatet e mia. Unë kam udhëtuar shumë. Kur isha kineast udhëtoja shumë nëpër malet shqiptare. Si diplomat, nëpër botë…Pra nuk është keq të shndërrohesh në një krillë gjithnjë në shtegtim.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

– Dashuria për dy vajzat e mia. Do jepja jetën për to në çast, si një akt sublim për t’u thënë sesa shumë i dua. Dikur kur ato ishin të vogla thoja ngado se doja gruan më shumë se gjithçka, ato qeshnin dhe gëzoheshin për këtë, por me vite ndjesitë ndryshojnë. Zemra është një mister!

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

– Që nuk i bëjmë dot ballë delirit të luftrave nëpër botë që ndërmarrin udhëheqësit politikë, gjeneralët, tregëtarët e armëve, të cilët janë përsëri gati të përdorin armët atomike, veç që të hyjnë në histori. Eshtë deliri i madhështisë, janë pasuesit e Neronit çka është fatale për fatet e humanitetit.

Ku do të dëshironit të jetonit?

– Rastësia dhe rrjedhja e ngjarjeve e ka sjellë që të jetoj prej 30 vitesh në një qytet të bukur dhe historik siç është Parisi. Por, mua gjithnjë më ka joshur dhe më josh jeta e maleve, ritualet e vjetra, supersticionet, magjia e natyrës, mistika. Ja pse kam shkruar disa libra historikë. Do doja që fundi i jetës të më gjente të përhumbur në malet shqiptare.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?

– Forcën dhe kurajon për të prirë përpara… Kjo padyshim është e vjetër sa bota.

Çfarë vlerësoni tek një femër?

– Zgjuarësinë. Asnjëherë nuk më ka joshur bukuria në vetvete pa zbuluar në të inteligjencën, zgjuarësinë… Bukuria si shfaqje asnjëherë s’më ka pëlqyer, sigurisht, e kam parë si një imazh dhe vetëm kaq, pasi në botën tonë ne i shohim me kënaqësi imazhet dhe simbolet e bukurisë. Prandaj duhet të rrish me një femër të bukur dhe të dish ta çmosh atë në bazë të zgjuarësisë së saj.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

– Hëm, e vështirë të përgjigjem… janë disa: Shekspir, Servantes, Tolstoi, Flober, Heminguei, Markez, “Pallati i ëndrrave” i Kadaresë…

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

– Mjerisht nuk kam pikëtakuar heronj. Por padyshim ka edhe në ditët tona. Njerëz që sakrifikojnë për ardhmërinë e botës, të njeriut, të kombit. Në historinë e vjetër shqiptare, Frang Bardhi ishte një i tillë. Ai e la Romën, pasi takoi Papën dhe u nis me një mision apostolik drejt veriut shqiptar si peshkop i Sardës në vitet 1630-1640, në kohën kur katoliçizmi shqiptar kishte marrë një goditje të tmerrshme nga islamizimi i dhunshëm prej Perandorisë osmane. Dhe ai duhej të luftonte për një ngritje morale të shqiptarëve gjersa i kushtoi jetën e vet. Një tjetër i tillë ishte Shtjefën Gjeçovi apo plot figura rilindase që përfunduan në burgjet e Perandorsë osmane. Po kështu dhe ata që luftuan kundër furisë totalitare. Sot në Shqipëri të ngjan se nuk ka heronj dhe kjo është e dhimbshme. Çdo shoqërie i duhen heronjtë e vet për të përshkuar errësirat dhe për t’u ngjitur e shkuar drejt dritës.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

– Talentin e shkrimtares franceze Marguerit Duras. Por, ajo pinte shumë alkool dhe bënte shumë dashuri, çka vështirë t’i bëj.

Si do të dëshironit të vdisnit?

– I ulur diku buzë detit apo një honi magjepsës, çka po më kujton tani atë humnerë gjigante  kur shikoje Currajn e Epërm nga një lartësi e madhe kur del nga pylli i gështenjave te Tropojës. Lumi Cem aty poshtë dukej si një vijë lapsi në ngjyrën blu. Ja pse kanë lindur dhe legjendat, eposet…

Cila është motoja juaj?

– Të eci, gjithnjë të eci, duke qenë gjithnjë besnik i vetvetes.

ObserverKult

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s