Poezi nga Mihal Gjergji
H U M B Ë S
Mbeta humbës, gjithë jetën
Në pranverën e moshës,
më humbën ca fjalë të rralla. S’i kanë fjalorët.
S’kam ç’bëj,
do pyes të vdekurit, vetëm ata i dinë.
Edhe këngët që mblidhja, në një mandile dore
Më humbën dhe ato
Po unë i dëgjoj. I këndojnë zogjtë, lisave në korije
I humba njerëzit e mi, një nga një
Më donin kokëprerë, si Orfeu
E ndjej, gjysma ime ka vdekur
E përsëri, pema e gjakut do çelë lastarë,
edhe lule.
Buzëqeshjen ma vrau kjo udhë,
ku nderet trishtimi
Eh, udhët tona, me plagë e gjithë gjemba!
Vetëm varfërinë s’ma morën, imja mbeti (!)
Ndaj bëra tastjerën, ku lodrojnë fjalët
E ndjeni muzikën?
Kthej kokën; turma është larg, shumë larg!
Po unë besoj, besoj te fjala
Vetëm ajo mund të bëjë ringjalljen!
LISI PLAK
E kam zili;
buzë humnere tund krahët, në erë
rrënjët – mes shkëmbinjve
Një zog solli farën këtu
dhe mbiu!
Edhe ne, në dy gisht vend mbjellim jetën
Po lartësitë,
lartësitë, si t’i ngjit’ njeriu?
HEJ, UDHËTAR!
Mbeta eremit i ngujuar
Bokërrimat e mia i plugojnë vetëtimat
Ku të mbështetem?
E ndjej dimrin e hidhur, te pragu;
me re të grisura, si çallma jeniçerësh
male të grivër,
tek-tuk pemë të vetmuara,
ngjajnë me murgeshat, mbetur pa zot
Foletë e zogjve tunden si djepe
e poshtë tyre kalimtarë të rrallë
Ç’është kjo zile që më tremb mendimet,
varur në qafën e mushkës, si hënë e ngrënë?
Hej, udhëtar!
Një barrë misër për magjen e zbrazur, s’i ushqen dot shtatë gojë mbledhur rreth vatrës.
Eh, gjakprishurit tanë!
Ata që përmbysën kupën, na vranë dhe ëndrrat, i vraftë buka!
Bën ftohtë
Vendi im ka uri.