Shtëpia Botuese “ADA” publikon vëllimin poetik “Dremitja e lumturisë” të autores Suela Armata (Cenolli)

Shtëpia Botuese “ADA” publikon vëllimin poetik “Dremitja e lumturisë” të autores Suela Armata (Cenolli)

Ëndërrimi për të shkruar dhe për të gjetur rrugën drejt lexuesit ka qenë shumë i hershëm për autoren, megjithatë u desh të kalonin vite që ajo të shohë sot të realizuar ëndrrën e botimit….

Titulli: Dremitja e lumturisë
Autore: Suela Armata (Cenolli)
Redaktor letrar: Eris Rusi

Botimi i parë, 2019
ISBN: 978-9928-296-58-0

Roland Lushi

Përgatiti për botim: Roland Lushi
Formati : 14x20cm
Të gjitha të drejtat i takojnë autores

Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7
http://www. botimetada.com
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, tetor 2019

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese “ADA”

Të gjithë librat e botuar te shtëpia botuese “ADA” gjenden në Bibliotekën Kombëtare Tiranë.

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Armata (Cenolli), Suela
Dremitja e lumturisë : poezi /
Suela Armata
(Cenolli) ; red. Eris Rusi.
– Tiranë : Ada, 2019
80 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-296-58-0
1.Letërsia shqipe 2.Poezia
821.18 -1

 

Dy fjalë për lexuesin

“Cilido është i vetëm në zemër të tokës/I tejshkuar nga një rreze drite/dhe e pastaj vjen mbrëmja”, janë vargjet e një poezie të nobelistit italian Salvatore Kuazimodo të cilat të vendosin gjithmonë përpara një dileme të madhe jetësore: duhen çuar deri në fund ëndrrat që mbajmë në thellësi të vetes, apo duhet ecur në shtegun e asaj çka bota dhe të tjerët kërkojnë prej nesh?
Në rastin e parë, ndjekja e ëndrrave përherë ka qenë e bukur, por e rrezikshme, mundësia e dështimit nga përballja me realitetin është e lartë, ndaj një pjesë e madhe e njerëzve vendosin të përgjumin pasionin, të heshtojnë lumturinë dhe ta lënë të kridhet në një skaj të largët, të dremitë, me qepallat e gjumit që i ngjason vdekjes.
– Do të kemi kohë më pas, – duket sikur ju themi pasioneve, – do t’ia dalim të kalërojmë nga e para ëndrrat dhe dëshirat tona të fëmijërisë, të rinisë, të moshës madhore, – por ngjan sikur çasti i duhur nuk vjen asnjëherë. E sa më shumë të zgjatim pritjen, aq më e gjatë bëhet rruga që do të na duhet të kapërcejmë, deri sa dremitja kthehet në gjumë të thellë, harresë, e në fund vdekje.
Nga një lloj rizgjimi i tillë vjen edhe libri i parë i Suela Armata(Cenolli), “Dremitja e lumturisë” ku ëndërrimi për të shkruar dhe për të gjetur rrugën drejt lexuesit ka qenë shumë i hershëm për autoren, megjithatë u desh të kalonin vite që ajo të shohë sot të realizuar ëndrrën e botimit. Edhe në këtë kohë të pezullt, mund të ndjehet vendosmëria e saj për të shkruar dhe për t’u identifikuar me aktin e krijimit:

Edhe e verbër do të bëhem poete
Edhe e verbër,
Do të bëhem poete!
Mos më tallni,
E besoj fort,
Nuk më sheh syri
Por mendja,
Nuk më shkruan dora,
Por zemra!

Këto vargje janë një parantezë e të gjitha poezive të përmbledhura në libër, sepse i mundësojnë lexuesit të kuptojë që çdo krijim e merr rrugëtimin nga thellësia e kraharorit, del prej emocionesh të forta të cilat e prishin ekuilibrin e normalitetit, e shkundin nga përgjumja cilindo që ndjehet i kufizuar nga monotonia dhe rutina në ekzistencën e tij dhe janë një lloj lehtësimi për lexuesit që të ëndërrojnë, e më pas të ndjekin ëndrrat e tyre.
Kështu, dremitja e lumturisë nuk është vetëm një kambanë për t’u rizgjuar më vonë me të njëjtën buzëqeshje që kishim para se të mbyllnim sytë, që na bënte të ndjeheshim mirë, të mos thoshim dot asnjë fjalë, me zemrën e lehtë e të ajërt nga gëzimi. Kemi të bëjmë me kujtime që na kthehen ndër mend, në fillim në mënyrë të shpeshtë, pastaj përherë e më rrallë, e më tej në intervale kohore prej vitesh e dhjetëra vitesh, janë lidhjet që na bashkojnë me kohën mitike të fëmijërisë sonë, të adoleshencës dhe moshës rinore, e kështu janë një mjet që na bashkon me atë që kemi qenë dikur: Njerëz plot pasion, të lidhur pas ëndrrash pavdekësie:

Ëndërr

Kam kalëruar hënën
Dhe po shëtit nëpër natë!
Vrapon, vrapon,
Kali im i artë!
Kur lodhet,
shkon te zemra ime!
Troket…
Dhe ajo zgjohet!

Zgjimi lidhet me një botë të magjepsur e fantastike, me ajrin mistik që frymohet, ndërsa vëzhgohet jeta dhe iluzionet e saj. Krijimet brenda këtij teksti ecin në këtë drejtim. Kemi një mënyrë të veçantë të komunikimit nga ana e krijueses, sa e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë, aq metaforike në përfytyrimin për elementë të jetës sonë. Dashuritë nuk janë asnjëherë të plota, por kanë gjithmonë diçka që i bën ato të tingëllojnë ndryshe, të dallohen së largu dhe të vijnë bashkëshoqëruar me dhimbjen, edhe kur fjalët nuk duan që ta dëshmojnë krejtësisht këtë:

Dremitja e lumturisë

Ti më thoje shpesh
Që të mbështetesha në trupin tënd,
E ëndrrat tona të na binin mbi kokë
Si dashuri e parë në këtë botë!
Unë s’flisja,
Unë prisja!
Ëndrrat tona na binin mbi kokë
Si dashuri e parë në këtë botë!

Përqark nesh dhe brenda vetes sonë mund të gjenden interesa dhe dëshira, pasione që nuk i themi dot me zë të lartë dhe i lëmë të mbeten atje, të heshtur dhe të harruar sikur të mos jenë tonat dhe të mos kenë ekzistuar kurrë.
Ky cep i ëndrrave të përgjumura, është ndoshta më i trishti që mund të gjendet në harkun e një jetë të paplotë, sepse bart me vete ndjesinë e harresës, por jo plotësisht, kur në mënyrë të turbullt ngacmimet e atyre që kanë qenë ëndrrat tona të hershme, bëhen të gjalla brenda nesh. Por një jetë e cila e ka këtë të metë të bartur nga e shkuara, shihet në pasqyrë dhe refleksi përballë është melankoli, një hidhërim i heshtur i asaj që mund të ishim bërë po të kishim guxuar më tepër, po t’iu kishim shkuar në fund gjërave, po të mos kishim ndjekur rrugën e zgjedhur për ne nga të tjerët.
Krijimet e Suelës në këtë libër janë mishërim i kësaj atmosfere. Megjithatë tema e poezive është e larmishme ajo di të kapë anën ekzistenciale të njeriut përballë dilemave, por edhe krizën e emigrimit, dramën e familjeve ku mungojnë prindërit, fatkeqësitë tronditëse që kanë ndodhur realisht në vendin tonë, të gjitha këto të para me një interpretim të veçantë artistik:

Prespa flet
(kushtuar nxënësve të mbytur në liqenin e Prespës)

Kur fryn,
Mbani vesh,
Prespa flet!
Hapni dritaret
Dhe merrni këngën e saj,
Prespa është rini!
Mos urreni manastirin,
Rininë e ka ajo,
Në zemër të saj këndon!
Mbani vesh,
Kur fryn,
Prespa flet!

Ka një shprehje e cila thotë: “Mos e ndërro rrugën e vjetër me një të re”, që do të thotë mos guxo, mos sfido të panjohurën, kënaqu me atë që ke e ji dorështrënguar me misteret e fatit. Kush i përmbahet në mënyrë strikte kësaj, kush detyrohet të zbatojë në jetën e tij këtë ide, është i pari i cili ua mbyll sytë ëndrrave të tij. E bën lumturinë të dremitë. E fundos në gjumë të ardhmen e tij. E bashkë me lumturinë, bie në gjumë të thellë vetë jeta. Ndaj poezitë e këtij libri, por edhe jeta personale e Suela Armata(Cenolli)e cili i rikthehet pasionit të heshtur të saj për letërsinë pas shumë vitesh, janë dëshmi që gjërat e bukura dhe që lindin nga zemra, nuk duhet të harrohen asnjëherë, që pasionet duhet të ndiqen dhe të luftohet për t’iu dhënë rrugë, sepse përndryshe, gjithçka do të jetë pa ngjyrë dhe e trishtë, në këtë botën tonë ku jeta ka nevojë për pakëz magji, që të quhet plotësisht e tillë!

Eris RUSI
Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Bota e Re”
Korçë

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s