Shekull që fle në boshësi
Kuturisen matrapazët e shekullit të ri
Nëpër dyqanet e mbushura me drita,
Në vend të zemrës kanë qymyr të zi,
Në vend të shpirtit, prona dhe makina.
Paraja pështyn mbi kalldrëmet e jetës,
Male plehërash i flenë përbri,
Humbi ëndrra përtej honeve të skëterrës,
Ishim njerëz, u kthyem në ujq, lukuni…
Në vend të dijes skërmitet hipokrizia,
Bima Grande na mbiu në kokë,
Vdiqën idealet, të na rrojë djallëzia,
Mbretëresha e njerëzve të mjerë mbi tokë.
Shekulli i ri lundron mbi dallgët e kohës,
Dielli njerëzor u tret në pafundësi,
Paraja pështyn mbi kalldrëmet e jetës
Që mbart mbi shpinë veç boshësi…
Poezi e shkëputur nga vëllimi i dytë poetik, “Përtej ëndrrave dhe përjetësisë”, GlobusR 2008, të autorit Enertin Dheskali