GËTE:  Afritë përzgjedhëse (Roman) / Përktheu në Shqip nga orgjinali: Aristidh Ristani

GËTE:  Afritë përzgjedhëse (Roman)

Me nderim e mirënjohje pedagoges sime të dikurshme të gjermanishtes në Universitetin e Lajpcigut, zonjës Rosemarie Freyer, e cila ma pati dhuruar origjinalin me urimin që një ditë të arrija e ta përktheja në gjuhën time amtare këtë vepër të shkëlqyer të shkrimtarit të madh gjerman.

PËRKTHYESI

………………………………………………………………………………………
– Meqë na nxite vetë për një bisedë të tillë, – iu përgjigj Eduardi, – nuk shpëton dot aq lehtë, sepse më interesantet janë pikërisht rastet e ndërlikuara. Vetëm ndër to mund të vësh re shkallën e afrisë, lidhjet më të ngushta e më të forta, më të largëta e më të dobëta; afria bëhet më interesante vetëm atëherë kur shkakton ndarje.
– Mos vallë ndeshet edhe në shkencat e natyrës kjo fjalë e trishtueshme, të cilën, fatkeqësisht, e dëgjojmë tani kaq shpesh? – thirri Sharlota.
– Natyrisht, – u përgjigj Eduardi. – Jo më kot e kanë quajtur madje si emërtim të nderuar për kiminë: arti i ndarjes.
– Ndërsa tani, – ia ktheu Sharlota, – s’e quajnë më kështu, dhe bëjnë shumë mirë. Më tepër art ka kur bashkon, dhe kjo është një meritë më e madhe. Arti i bashkimit do të ishte i mirëpritur për çdo fushë në mbarë botën. Por, meqë e prekët këtë temë, tregomëni ca raste të tilla.
– Atëherë, – tha kapiteni, – le të kthehemi sërish tek ajo që përmendëm dhe që diskutuam më sipër. Për shembull, ai që e quajmë gur gëlqereje është baltë gëlqerore pak a shumë e pastër, e bashkuar me një acid të dobët, që e njohim në gjendje të gaztë. Po të zhysim një copë guri të tillë në acid sulfurik të holluar, ky bashkohet me gëlqeren dhe formon gips, ndërsa acidi i dobët në gjendje të gaztë çlirohet. Kështu ndodh ndarje dhe bashkim i ri, dhe mendoj se tashmë kemi të drejtë të përdorim madje edhe termin “afri përzgjedhëse”, ngaqë ngjan me të vërtetë sikur një kombinim pëlqehet më fort sesa një kombinim tjetër, sikur ndër dy kombinimet përzgjidhet njëri.
– Më falni, – tha Sharlota, – ashtu siç fal edhe unë natyralistin, por në këtë mes s’do të shihja aspak një përzgjedhje, më fort do të thosha se kemi të bëjmë me një domosdoshmëri natyrore; pastaj, tekefundit, kjo mund të jetë edhe vetëm diçka rastësore. Rastësia krijon kombinime, ashtu siç krijon edhe hajdutë, dhe, kur bëhet fjalë për substancat tuaja fizike, përzgjedhja më duket se është thjesht në dorën e kimistit që merret me bashkimin e tyre. Dhe, kur bashkohen, Zoti i ndihmoftë! Në rastin e dhënë më vjen keq vetëm për të ngratin acid të gaztë, që detyrohet prapë të endet nëpër hapësirën e pafund.
– Varet vetëm prej tij që të bashkohet me ujin e të shërbejë, në formën e ujit mineral, për të freskuar njerëzit e shëndoshë dhe të sëmurët, – shtoi kapiteni.
– Gipsi s’ka pse të ankohet, – tha Sharlota, – është në rregull, u bë trup, s’i kanoset asgjë, ndërsa ajo substanca e dëbuar do të vuajë goxha para se të gjejë sërish një strehë.
– Mbase e kam edhe gabim, – tha Eduardi duke vënë buzën në gaz, – por më duket se pas fjalëve të tua fshihet një aluzion dinak. Pranoje që po tallesh me ne! Tekefundit, në sytë e tu unë jam gëlqerja, e cila, duke u bashkuar me acidin sulfurik, që në këtë rast është kapiteni, shkëputet nga shoqëria jote dhe shndërrohet në gips refraktar.
– Nëse ndërgjegjja të frymëzon mendime të tilla, – u përgjigj Sharlota, – atëherë mund të jem e qetë. Këto alegori janë të këndshme dhe interesante, e kush nuk ka qejf të zbavitet me përqasje të tilla? Por njeriu qëndron shumë shkallë më lart se këto elemente dhe, nëse tregohet në këtë rast një çikë si tepër dorëlëshuar me këta terma të bukur, siç janë “përzgjedhje” e “afri përzgjedhëse”, do të ishte mirë të thellohej sërish te vetvetja e ta peshonte ashtu siç duhet vlerën e shprehjeve të tilla. Për fat të keq, unë di mjaft raste kur lidhja e fortë midis dy substancave, që dukej e pazgjidhshme, është shpërbërë nga ardhja rastësore e një të trete, dhe njëra prej këtyre dy substancave, të lidhura aq bukur në fillim, është dëbuar për t’u endur në hapësirën e paanë e të pafund.
– Atëherë kimistët janë shumë më të njerëzishëm në këto punë, – tha Eduardi. – Ata shtojnë edhe një të katërt, në mënyrë që asnjëra të mos mbetet pa partner.
– Po, kështu është, – tha kapiteni. – Madje, rastet më të rëndësishme e më interesante janë ato raste ku mund të vësh re këtë tërheqje, këtë afri, këtë ndarje e bashkim si punë kryqëzimi, kur katër substanca, deri atëherë të bashkuara dy nga dy, pasi bien në kontakt, heqin dorë nga lidhja e tyre fillestare dhe formojnë një lidhje të re. Në këtë ndarje e në këtë bashkim, në këtë braktisje e në këtë kërkim të njëri-tjetrit të duket sikur shikon me të vërtetë një paracaktim nga lart; njeriu u vesh substancave të tilla një lloj vullneti e aftësie për të zgjedhur, dhe kështu e quan plotësisht të përligjur termin “afri përzgjedhëse”.

(Johann Wolfgang von Goethe:
“Afritë perzgjedhëse”, Titulli i origjinalit:
“Die Wahlverwandtschaften”, Roman,
Botimet “SANTORI”, Tiranë 2015, 310 faqe.)

 

Përktheu në Shqip nga orgjinali: Aristidh Ristani

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s