Cikël poetik nga Ndue Ukaj
Kur prishet paqja biblike
Ndodh ndonjëherë mos të kuptohet kufiri mes natës e ditës
As mes t’mirës e t’keqes
As mes t’drejtës e t’padrejtës.
Ndodh ndonjëherë rrugët ngatërrohen
Dhe në pështjellimin e madh s’dallohen ngjyrat
Krejt kjo ndodh sepse shuhen dritat n’ horizont.
Papritur, si në një skenë teatri hapet një perde.
Skena është bosh, e thatë, e ftohtë, e errët…
Sikur një jetë e fshehtë plot mistere,
Dhe një i penduar që rrëfen vetveten
Pa fund e pa fillim.
I kredhur në kontekstin e rutinës
Pa liri, as me robëri
Ndodh ndonjëherë njeriu s’ ka horizont
Dhe çdo gjë përmbyset
Sikur para një cunami që merr përpara gjithçka.
Ndodh ndonjëherë, njeriu s’ka lartësi as thellësi
Ndodh t’ kujtojë se s’ishte asgjë, s’ishte askund
S’ishte askush…
Në botën që fundoset në sytë e tij pa horizont.
Dhe thotë: gjithçka ekzistoi si në një ulërimë të frikshme.
Po! Ndodh ndonjëherë, njeriu dëshiron të ulet këmbëkryq
Në Pemën e Dijës
Të shohë si u prish paqja biblike, kur u dogj Edeni.
GODO NUK VJEN
Është furtunë.
Rruga nga Irlanda është e pakalueshme.
Deti nuk kalohet me hapa t’ vegjël netëve me shi,
Kur vetmia t’ përpinë si toka e plasaritur nga tërmeti.
Kur dhimbja s’ka kohë e as deshifrime shkencore.
Godo nuk vjen. Është vonë e pritja e ka molepsë.
Në gjumë t’ rehatshëm i përkund ëndrrat e mia dhe ëndrrat tua.
Ai nuk vjen as nën Pemën e Jetës as në teatrin e çudirave.
E bën gjumin e pritjes që s’e kupton koha jote e koha jonë.
Megjithatë ti e pret;
E pret si nusja dhëndrin në shtratin e braktisur.
Dhe ëndërron krahëhapur thesin e mbështjellë me ëndrra
Ku ti i fut duart butësisht, prehesh si nëpër flokët e dashura.
Dhe kërkon ëndrrën tënde, që ngatërrohet nëpër gishtërinjtë e gjatë.
Pa pritë një pickim ta shtang trupin e dora jote fluturon nga thesi.
E ti fshin ballin dhe kupton:
Godo nuk vjen e as shikimi i tij enigmatik.
Prapëseprapë s’ bindesh se ëndrra jote mbeti n’ thes,
Nyje e përjetshme si ardhja e Godosë.
Atëherë si vetëtima kalon përtej lumit t’ fjalëve.
Si hapat e tu nëpër ëndrra plot çudira, ku janë rojet e kohës.
Që bëjnë zhurmën e jetës në ëndrrën e pritjes.
Megjithatë ti kultivon shpresën se Godo do të vjen.
Jo! Godo nuk vjen.
Ti qan furishëm sa lotët të çelin një përrua
Mes mollëzave tua dhe rrjedhës së tyre pa cak,
Ku tiktaket e zemrës ndjehen sikur hapat e të panjohurit
Në natën e zezë si futa kur troket hidhërimi
Në të cilën edhe Godo do të merrte në thua dhe përplasej keq.
GODO ERDHI
Është natë e bubullimat s’kanë të ndalur.
Ty të dridhet trupi i lagur nga shiu i rrëmbyeshëm
Nën Pemën e Jetës duke pritë Godonë.
Pritja t’ ka shndërru në statujë moderne
Ku folenë e jetës e kanë korbat e natës e zogjtë vetmitarë.
Vetmia jote është strukë si gjarpër i lidhur
Mes së cilit përbirohet gjuha helmuese.
Atëherë dëgjohet një e trokitur e furishme. Por ti s’e dëgjon.
Veshët t’ janë mbyllë nga krimba që ngjiten trupit tënd.
Si plakut para Derës së Ligjit në tregimin e Kafkës.
Dhe pret të hysh në misterin e Ligjit, më fal, të Godosë desha të them.
Zot im! Godo erdhi me shikimin e mërrolur e thesin e shkyer.
Me dëshira të humbura gjatë rrugës së gjatë të kthimit
Nën Pemën e Jetës ku e prite pafundësisht.
Ti s’e njohe!
Ai erdhi me trajtat e një fytyre që s’e kishe imagjinuar kurrë.
Me zërin e lodhur që s’e kishe dëgjuar kurrë,
Me shikimin e trazuar që s’e kishe parë kurrë.
Trishtimi ta shtang trupin e krimbat përplasën tokës
Nga trupi yt i shndërruar në pritje.
Trishtueshëm kape kokën e llastuar dhe u përplase pas thesit të tij
Ku kërkove dëshirat tua të thara si gjethe vjeshte
Nëpër të cilat shkelin këmbët e dehura.
Atëherë lotët vërshuan faqeve tua dhe qafës tënde.
Dhe u hodhe në krahët e dëshpërimit.
E prite si nusja dhëndrin në shtratin e braktisur,
Duke ëndërrua krahëhapur thesin e mbështjellë me ëndrra
Ku ti fut duart butësisht si nëpër flokët e dashura, prehesh aty.
Dhe kërkon ëndrrën tënde që ngatërrohet nëpër gishtërinjtë e gjatë.
Fshin ballin dhe kupton: Godo erdh dhe pritja jote mbeti pritje.
EMIGRANTI
Ai ka vetëm pyetje. Përgjigjet i ka të ndrydhura
Nëpër xhepat e ndotur me nostalgji të betonuar.
Ai ka vetëm kujtime dhe ato i sillen rreth qafës
Si guri i mullirit e tundin një hapa para e disa mbrapa.
Në ujëvarën e rrëmbyeshme e frushkullon kujtesa.
Dhe ia rrëmben kohën – kohën që s’e sheh kurrë;
Kohën që vetëm e ëndërron netëve pa fund.
Ai s’është njëri nga ata nën qiellin plot furtuna,
Ku ec, ha, bën dashuri dhe lutet.
Atdheu i shpendëve është qielli
I peshqve deti
I emigrantit është pikëllimi-
Që i shumëfishohet, si shumëfishohen retë kur tërbohet qielli.
Në rrugët e panjohura përkund nostalgjinë
Dhe kërkon njëshin n’ zerot e pafundme.
Testamenti i Odiseut i digjet n’dorë,
E gacat e kallin flakë si rreze tropikale.
Në Itakën e munguar hedh shikimin.
Mbrëmje e mëngjes rropatet.
Ai shtegton rrugëve t’pikëllimit
Dhe mbulohet me jorganin e Tokës së Premtuar.
Çdo natë ëndërron t’ njëjtën ëndërr: kthimin në njësh.
Teksa oaza e shkretëtirës ia thith dëshirat, kujtimet.
Emigrantit kjo dhimbje e madhe.
Me thesin e pikëllimit bredh rrugëve t’ shpresës.
Pret vendime të bahet njësh n’ zerot e pafundme.
Çdo ditë e presin të panjohura në pyllin e dëshirave,
Ku i prehet shikimi i butë dhe pritja e thellë.
Emigrantit kjo dhimbje e madhe
Si zog i mërdhirë kërkon folenë e shpresës.
Dhe mbulohet me jorganin e Tokës së Premtuar
UTOPIA
Çdo gjë është ndryshe. Në horizont dielli copëzohet;
Copëzat ngulen në zemrën e tokës si shigjeta triumfuese.
Ngjyrat s’i dallojmë nëpër erën që frushkullon kujtesën.
Poezi s’lexojmë në universin e marrëzive
Ku marrëdhëniet mes territ dhe dritës
Shfaqen si marrëdhëniet mes murit dhe mendimit.
Prapë luhet loja e çuditshme, njësoj si dikur
Zogjtë bien përtokë, si atë kohë kur u shkrua Ferri.
O Zot! Seç ka ndërruar çdo gjë
Në kohën kur gardhi i vogël errëson sytë e mëdhenj.
Hëna gjen rrugë nëpër duart e mpira që rrinë si shtiza drejt qiellit,
E dielli shkrihet si qiri nëpër sytë e lodhur të tokës;
Në sytë që s’shohin gjë në qiellin blu, veç një reje t’ vogël;
Një re që errëson shumë.
Shikimi im përdridhet në hapësirë
Si përdridhet era dhe krijon ortekët e saj.
Pastaj shfaqen fytyra.
Në një natë, kur çdo gjë është ndryshe,
brenda së cilës kufijtë janë n’ kokën tënde
aty ku këmbët tua ecin nëpër iluzione
aty ku këmbët tua rrëshqasin nëpër iluzione.
Në vetmi i shtrydh ëndrrat e këqija
për kohën që s’është
për kohën që s’ishte
për kohën që s’vjen
për kohën që ik me erën.
Çdo gjë është ndryshe. Në horizont dielli copëzohet;
Copëzat ngulen në zemrën e tokës si shigjeta triumfuese.
Utopia n’ betejë me realitetin
ia ha ëndrrat
e struktura n’këndin e fshehtësisë.
ARKA E NOES
Arka e Noes s’u zbraz as kur ylberi shkëlqej mbi det,
ernat pushuan e deti ra në gjumë.
Ajo s’u zbraz, as kur pëllumbi i bardhë kaloi para saj
e nëpër dyert e ngushta brofën të pasionuarit
m’ i prekë gjitha ngjyrat e shkëlqimit përnjëherë.
Ajo e dehur lufton me stuhinë
shiun e jetës që bie pa pushim
me batakçinjtë që tokën e kanë dhi.
Qysh atëherë kur njerëzit e dehur i pushtoi dëshira
m’ u kacavjerrë nëpër ngjyrat e ylberit,
më beso, paqja s’u shtri mbi ne
as kur pëllumbi u shfaq qiellit blu
kur ty të kapi dëshira m’u dehë në buzët e afshme,
me vdekë aty e me ruejtë çastin e fundit për përjetësi.
Prapë ra nata.
Prapë ylberi u zhduk në orbitën e errësirës
si i panjohuri pas një kodre të madhe.
Prapë ra nata,
e terri pushtoi sytë e tanë,
ashtu siç u pushtua Eva nga dëshira për mollën e ndaluar pjekur në Pemën e Dijës.
O Zot!
U humb shija për frytin e jetës
Qysh kur arka lufton me stuhinë!
Në stacionin e trenit
Grumbuj njerëzish
Vrapojnë drejtimeve të ndryshme
Disa kanë valixhe
Disa bartin në sy hutinë
Disa presin trenin,
E disa kthehen si Odiseu në Itakë.
Të gjithë gjenden në një vend
Prej ku marrin drejtime të ndryshme.
E megjithatë të gjithë kanë një qëllim
Cakun e jetës
O Zot, cakun panjohur
Cakun që kurrë s’e arrijnë.
Ti fshin ballin dhe me zërin e ëmbël pyet:
Ku është caku?
Odiseu kur u kthye n’ Itakë,
Kuptoi sa larg ishte ajo prej ëndrrave të tij
Aty kishte ndryshuar çdo gjë, veç kujtimeve të tij.
Itaka qe s’ ruante bëmat e tij
Ajo s’ ishte Itaka e ëndrrave të tij.
FRUTAT E AMSHUARA
Bukuria është lart, mes tokës e qiellit
unë dhe ti.
Truri me ide të ngatërruara,
Është si malli i madh për t’ vërteta t’ rralla
Që fshihen n’barin e dendur, n’ barin e lagur.
Bukuria është lart, mes tokës e qiellit
unë dhe ti.
Ku bien t ‘vërtetat,
Si bien lisat e gjatë nga stuhia
Kështu humbet shtegu nga terri dhe s’ shihen portat
E qytetit të shenjtë.
Koha s’lejoka të zbulohet fytyra e vërtetë
Në kopshtin e madh, ku mbillen të gjitha frutat, të gjitha lulet,
Edhe dhembjet bashkë me dashuritë.
E meriton lumturinë
Po, mrekullinë e lumturisë.
Hijerëndë është shikimi yt,
E sytë e tu janë shndërruar në përrenj t’ tharë.
Bukuria është lart, mes tokës e qiellit
unë dhe ti.
Fjalët e tua marrin arratinë si shigjeta që largohet nga harku drejt cakut të panjohur.
Oh sa i murmë është dheu, e pemët kanë thithur ngjyrën e tokës
E ti e heshtur thua veç lumturia është pemë me fruta t’amshuara
N’ kopshtin ku bari i dendur na i fsheh thembrat tona.
IDENTITETI
Nëpër pasqyra shumëngjyrëshe s’shihet asgjë,
As gjurmë
As hija e lajmëtarit të dritës
Me kandilin që lufton errësirën.
Lakuriq shfaqen vetëm statujat e përlotura të qytetit X,
Ku gjëmojnë të përbuzurit që pyesin për paqen humbur.
E në dritare rrinë gra lakuriqe. Ato kanë shartuar pemët
dhe presin kalorësit e dhimbjes. Presin kthimin.
Në dritaren e vogël rri ti, me sytë e bukur e flokët e shprishura.
Ke veshë një fustan të papërshtatshëm për trupin tënd t’bukur.
Me vramendje thua librat i lexojmë m’ u pështjellë me idetë e tjerëve,
Idetë e tjerëve i përtypim si përtypet fjalët para se m’u shkëputë nga qenia,
kur marrin arratinë e panjohur si shigjeta e shkëputur nga harku.
Ky është hidhërimi i të mos qenit vetvetja.
Lakuriqe shfaqen vetëm statujat e përlotura të qytetit X
ku dashuria s’ka tinguj përcjellës,
e truri s’ka vend për risi, s’ka vend as për dashuri-
truri që racionin e ka të përcaktuar
nga kujdestarë…ato rojet e injorancës, rojet e territ
që dritën e luftojnë tash e mot.
Rritemi duke u mësuar se si të dashurojmë
e dashurojmë duke mësuar ma parë urrejtjen.
Kjo metamorfozë e jetës ka zanafillën te orgjitë e tempujve mashtrues,
ku lakuriq shfaqen vetëm statujat e përlotura-
thua me një dhimbje që s’e shpjegon me fjalë,
kjo metamorfozë e ka zanafillën te gjarpri mashtrues-
them, me një dhimbje që se mbuloj me fjalë
Luajmë me fjalë, luajmë me ide
dhe i tundim dilemat e mëdha,
si andrrën tonë për Parajsën e humbur.
Dhe përplasjen në përqafim e pemës së shartuar, pa identitet.
Ku i hëngrëm frytet pa shije.
Alfabeti i dhembjeve
Është muzg, terri na futet n’ sy
S’ shohim ku i qesim hapat,
E këmbët na ngatërrohen.
Na duhet ta kalojmë këtë natë
Për ta parë agimin.
Që ta ngrehim qytetin e shpëtimit
Maja e të cilit do ta prekë qiellin.
Ku ajri është i pastër si dashuria vetë
Ku përkthimet e poezive bëhen të panevojshme
Derisa nuk digjet prapë Sodoma dhe Gomora.
A është kjo re që shëtit mbi ne paralajmërim se rrufeja mund të na godasë?
Qytetërimi i dashurisë
Është vendi ku gjuha e Abelit triumfon
Ku lulet flasin me tinguj dashurie
Ku përkthimet janë të panevojshme
Ku lidhjet e ndjenjave bëhen pa lajthitje.
Si nëpër ujëra të turbullt,
Aty lundron e pamposhtur Arka e Shpëtimit
Aty shpartallohen mendimet e egra
Si pushtohet njeriu nga dashuria
Në atdheun e përjetshëm
Ku paqja biblike shfaqet si n’ Eden.




























Leave a Reply