Poezi nga Antela Spaho

Poezi nga Antela Spaho

 

EDHE PA TY E MUA*

edhe pa ty e mua
shiu do bjerë sërish si lot prej qiellit
pranvera do vijë kudo që të jetë harruar rrugës
dhe bota do frymojë herë e lumtur herë e trishtë
do flenë e do zgjohen të dashuruarit
të përqafuar ose në shpinë kthyer
do grinden, do qajnë e do qeshin mes tyre si fëmijë
dhe kafenetë sërish do mbushen plot mëngjeseve
sikur asgjë s’ka ndodhur natën e shkuar

edhe pa ty e mua kohët do ndryshojnë
do ikin, do vijnë të tjera e do ikin përsëri
dielli do lindë, do perëndojë e do lindë
hëna në qiell do shfaqet herë e plotë e herë gjysmake
meteorologët do flasin për parashikimin e motit
astrologët për kombinimin e gabuar të shenjave të horoskopit
ndërsa poetët do vazhdojnë të shkruajnë
vargje për rrugë të gjata larë në shi
vargje për yje djegur në mall

edhe pa ty e mua
priftërinjtë do mbajnë mesha për shenjtët
kambanat do bien fort, si tani në kishën përballë
të vetmuarit do trishtohen mbrëmjeve
të përmalluar mbi albume fotografish
për shpirtrat e humbur a të gjetur
do këndohet gjithnjë sido që të jetë moti
edhe po të fryjë erë e deti të jetë plot dallgë
çfarëdolloj numri të shkruhet në kalendar
në çdo orë të ditës a të natës
në çdo gjuhë dhe në çdo cep të botës

edhe pa ty e mua
dashuria do mbetet njëlloj…

*Motiv nga një këngë e vjetër

 

VETËM DASHURIA SHKRUAN POEZI TË BUKURA

vetëm dashuria mund të shkruajë poezi të bukura, miku im
mjeran kush mendon se shëtitjet mbi Danub të bëjnë të shkruash perla
se kush dëgjon Bethoven frymëzohet për vepra të mëdha
qesharak kush thotë se të lexosh Nerudën bëhesh poet gjithashtu
Pablo po të ish gjallë do qeshte me të dhe me mua
sepse vetëm dashuria e bëri atë të shkruajë vargje tronditëse malli
që edhe pas vdekjes së tij ta shkërmoqin tokën nën këmbë
aq madhështore sa tremben edhe djajtë prej tyre e ikin me vrap
vetëm dashuria e bëri Van Gogun ta presë veshin pa frikë
dhe mbretërit dashuria i gjunjëzon para një shërbëtoreje
vetëm dashuria më bën të nisem të vij zbathur tek ti
e të mos më lodhen këmbët nga rruga e gjatë

vetëm dashuria shkruan poezi të bukura, i shtrenjti im
ndaj mos më thuaj se valët e detit të frymëzojnë sadopak
as Taxh Mahali magjik dhe as Muri i Lotëve në Jeruzalem
vetëm këta sy të blertë mund të thurin vargje të shenjta për ty
këto buzë të etura që presin të vish si zog nga ndonjë skaj i qiellit
këta gishta që zgjaten si litarë shiu e të futen thellë në lëkurë
dhe përmbytin çdo milimetër të qënies tënde
ndaj mos më thuaj se shëtitjet mbi Danub të frymëzojnë për poezi
sonte në atë lumë mbytet shiu i kësaj nate vejushë
Bethoveni shurdh shkruan më të bukurën sifmoni
unë nga lashtësia ta dërgoj zemrën me erën
që ti të shkruash vargjet më të bukura të dashurisë…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s