Poezi nga Sinan Vaka
EDHE NË DIMËR NDODH
Askush nuk do të jetojë në botën pa memorje.
Minierat e shpirtit nxjerrin xeherorë dhe thesare,
madje fanarët e shpirtit kujtesës bëjnë roje,
ndërsa çelin bajamet e syve të tu, moj vrastare .
Edhe në dimër ndodh të ëndërrohet pranvera.
Vërtet sythi i ri nuk buzëqesh tek vitet që kam,
por pritja është shpresa që ndërgjegjes rri te dera
dhe pa sofistikime më thotë të të kujtoj edhe kush jam.
Mundet ankthi yt ka lindur nga bindja jote,
se dielli i dimrit nuk ngroh dot si vapa e verës,
sedra nuk është armike dhe krejtësisht miope
të më vrasësh . Jam unë që shpëtoj prej brengës.
ÇAKALL DHE DHELPËR
Është çështje normale për tu larguar nga kjo histori,
sepse fjalët i kemi në dilemën e kufijve shpirtërore,
shpeshherë një thërrime na duket sa një mbretëri,
po ta besosh, bindesh se jemi sa të qetë, po aq inatçorë.
Vrasim kohën e vyer dhe ajo gjithnjëlloj na vret,
prandaj ndodh që jemi në mendime këtej e përmatanë,
ku të të vendos në hiçin që marrëzisht na përçmon dhe përflet
dhe dhimbjes dembele që lot e pushton shpirtrat tanë .
Po të humba, shëmbëlltyrën time mos e mbani në muzeun tuaj
sepse copat e gëzimit me dëshirë i zvogëluam tepër e më tepër,
Zjarri juaj i shuar është gjithçka, që kishte ngelur relike ( të vuaj ? )
Prandaj i vëmendshëm bindem, se jemi çakall dhe dhelpër.