Poezi nga Bilall Maliqi
FLAS ME TY NË HESHTJE
Flas me ty në mes heshtjes
Kthyer kah portreti i varur në murin e dhembjes
Asnjë zë s’dëgjohet
Si të jetë futur në xingonën e errët të harresës
Veç kujtesa më mban lidhur me ty
Si me zinxhir të dryshkur nga stinët e serta
Heshtja iu ngjit kraheqafë memecërisë
Si një foshnje e vockël krahut të nënës së lodhur
Prapë flas e s’ndalem dot
Derisa zëri të përbirohet vrimave të zëna nga llum i kohës.
JAM ME TY
Jam apo s’jam me ty
Në të mirë e në të keqe
Në bardhësi e në zi
Jam me Ty
Jam apo s’jam me ty
I lidhur me hallkë shpirti
Puthitur si mishi me thoin
Jam me Ty
Si përherë
Edhe në fushatë
I uritutri për një kafshatë
Jam me Ty
Më duan apo s’më duan
Me zemër që s’njeh kufi
Përjetësisht Dardani
Jam me Ty!
S’ JETOHET (MË)
S’jetohet (më) me kujtime të burgosura
S’e ngelet nën pranga edhe fjala
As në terrin si ferr nuk jetohet
Kur hëna fshihet pas qiellit të shtatë
S’ka si të jetohet pa shikimin tënd
Tek shkrihesha në ty lumnueshëm
S’mund të pushoj në shuplakë të gurit
Pa e mbytë atë shlligë që m’xehron
Jo nuk jetohet me dashuri të plagosur
E n’shënjestër të hijës së tërbuar…
ZHGËNJIM
Sa u zhgënjeva nga sytë e tu
Tek shkrepnin shkëndija zjarri
M’u duk se më nxehën trupin
Nga jashtë lëkurës e në brendi
Xixa si të strallit ndezur me uror
Ngjyra dashurie shkrir n’kurorë
Sot u futa i tëri në (zh)gënjim
Nga i zhbiruari e dredhaku shikim
Kur pas shpinës sime të kërrusur
Pamëshirë e varrose timin gëzim.