Stefano Benni
Kalendari poetik: Stefano Benni – 1947
Sot, më 12 gusht, mbush 72 vjeç Stefano Benni, shkrimtar, gazetar, skenarist, dramaturg e poet italian. Në vitin 2015 s’pranoi çmimin Vittorio de Sica (që dorëzohet nga Presidenti i Republikës ose nga ndonjë ministër) si protestë ndaj shkurtimeve që bëri në arte dhe kulturë qeveria Renzi. Është një nga shkrimtarët italianë bashkëkohës më të mëdhej, sidomos në fushën e humorit. Edhe 100 Stefano Benni!
TË NGRESH KRYE VËRTET
Të ngresh vërtet krye
lypset ëndrra të kesh
që të përvëlojnë dhe kur zgjuar je,
lypset dhëmbje të kesh prej padrejtësisë,
atë ethe të kesh
që njeriut i heq
sëmundjen e frikës,
babëzisë, servilizmit.
Të ngresh vërtet krye
përtej mureve
duhet të shohësh
përtej detit
përtej përmasave të botës.
Mjerimi njerëzor
kudo tokën përvëlon,
por një zjarr shterp është
që zhduk e varfëron më tepër.
Është zjarr që urren atë që e ndez,
çka mbetet është hi pa histori.
Të dish të djegësh vetëm çka duhet
prej nga bar i ri të mbijë,
kjo është të ngresh krye vërtet.
© shqipëroi Maksim Rakipaj