MENDIMET QË MË SUGJESTIONOJNË… ( Gjatë leximit të vëllimin poetik  “Perandoria e Zogjve“ të poetit  Bardhyl Maliqi) / Nga: Viktor Nasi

MENDIMET QË MË SUGJESTIONOJNË…

( Gjatë leximit të vëllimin poetik “Perandoria e Zogjve“ të poetit  Bardhyl Maliqi)     

Poezi mund të lexosh, por ka rëndësi të kuptosh se ç’fshihet pas vargjeve që të mund të vësh në dukje se ç’thotë poeti. Jo plotësisht, por në një farë mënyre hyn në laboratorin krijues të tij. Një punë e tillë nuk është aq e lehtë dhe kërkon përqëndrim, vëmëndje në fjalët, në figurat, në detajet, në simbolet. Çdokush nga ne shikon p.sh. një tuf zogjsh që fluturojnë duke krijuar gjatë fluturimit figura të ndryshme. Poeti jo vetëm shikon por dhe vëzhgon, krijon imazhe dhe na bën dhe ne të përqëndrohemi më shumë, të fantazojmë, por në radhë të parë ,të shijojmë skenën që paraqet poeti duke na transmetuar me fjalë ato që shikon,vëzhgon, percepton, ndjen, mendon dhe shijon ai. Poemat e vëllimit “Perandoria e Zogjve” janë tërheqëse, lexohen me kënaqësi, janë një komunikim i ngrohtë e kuptimplotë i poetit me lexuesin.

Poezia që hap vëllimin poetik të B.Maliqit,që i jep atij titullin “Perandoria e Zogjve”përmban pothuaj tematikën e vëllimit, tematikë, e cila mbështetet në triptikun e shumënjëhur: jeta,dashuria dhe vdekja. Poemat dhe poezitë pasqyrojnë shpirtin e poetit,bisedën e tij me jetën dhe dashurinë, përballimin e tij me vdekjen dhe kohën. Poemat e vëllimit përshkohen nga triptiku i përmëndur më sipër dhe them pa rezervë se kompozimi i tij është realizuar në mënyrë të përsosur artistike, estetike, stilistike dhe filozofike.

Poezia “Perandoria e zogjve”që hap vëllimin është ndërtuar në formën e bisedës së poetit me vajzën. Është kjo një gjetje e goditur sa artistike dhe stilistike dhe shënon ashtu si edhe në poemat e vëllimit risinë që sjell në poezinë e tij poeti Bardhyl Maliqi, por edhe në poezinë e sotme shqipe. Duke lexuar poezinë lexuesi e kupton menjëherë se poeti Bardhyl Maliqi e njeh në mënyrë të përkryer psokollogjinë e moshës fëminore. Poeti nuk shtjellon një përrallë, siç bëjmë zakonisht me fëmijët, por shtjellon realitetin në perandorinë e zogjve në trajtën e një fabule duke e paralelizuar me botën e njerëzve me një gjuhë të pasur e të thjeshtë, që i jep krahë fantazisë së fëmijës për të kuptuar sa më mirë ato që shpreh poeti. Ai ka gjetur dhe zgjedhur mënyrën e tij për të theksuar idenë se me ndryshimin e sistemit erdhi liria e fjalës,e drejta për t’u shprehur hapur ashtu siç mendon për realitetin, për botën, për njerzit, pa kufizime dhe korniza:”Eh, erdhi dita bija ime, të hyjmë dhe ne në perandorinë qiellore të zogjve.  …Erdhi dita……

I çliruar nga ankthi i pritjes, ngopet me frymë, preket, mallëngjehet, dehet. Poezitë “Cila je ti?, “Quksja”,”Amarda”,Vejusha”,”Mimoza” janë poezi kryesisht lirike, që synojnë të zbulojnë të bukurën, janë një himn për dashurinë dhe për jetën. Ato janë një sfidë për etikën, moralin e një kohe që i vinte njerzit në korniza shabllone. Morali i kthyer në tabu, u hiqte njerëzve të drejtën të kërkonin të bukurën, dashurinë, ta jetonin jetën. Poeti flet me guxim qytetar për dashurinë pa rënë në vulgarizëm.Vërtet vargjet shprehin një mendim, theksojnë një ide, por poeti B Maliqi e kompozon poezinë në mënyrë të tillë, që të krijohen para lexuesit skena të gjalla të dashurisë, të kapshme, të prekshme që ai të emocionohet,të përjetojë, të tronditet nga dallgëzimi i ndjenjave, realizuar aq bukur me figuracionin dhe fjalorin e pasur:

“Të mundesha të lëvizja vëndit, të vija të ulesha në sedilen tënde,

          Të të shkopsitja bluzën, të soditja i etur bukuritë e fshehura të vajzërisë së çmëndur.

           Dhe të të puthja buzët ëndshëm,gjer në dhimbje,por pa e lënduar krenarinë tënde”.[Cila je ti]

Dashuria nuk pyet për moshë, ajo është pjesë e domosdoshme e jetës, është burimi i saj.Vërtetë të rinjtë kanë zjarrin dhe gjallërinë e moshës,për ajo është hare, gëzim, lumturi:

“Ideali i tij i flijimit për të bukurën është shumë më njerzori i të gjithëve.

“Në se është vërtet farkëtar ai vërtet dashuron në mënyrë përveçuese

ashtu siç dashuron zjarrinë kudhër,flakërimin e hekurit të skuqur. {Quksja}

Dr. Bardhyl Maliqi

Në poezinë”Amarda”pa deklarata, pa moralizime, por me një duf shpirtërordhe realizëm shpalosen mendimet për dashurinë dhe për jetën duke fshikulluar moralin e vjetër:

“Por ti mos e dëgjo refrenin e bretkosave, ato veç kuisjen e moçaleve recitojnë për natë,

      Fryt i pasionit është vështrimi yt, tek shfleton fytyrën time si një libër poetik.”

Në poezinë “Vejusha” poeti i argumenton gruas së ve, që nuk merr guxim të shikojë përpara në jetë:

      “Mos u trëmb… Jeta s’është veç një kurth që çdo çast, ja vlen ta jetosh.

        S’ka gjë më të ndershme se ajo që të prek, s’ka gjë më të moralshme se ajo që të rinon,

        S’ka gjë më të bukur se ajo që të ripërtërin”.

Cikli i poezisë që përmëndëm më lart, përmban arritje artistike që kanë të përbashkëtat dhe të veçantat e tyre. Titujt e poezive mbështeten në një fakt, i cili kthehet në simbol. Poeti kapet pas një karakteristike të femrës {Quksja} pas emrit” Amarda”,” Mimoza “ose gjëndjes familjare “Vejusha”. Ato poezi nuk janë thjesht të bukura, por mund të them se janë perla të poezisë shqiptare, që na sjellin ndër mënd poetë të shquar shqiptqrë, por edher të huaj. Tek poezia “Amarda”, poeti shtron një pyetje së cilës i përgjigjet poetikisht:

      “A ka një mënyrë si ta jetosh kohën e humbur,akrepat e orës pa i kthyer pas?”

Me emrin e mbretëreshës ilire poeti B Maliqi pa poza e deklarata,por me shpërthimin e dufit epiko-lirik, tregon se nga e kemi prejardhjen, cilët jemi dhe ku shkojmë. Koha shihet në shtrirje dhe në vazhdimësi, ashtu siç ndodh në realitet, sepse koha rrjedh si uji dhe nuk kthehet pas:

“Amarda…..Ti je hyjnesha ime ilire, apo vajza gjimnaziste,

           ..që kohët ka zënë rob në kurthet e hireve?” 

Pyetjet retorike si mjet letrar dhe stilistik janë të pranishme brënda poezive dhe poemave të vëllimit “Perandoria e zogjve”. Poeti synon të tërheqë vëmëndjen e lexuesit, e bën atë të ndjekë rrjedhën e mendimit poetik, por edhe të bjerë në mendime e të punojë fantazia e tij.

Në poemat “Një lis me degë na u rrëzua..”dhe “Farëzat e grurit”kushtuar babait dhe nënës, poeti, duke përdorur emra vëndesh në Konispol, flet me mall, dhimbje, dashuri e humanizëm për prindërit, por edhe për vëndlindjen, temë aq e preferuar e çdo poeti qysh në fillimet e poezisë së tij. Por poeti B. Maliqi mallin për vëndlindjen nuk e paraqet duke kujtuar me nostalgji ndonjë çapkënllëk nga koha e fëmijërisë, por duke bërë portretizimin e prindërve. Kemi të bëjmë me një këndvështrim të veçantë, origjinal që shënon shkallën më të lartë të pjekurisë së poezisë së poetit B Maliqi. Me fjalë të shpirtit dhe të zëmrës, me detaje të zgjedhura që arrijnë deri në simbole bëhet përmendorja e babait dhe e nënës, duke kaluar nga e veçanta në të përgjthshmen. Ai i cilëson prindërit shëmbëlltyra që do t’u ndodhen kurdoherë pranë fëmijve për t’u dhënë këshilla, të shmangin gabimet dhe t’i bëjnë ballë jetës pa u tërhequr nga asnjë pengesë e vështirësi që do t’u vërë përpara koha.

  “Një thënie kam kujtuar gjithmonë për nderin tënd:   Fytyrat e bukura na qetësojnë shpirtin,

    Dhe ti ishe i bukur, veçanërisht i bukur.  Mëndjet e bukura na kthjellojnë trurin,

    Dhe ti kishe mëndje të bukur, etalon përurtësi,  se ti ishe pronar i dy magjive të kësaj bote

                              Bukurisë dhe Mënçurisë!”

Poema për nënën është një elegji shumë e bukur dhe e goditur që vështirë t’i gjesh shoqe në poezinë shqipe. Mbase kjo është arszeja e përfshirjes së kësaj poezie nëper antologjitë ballkanike për nënat. Poeti e portretizon nënën nëpërmjet përsëritjes së foljes “kërkoj” me një ritëm dhe tonalitet muzikor nëpërmjet kontrasteve, antitezave të fuqishme brënda vargut që na kujtojnë antitezat Noliane.

“Ti kërkoje drejtësi në një lalore zigzake, ti kërkoje butësi në një botë brutale,

    Ti korkoje mirësi mes mizerjes së madhe, ti kërkoje shenjtëri mes shëmtirës fatale,

    Ndaj u përballe, luftove, por u sfilite më kot, se në këtë botë ku mbretëron gënjeshtra e madhe

    Ti nënë ,shpirtbukura ime s’rezistove dot!”

Ndërtimi i poezisë ”Letër në Had”, “Do të vij” dhe “Rekuem për Muço Muhon” të bëjnë përshtypje, sepse që në titujt theksohet këndi i veçantë i kapjes së detajeve dhe nëpërmjet një figuracioni të pasur portretizohen miqtë e poetit. Për njërin shkruan një letër në Had, në poezinë “Do të vij”, është shpirti. Lulëzimi që flet edhe autoportretizohet duke shprehur dëshirën të kthehet. Në poezinë “Rekuiem për Muço Muhon” flitet që në titull me emrin e mikut të dashur. Poetikisht flitet në poezitë e mësipërme si u ndanë nga jeta tre miqtë e tij. Në “Letër në Had”atmosfera e krijuar nga vargjet është e rëndë,e përzishme, kudo sundon e zeza.

“Në qafën e Likojanit” tingëllojnë zilet e zisë dhe karakolli i Nartës tymos në vetmi.

  Shpirti shkrumbon nën thundrën e dëborës     dhe nxin nën flokun e saj të zi.”

Krijohet një tabllo e gjallë, konkrete që thekson gjëndjen shpirtërore të poetit.Në poezinë “Do të vij”,shpirti i Lulëzimit,q ë ndërroi jetë papritur bisedon me poetin:

  “Do të vij të paktën sa t’ju them disave se jeta është e shkurtër, gjithçka kalon si blic vetëtime.

  “Vallë a ja vlen gjithë kohën të mprehësh thikat për të rrjepur lëkurën e të tjerëve?

   “Sa iluzive është qënia njerëzore, sa e gënjeshtër hapsira e mendimit makut.”

Vitet e periudhës së tranzicionit janë për vëndin vitet më të vështira. Lulëzimi nuk pajtohej me realitetin dhe shpirti i tij vuan se liria nuk solli paqen dhe mirësinë. Shpirti i shqetësuar i Lulëzimit e shton indinjatën poetit për një realitet të paëndërruar, me mëri, me urrejtje, me çmënduri. Në “Rekuiem për Muço Muhon, vihet në dukje si u nda nga jeta miku i tij, në ç’rrethana. Me vdekjen e tij u tregon të gjithëve se :

“Ti ike or mik në shtegun pa kthim në një botë pëshpëritrjesh e murmurimash pa fund

    Për të treguar se jeta është e rrezikuar prej së keqes që gjëndet si akrepi gjithëkund”

Në shumë poetë ndeshim poezi që u kushtohen miqve që kanë ndërruar jetë në mënyra të ndryshme.Në poezitë e B Maliqit për humbjen e tre miqve gjejmë diçka tepër të veçantë. Dhimbja shprehet në tre mënyra të ndryshme, një përsëritje fjalësh dhe figurash, duke skalitur portretin dhe karakterin e secilit,me anët pozitive por edhe dobësitë dhe të metat.Vargjet shprehin dallgëzimin shpirtëror, shpalosin përpara lexuesit me ndjenjë dhe emocion realitetin e ashpër, jetën që i vinte njerëzit në rrezike të papritura. Një vizitë e poetit në Butrintin e lashtë i dha frymëzimin dhe i ndezi fantazinë për të thurur poemën me titullin poetik dhe ngacmues “Ankthi i statujave”. Poeti nuk është një vizitor i thjeshtë, i cili entusiazmohet me bukurinë e statujave,me mjeshtërinë e skulptorit etj.Atë diçka e shqetëson, shikon dhe ndjen atë që nuk shikon dhe ndjen çdo vizitor. Statujat gjallërohen, fillojnë të flasin, u imponohen hisorianëve dhe arkeologëve. Zakonisht poezitë dhe poemat për lashtësinë, për statujat, kanë rrezikun e hermetizmit. Me dorë të sigurtë, me mjeshtëri artistike, me këndvështrim origjinal, poeti B Maliqi ka krijuar një poemë me arkitekturë të pasur dhe para lexuesit parakalon historia duke shtjelluar poetikisht mendimin se kujtesa historike e kombit është e fortë dhe nuk shuhet: nuk harojmë prejardhjen, të kaluarën, jetojmë krenarë të sotmen dhe jemi optimistë për të ardhmen.   Në të tre ciklet e para të vëllimit poeti na zbulon të bukurën, mediton për dashurinë, për jetën dhe për vdekjen, për komunizmin, në ciklin”Bisedë me vehten dhe të tjerë”, paraqet testamentin e tij estetik, artistik dhe filozofik, analizon situatën politik-shoqërore e kulturore të periudhës së tranzicionit duke vënë në dukje se:

  “Pasaportë e vërtetë e njeriut nuk është një kartë me bojë e firmë nga gjëndja civile ,por fytyra e virtytit dhe vesit në rrugë,në punët njerëzore,shoqëri e familje”.

Poeti B Maliqi mediton, filozofon, bën analizën sociale të shoqërisë. Shpesh e ngrë tonin të tërheqë vëmëndjen e lexuesit që të bëjë kujdes, t’u shmanget veseve, tiparëve negative. Njeriu ndryshon me vështirësi, sepse ndërgjegja mbetet prapa zhvillimit të shkencës dhe të teknollogjisë.Mentalitetii vjetër nuk ndryshon aq lehtë në ditët e sotme, veset i tërheqin me lehtësi njerëzit duke i kthyer në viktima. I ngrihet himn humanizmit, sjelljes së qytetëruar, dashurisë për njeriun kundër përçarjes, zilisë, mërisë, cinizmit, hipokrizisë,  urrejtjes:

   “Jo! Në pamje të parë s’ka ndodhur asgjë, rendje për në punë,fjalë, të voglat besdisje…

     Po kohën gjymtojmë ,prehjes i vëmë kurthe, kur ndaj njëri-tjetrit ngrejmë male mërie.

    Ah! Kemi frikë se ju jeni viktima,viktima të lirisë,aq të keqoërdorur pa e ditur ç’do të thotë liri.

   Liria është burgu indërgjegjes së molepsur, që pastrimin s’e njeh,që vyrtitin e fshin”..,

Në poemën meditative “Sahatet e artë kaherë janë ndryshkur”, poeti shpreh mendimin e tij për etikën, për krijimin =, për artin. I shqetësuar dhe i indinjuar flet për rolin e inteligjencës në periudhën e tranzicionit, për gjëndjen dhe rolin e saj në shoqërinë në shoqërinë e sotme. Shpërthen kundër mediokritetit dhe servilizmit.

   “E kundërta e rritjes është ngelja në vënd, e kundërta e ndryshimit – uniformiteti,

     Pra mund të vendosni të rroni ç’do ditë, me mënyra të tjera ta vërtitni planetin”.

Nga njëra poemë kalojmë tek tjetra, jo thjesht për të ruajtur radhën, por se ato janë plotësimi i njëra-tjetrës.  Poema “Nata”është një pasqyrë e realitetit duke vënë në qëndër rolin e intelektualit:

  “….nëpër labirinthe të pamundura në subkonshiencën tonë ne torturojmë mendimet,

  Shpresat ,iluzionet, ankthet, zhgënjimet. Na lodhën dilemat e shumta të lidhura,

   Si në një montazh filmik me njër – tjetrën.”

Vëndin e ka mbuluar nata, thekson poeti, çdo gjë ka ndryshuar formë dhe frika rend kudo duke mbajtur nëpër jaka çizmesh pistoleta dhe thika të gjata:

  “Nëpër natë kalon dhe ti, intelektual i mjerë, ZhanVal Zhan i kohëve moderne. Nëpër imagjinatë,kalon                    fantazma jote mbi kalin e bardhë.Ti shpirtit i jep kuptim metaforik, jetës—rilindje.”  

I dhëmb shpirti poetit për realitetin e turbullt në tërë vëndin,për veçanërisht në qytetin e Sarandës pas rënies së sistemit monist. E ka pushtuar shqetësimi, është i revoltuar, sepse Liria që priste është me krahë të plagosur. Mbizotëron rrëmuja, paligjëshmëria dhe çmënduria. Është një kohë e trazuar që të trishton, të plogështon, kohë kur lufta për ekzistencë nuk pyet për asgjë. Poeti nuk pajtohet me gjëndjen, bën kritikë të ashpër duke theksuar edhe rolin e poetit në situatën e krijuar:

  “Poetët e dinë mirë se mëritë janë stinë e përzishme, haluçinacione vrastare, makthe raskapitëse,

    Por ato kurrsesi nuk mund të jenë të përherëshme, se thelbi i njeriut është mirësia dashuria e paqja”.

Qyteti i Sarandës konturohet bukur në vargjet e poemës. Poeti flet,për lulet karakteristike të qytetit,për bukovilet,flet për pulëbardhat, për shëtitoren buzë detit, për vajzat e bukura e çapkëne, për njerëzit e qytetit :

Ky qytet udhëkryq, ku njerëzit shtyhen me bërryla dhe errërat rrihen me kamzhik,

më mban të mbërthyer  dhe s’më lë të ik, se ai ka magjinë prej agonisë të lindë ,ky qytet, me mbretërinë e zgjimit tek dera!”

Vëllimi me poema “Perandoria e zogjve”shënon një rritje cilësore të poezisë së poetit B.Maliqi.dhe pjekurinë e plotë artistike, ideore dhe estetike. Duke qënë edhe pikolog ka privilegjin që dukuritë natyrore dhe sociale, njerëzit dhe shoqërinë t’i vërejë nga një vështrim i veçantë. Ai ka aftësinë të hap portat e shpirtit njerëzor, të përdorë çelsin e duhur për të depërtuar në brëndësi të problemeve që shqetësojnë në kohën e sotme njerzit kudo në botë, në planetin tonë që kërcënohet nga shumë anë e drejtime ku liria dhe demokracia goditen gjithëandej. Si një pianist virtuoz poeti B.Maliqi u mëshon fjalëve ‘tastjerave’,për të dhënë me intesitetin përkatës, mendimet, meditimet, përshkrimet, analizat, vlerësimet. Jam i bindur se në vëllimin në fjalë spikat individualiteti i B Maliqit, stili personal dhe i veçantë që dallohet menjëherë nga natyrshmëria, thjeshtësia, harmonia, hijeshija dhe ekonomia e fjalës. Mendimi nga vargu në varg rrjedh natyrshëm, pa sforcim, pa fjalë të tepërta, vjen duke u dallgëzuar me intonacione të ndryshme. Poeti tregon, shpjegon, sqaron, ndriçon pamjet dhe skenat nëpërmjet figuracionit të goditur, i nxit lexuesit fantazinë, i shton kureshtjen, pret miratimin ose kundërshtimin e tij për çka shpreh dhe filozofon. Kur them më sipër se s’ka asnjë fjalë të tepërt, kam parasysh se çdo fjali dhe varg ka një madhësi të caktuar për të shprehur sa më bukur dhe sa më qartë mendimet dhe idetë. Kompozimi i poemave i përngjan një simfonie, me uljet dhe ngritjet, me forcën,gjallërinë, muzikalitetin, ritmin e brëndshëm, simetrinë e vargjeve. Duke lexuar me kujdes vëllimin “Perandoria e zogjve”vihet në dukje formimi artistik dhe estetik i një shkalle të lartë, përvoja e pasur studimore dhe kritike. Poeti B Maliqi sjell risi në poezi duke gërshetuar brënda së njëjtës poemë të gjitha llojet e vargjeve dhe duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në pasurimin e teknikave poetike të poezisë shqipe .

 

Nga: Viktor Nasi   

Athinë, tetor 2019

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s