Poezi nga Myrteza Mara
NË PREHRIN E HËNËS
Më ka marrë malli për Nënën,
Ka kohë pa i shkruar një letër
Nga dritarja çmallem me hënën,
Nëna është në galaktikën tjetër.
E ka zgjatur rrugën e mallit, nëna,
Që unë të rri mw shumë në këtë botë,
Por edhe sikur me njëqind zemra,
Do vij, nënoke, këtu bën shumë ftohtë.
Dritën nga dielli hëna e ka dhuratë,
Dhe Nëna pa diell s’do ishte e vërtetë
Ndryshe ky planet do të quhej Natë,
Ose edhe më kobshëm, ” i Pajetë”…
Sa shumë më djeg malli për nënën,
Tani dhe në ëndërr rrallë e takoj
Sa herë troket porta e zemrës
Zbathur, drejt derës fluturoj.
Por janë takat e verdha të hënës,
Është gazi i qielltë i saj
Vjen të më shuaj mallin e nënës,
Në prehrin e hënës ulem e qaj!