Poezi nga Anila Kruti
Këmishë drite
Mbaja veshur gjithnje një këmishë drite.
Në krahë rrisja foshnjat e vogla ëndrra .
Këndoja ninulla nëpër pyje.
Frutat e pjekura i mbaja gji.
Çdo natë lusja një psalme bible.
E nesërmja
me arratiste me zogjtë .
Dhe krejt si dritë të mbuloja ty.
Lexoj veten
E mbaj mend
kur rrotullohesha në krahët e gjyshes
pulëbardhe e bardhë
gjersa, gjeja vend në prehër.
E mira gjyshe ime
më tregonte përrallën e ujkut.
Ujqërit mbetën gjithandej
por gjyshen nuk e kam më.
Udhëtare e blerimit, jam tani
ul pyllin në prehër
dhe lexoj veten…
Kënga e erës
Kisha mbetur në duart e Zotit
farë e njomë.
Asnjë gisht tokë nuk mu bë kurrë shtëpi.
Kënga e erës më solli mbi kraharorin tënd.
Tani ,je toka ime.
Unë në dheun tënd
qershi e çelur…
Shtëpia ime
Kuajt e bardhë të luleve
këtë mars të kuq
më sjellin në prag lulethanë.
Dhe derdhen kujtimet
rreth e rrotull shtëpisë sime të vjetër
si vesa e ëmbël midis livadheve.
Aty
në gjak
në lëkurë
në shpirt.
Ti je, Troja
Shtëpia ime,qyteti im i lashtë me ninulla këngësh.
Ngritur mbi rrënjët e ullinjve
fle hënëza verdhake
rrjedhin burimet e këngëve.
sytë e stinëve,zogjtë e ujit.
Rrjedhin dashuritë.
E më bëhesh mungesë
gropë në zemër.
Ëndërr në sy
Dhembje
Mall me krahë të gjatë.
Shtëpia ime!
qiell i bardhë me ëndrra ylberi mbi çati.
I bukur si një bebe më fle në kraharor.
Fle e më zgjon ëndrra fëmijërie.
Në shtratin e kujtimeve
qesh pylli blerak
loton burimi i ujtë në sytë mi
rrjedh dhe unë prej mallit
e mblidhem në prehrin e nënës.
Një grush aty…
Me gishtat e saj të bardhë
qep fustan gëzimi.
E vesh
e vi për tek ti
me zogjtë e diellit nëpër duar.




























Leave a Reply