Poezi nga Petrit Sulaj
Fjalët e fundit
Kam folë pak fjalë e shkruajtë shumë gjatë jetës,
ndërkohë me këmbët kam bërë vetëm hapa milingone,
para
e pas hapa elefanti,
truri im nuk ka ngrirë kurrë,
nuk është bërë as edhe një çast gurë,
dhe mendja njësoj ka notu në të
e shkrirë gjithmonë,
si albumina dhe e verdha
e vezës pazjerë,
zemra herë më ka peshuar sa lisi me trung,
degë e rrënjë bashkë
e herë sa një gjethe e tij kur bie në tokë,
etj. Etjerë…
Kështu e nisi fjalën e tij të lamtumirës,
ai.
Dhe e mbylli:
tani
me lëkurën time që deri më sot
ka mbajtë mishin e kockat të mos dalin jashtë,
bëni një tambur,
vareni në mes sheshit
e goditeni me shkop çdo mbrëmbje,
deri sa prej saj të dëgjoni këta fjalë:
“nuk mund të dimë kur vimë në jetë
nuk mund të dimë në të sa rrimë
nuk mund të dimë kur jetën e lëmë
po duhet të dimë me të çfarë të bëjmë”.
petrit sulaj
korrik – gusht, 2019.
NË PREHËRIN TËND
Me ty në prehër
me ty në sy
gjaku shkon e vjen
pa u ndalur në zemër,
të vështroj e humbur:
sytë e tu më ndezin
sytë e tu më fikin.
Me ty në prehër
përkundesh lundër,
lumë me dy brigje
që dinë të dëgjojnë
të shohin njeri tjetrin
po dhe të vdesin.
Vetëm në prehërin tënd
kolaudohem unë,
më mat me buzë
më peshon me sy,
tërmet u bën mureve
deri sa na bien sipër…
Guximi, ëmbëlsirë
kur jam në prehrin tënd,
ankimet e britmat
sytë e gjinjtë
e krejt kurmi im
deklarohen
në vend të mendimit:
ti jeta ime
unë vdekja jote!
1985 – dhjetor 2013
(@ Petrit Sulaj)




























Leave a Reply