Poezi nga Valbona Pullazi Kaimi

Poezi nga Valbona Pullazi Kaimi

 

***

Tingujt e verdhë iu larguan vjeshtës,
melankolia e shiut i rrëzoi gjethet,
drurët e zhveshur u bënë shpirtra
dhe zogjtë e munguar, u tretën në horizont…

Fryn erë e heshtur në muzg të errët,
vetmia ndërton mure të akullt,
dhimbja mbështet kokën ngadalë,
mbi supin e kërrusur të mallit…

Përgjumur kujtimet vizatojnë ëndrrën gri,
dritë-hijet flasin, si në pëshpërimë
tek tuk, një fjollëz e bardhë avitet,
që zgjat, e zgjat si një përrallë…

Papritur zgjohet tjetër e nesërme ,
e tëra veshur farfurimë,
në parkun e vetëm e stolit harruar
gjurmënjohja jonë bëhet shkëlqim !

 

Humbur

Ti rend kuturu
i fshihesh dhimbjes,
ajo ka lëshuar rrënjë
ecën frikshëm me ty…

Ti rend,
mbyll sy dhe veshë,
ajo qëndron përballë teje
e të vjedh gjithë mendimet.

Ti rend,
ndoshta drejt çlirimit
mohon dobësinë,
i thurr vargje egos së përbotshme,
dhimbja gjallon brenda teje…

Ti rend,
s’ di për ku,
fsheh dashurinë,
nën koracën e hekurt të krenarisë,
e qan, se të është largur shpirti,
brenda teje oshëtin emocioni i ngrirë!

 

Udha ime

Nuk është e lehtë udha ime
e përpjetë, e thikët,
me gropa të thella
hapur njerëzish të cekët,
pluskojnë në lajka
të një jete moçal,
frymë marrin ajër smogu,
e kutërbojnë llum…

Nuk është e lirë
udha ime,
kushton liri të shtrenjtë,
përplaset me mjedise thashethemesh,
të njerëzve të djerrë,
që mbushin ditën
me jetët e të tjerëve…

Është e kaq e shenjtë udha ime
brenda çdo hapi,
një uni im,
i fisnikëruar çdo ditë,
me sy- heshtje,
e botë- dritë !

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s