Poezi nga Durim Çaça / Shëputur nga vëllimi poetik ““Fytyr’ pafundësie”

Poezi nga Durim Çaça

 

SEKUENCË

brenda nesh rrjedhin
edhe puthja e deti
brenda një fryme të vetme
ah, se duart e drita
e se shpirti e buzët
e qenia e humnera
edhe loti e dielli
brenda një zjarri të vetëm
qysh dhe koha e sytë
frymëzimi e vdekja
edhe Zoti e kurmi
e njeriu e kometa
rrjedhin veç brenda nesh
edhe atdheu e seksi
brenda një fryme të vetme…

 

KËNGË

bukuria e deteve m’u tret
e morën detet me vete
m’iku bukuria e qiejve
për vete e morën qiejt
bukuria e librave më shkoi
po me librat vete më vete
më humbi bukuria e së dashurës
u dogj nëpër ëndrrat e zjarrshme
si ai që ia morën të tjerët
fshehtas,- thesaret që zbuloi i pari
bukuria e deteve m’u tret
e morën botët me vete…

 

PSALM

lutemi në ty perëndi
na gjyko si të jesh njeri
që e mbyti deti
i mallit
po na gjyko, o njeri
si të jesh perëndi
që e mbyti deti
i jetës
lutemi në ty, dashuri
na gjyko si të jesh ëndërr
që e përpiu deti
i dritës…

 

MEMORIAL

se ku pash’ atdheun
dhe m’u kujtua varur
ai djalë i ri
vdekja e bukur bjonde
i varej supeve,- nuse e re
gjith’ prill
gjith’ ëndërr
(ah, se ne s’do mund të vdesim
n’atë agim të tij të kthjellët)
tashmë e dashura e tij
ësht’ mplakur si e dashura e një tjetri
ose ka vdekur
se ku pashë Vasil Laçin*
dhe m’u kujtua Atdheu…
_______
Hero i Popullit, djaloshi 21 vjecar nga Himara që i bëri atentat perandorit të Italisë fashiste, Viktor Emanueli, në Tiranë, prill 1941,- si shprehje e revoltës së popullit shqiptar kundër pushtimit fashist të kohës; është e famshme dëshira e tij e fundit, para ekzekutimit fashist me varje: Më jepni një krehër, të vdes i bukur!

 

KANTILENË

ç’ësht’ valë kalon si vala
ç’jan’ sy seç shkojn’ si syt ë
mall ç’është kalon si malli
duar ç’janë si duart ikin
po ç’ësht’ flakë ikën si flaka
lot ç’është seç shkon si loti
ç’ësht’ e dashur, ah, si e dashura
buzë ç’janë si buzët shkojnë
ç’është valë kalon si vala
e po qe qiell ikën si qielli
ëndërr ikën ç’është si ëndrra
jasemin ç’është si jasemini
ç’është poemë shkon si poema…

Nga libri poetik “Fytyr’ pafundësie”, Ombra GVG, 2009

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s