Poezi nga Mihal Gjergji

Poezi nga Mihal Gjergji

 

Florida

Këtu s’ka male, vetëm re në ikje
As dielli, të fshihet s’ka se ku
Eh, gjak i zi, llangosur rri në pritje
Dollari i merr detit ngjyrën blu

Më kot kërkoj me sy nga lartësitë
Shqiponja s’vjen si shtërgu mërgimtar
Këtu s’ka fron të ulen perënditē
Në këmbë të tyre paska shumë shqiptarë!

 

E VETMJA PERËNDI

Të gjithë jemi nga pak Promete;
lypsari, porstituta dhe mbreti
Domosdo,
me pranga dashurie mbërthyer
Vendlindja na vret, se na do

Ylberin lidha shall rreth qafës
e në ikje pikon pikëllimi
Ndaj na vret Atdheu,
e vetmja Perëndi e gjallë,
i vetmi tempull adhurimi!

 

MËDYSHJE

Varret-ndanë udhës
Jeta-buzë varrit
Dashuria jep shpirt, si foshnja jetime
Të vdekurin e rivret i gjalli
Mos dysho po deshe..!
Ndaj pyes: kush e mëkon shqiptarin,
zoti apo djalli?

 

VJESHTA E VENDLINDJES

Do kthehem në viset e mia
Dhe shpirti rrebel më thotë, ik
S’të njohin profet në vendlindje
Ndaj tundesh nga trojet, or mik!

Kjo vjeshtë e praruar me ngjyra
Qilimat që ndjellin magji
Nuk di se ç’penel ka natyra
Ç’telajo floririn e pi…!

Mbi lugjet e mia zbret hëna
Freskohet në krojet e gurtë
(Mbyll sytë, më zgjat dorën nëna
Të futem në prehrin e butë!)

Vegimi a malli më zgjojnë
Trishtim e mërzi këtë radhë
Në dheun e lagësht pushojnë
Të shtrenjtit e mi zemërbardhë

Kjo vjeshtë pa nuse dhe këngë
Pa vallet që hidhen mbi gju
A thua lëngata ka rënë
Dhe njerëzit kanë humbur diku?

Ja lisi, me pjergull mbi supe
Tund krahët, nga larg përshëndet
E do një qafim a një lutje
Mbush shportën me rrushin që pret

Përkulet një mollë e një ftua
Pret dorën të zgjatet atje
As vetë nuk e di se çfarë dua
Mbi krye më shfaqet një re

Hedh këmbën mbi harkun e urës
Qemeri mban shekujt në shpinë
Balada zgjon zërat e luftës
Taborret janë nisur dhe vijnë

Shikimin karshi-Hodo Beu
Me dorën në pallë-Bilbilenjtë
Dhe ngrejnë furtunë, si Anteu
Se vdekja s’guxon që t’i prek

Kam mbritur në viset e mia
Puth pragun dhe dehem nektar
Besomëni, më priti Maria
Dhe Krishtin aty e kam parë!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s