Poezi nga Sokrat Habilaj

Poezi nga Sokrat Habilaj

 

MARRËVESHJE

Ti më flisje drejt, ti më flisje pa ojna,
Kush do bëhet burri im, ti a një tjetër.
Duhet të më dojë më shumë se ta doja,
Në rregull pra, unë do të dua më tepër.

Kaq seriozisht ishe në të gjitha fjalët,
Herë ndihesha mirë, e herë ngushtë.
E sikur dashurinë ta kthesh mangët,
Do të dua më shumë, pa asnjë kusht.

Se thosha, në nisje ka dhe trille malli,
A ndoshta një grua e kërkon një pakt.
Po ç’merak ke tani që do të fle i pari,
E një grusht yje rrëmben nëpër natë?

Ashtu në gjumë mbi mua i shkërmoq,
Në ninullë drithëruese kthen heshtjen.
Si s’më kishe thënë se do bëhej yt shoq,
Burri që do ta doje më shumë se veten?

 

Qaj se të dua

Para teje rri, i mbërthyer në faj,
Se askush si unë s’vrau kaq ëndrra.
Pse më sheh ashtu, apo pret të qaj,
A do të tregoj varret që mbaj brenda?

Ëndrra të trishta që s’i ruajta dot,
Plot plagë i lashë, kreshtë më kreshtë.
Ti nuk ke arsye që të derdhësh lot,
Po ke vrarë dhe ti, hesht pra,hesht!

Para teje rri, kthyer në strehë reje,
Për ëndrrat e vrara, të bëhem rrasë.
Ndërsa ti thua:-Unë vija pas teje,
T’i mora me vete, ëndrrat që le pas!

Para teje rri, i mbërthyer në faj,
Ti ëndrrat e mia, ke kthyer në grua!
Ç’duhet më shumë, që të nis të qaj,
E të them pa ndrojtje:-Qaj se të dua!

 

KUR TË PREMTOJA

Kur premtoja ëndrra, si asnjë tjetre,
Që do mbillja për ty shteg në shteg.
Ndodhte që ti merrje një shkrepse,
Dhe më kërcënoje:-Do t’i djegë!

Kur të premtoja një ishull të largët,
E në vila do ta ktheja gjithë mallin.
Ti në fytyrën time i harboje flakët,
Dhe më kërcënoje:-Do tu vë zjarrin!

Kur të premtoja trille, trille të kota,
Se do të gdhendja emrin në poezi.
Që të jetoje dhe pas meje, ndoshta,
Prapë më kërcënoje:-Do t’i bëj hi!

Po kur papritur të premtova veten,
Që do digjesha tek ty, pak nga pak.
Çfarë ndodhi që ma dhe shkrepsen,
Dhe mu lute:-Më kthe në flakë!?

 

I NDARË NË PJESË

Vjen një kohë që ndihem mangët,
Ata që ikën nën dhè, morën pjesë.
Pjesë të tjera, m’i morën të gjallët,
Ndërsa endem, thjesht si mungesë.

Ndërsa kthyer, në gjysmë heshtje,
Them:-E kot të flas me të vdekur!
A për pjesët që më morën me vete,
Më mirë pyes për pjesën e mbetur.

Ndoshta jam i gjallë edhe në copa,
A ndoshta më flisni, si të jem i tëri.
Ndoshta me mua, u shtohet lodhja,
E pastaj më shani, sa ju meket zëri.

Ndoshta emrin tim, se kujtoni më,
S’kujtoni faktin, se kishit të gjallin.
Mos ngrini supet, nëse pyes për të,
Po më tregoni, ku ma bëtë varrin?!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s