PËRTEJ DISKURSIT “LIND” DHE “HIJE” NË POEZINË E ADEM ZAPLLUZHËS / Nga: Prof. Dr. Fatmir Terziu

PËRTEJ DISKURSIT “LIND” DHE “HIJE” NË POEZINË E ADEM ZAPLLUZHËS

Konceptet e “lind”dhe “hije” janë të lidhura në mënyrë të pandashme me nocionet dhe idetë e udhë-jetës si forma didakte të pyetjes së tendosur dhe mjaft domëthënëse në vëllimin e ri poetik të autorit Adem Zaplluzha. Këto lidhje të pandashme diskursive bëjnë lidhje dhe ndasi për autoritetin, nënshtrimin, institucionin e vetë qasjes në lidhjen me Atdheun, prandaj, autori e ka titulluar “Çfarë bëra për ty Atdhe”. Në ligjërimin poetik të kontekstit kjo lidhje e pandashme mund të jetë çelësi për të kuptuar përfaqësimin e brendshëm dhe të jashtëm të kontekstit diskursiv të vargut në këtë vëllim poetik e më gjerë. Në dekadat e fundit shumë poetë, kritikë dhe analistë janë ndalur në krijimtarinë poetike të Zaplluzhës dhe të gjithë janë të mendimit se pikërisht kjo lidhje e ka bërë atë më efikase në disa prej vëllimeve të shumta të tij. Madje, “Kosmogonia e një poeti kosovar” gati në dy vëllime sjell mendime të gjata e të shtjelluara të të tjerëve për poetin. Shtëpia botuese “Trend”- Prishtinë (2019) me redaktorë Bedri Neziri dhe Veli Veliu e bënë të ndjeshme e të lehtë kuptimin ndryshe të qasjes së koncepteve. Shumica e tyre janë përqendruar në konceptet e mirëfillta të poezisë së autorit, tek ato koncepte që janë vendimtare për ta cilësuar si të obligueshme ndalesën tek kjo krijimtari poetike. Por në të gjithë këtë ndërrmarje të gjatë të të tjerëve për poetin shihet një boshllëk i padeteminuar nga ana shkencore. Ky hulumtim ka për qëllim plotësimin e këtij boshllëku ekzistues në studimin e koncepteve të paraseleksionuara në këtë vëllim të ri të autorit dhe si shkas për të shkuar ndoshta dhe më tutje. Ne përqëndrohemi në paradoskin diskursiv me foljen “lind” dhe më tej me angazhimin tonë më të thellë për të emetuar dhe sqaruar pikërisht atë që struket dhe detajohet me hijen si pjesë e një diskursi më vete.

Paradoks diskursiv me foljen “lind”

Në një nga poezitë e poetit Adem Zaplluzha, pikërisht tek ajo me titull “Kur isha në udhë të drejtë”, e cila bën pjesë në vëllimin e ri poetik “Çfarë bëra për ty Atdhe” diskursi logjik që meton formatin e foljes “lind” si një mishërim me ekzistencën dhe filozofinë e saj në këtë kontekst argumenton mes vargut se “Jo që kam qenë një fëmijë i llastuar/Por që nga çasti i lindjes/Vaji im i ngjasonte britmës”. Asaj britme që në ardhjen tërësore të ndërlidhur me dhuratën Hyjnore të njeriut forca zanore i takon tingullit të jetës. Dhe ndërsa jeta pikëlidhet me këtë tingëllim, ajo që vjen pas është mori gërshetimesh pos veshëve dhe ndjesisë së vetë Njeriut. Njeriu që lidhet tërësisht me diskursin “Ne”.

Ne dëgjojmë tingullin që na bën të lumtur. Atë tingull që vjen nga errësira në dritë. Atë tingull që ne pastaj e quajmë jetë. Urim! Urimet më të mira, dollitë, shëndetet, lidhjet dhe zgjidhjet e ngrira në të gjitha rastet dhe memorjet. Drita që zbardh mëngjeseve e verbësve tona e mban ditën tonë për të kujtuar orën. Orën që mëkaton me kohën. Orën që imiton tonën. Dhe duket sikur na ndihmon të shkojmë në udhën tonë.

Na ndihmon… Ndihmon gjithashtu për të analizuar ëndrrat tona të kahershme, edhe ato të përhershme. Ëndrrat që lidhen me veten, me shoqërinë njerëzore. Dhe aty pikërisht për kohë ndalet, zhvilloset, hapërndahet, duke kërkuar rrënjët, duke ribërë planet.

Ndihmë! Dera nga hyri dhe u dëgjua ai tingull i lumtur duket e bllokuar! Shoqëria njerëzore kurrë nuk e ndihmoi ndokënd të zhbllokonte derën. Ajo e vari të ardhmen e këij tingulli të lumtur mbi supin e “të panjohurit”. “I panjohuri” që iu shfaq ndër si një gjethe. Një gjethe që shpërthen nga sythi, ngjeshet tek filizi, zgjatet e gjerësohet dhe kërkon të hedhë sytë tej orës.

E një ditë… Një ditë dhe ajo gjethe, si çdo gjethe do të bëhet e thatë dhe e lodhur nga fati do të paloset, zhvetënohet, fillestohet në tokë të butë, baltë a ndoshta dhe në asfalt. Aty do të shënohet pandjeshëm se ajo ra nga Pema e Jetës. Vetëm Pema e Jetës mund të lëshojë dhe ritrasmetojë efektin e saj për respektin, rrugëtimin gjenerator të gjeneratave të jetës, ndërsa ne marrim vetëm tekst. Vëtëm një tekst që tiktaket, lexohet, dihat dhe struket thellë në gjoks, … paradoks. “Nesër do të jetë vonë” shkruan poeti Adem Zaplluzha. Në vargun e tij poetik këtë formë të tillë të mbetur pos tingullit lumturimtar si një gozhdë në gjoks, e thënë më qartë si paradoks, lexuesi metohet të mësojë se “Koha është t’i ujisim kujtimet/Po nuk e bëmë sot/Nesër do jetë tepër vonë/Do vdesin të gjitha çastet e lumturisë/Do vdesin ashtu siç kanë lindur”.

Në këtë paradoks Zaplluzha shkon më tej tek poezia e tij “Mos ia besoni atij”, ku na dikton të vëmë veshin mirë se “Në këtë pllajë të puthjeve/Vetëm zogjtë/Lindin dhe vdesin vertikalisht/Zvarranikët /Deri në zvarritjen e fundit zvarriten”. Folja “lind” në të gjitha zgjedhimet e saj të lidhura me këtë paradoks metaforik, hyn natyrshëm në mjaft poezi të Zaplluzhës, duke na dhënë diskursin e plotë të arsyetimit logjik. Tek poezia “Deti dhe Ajo” autori thotë “Kur zuri të më kafshojë/Në ashtë depresioni/Një këngë e lashtë /E pa kënduar hyjnore/Mbase u lind në mua/Dhe filloi të dëgjohet kori mbretëror”. Në poezinë “Vetëm fjala dhe dashuria” këtë transmetim diskursiv të poetit e gjejmë në këtë format: “Urrejtja është/Si një fëmijë i lindur dobiç”, ndërsa tek poezia “Kurrë nuk e panë dritën” duke ndjerë shiun e përlotjes, poeti na riformaton ëndrrën e tij të dhimbshme të adoleshencës “Ky shi i verdhë/Dhe i përlotur/Sa shumë i shëmbëllen lindjes sime/Sa shumë sa që m’i përkujton /Shtërzimet e nënës plakë”.

Tek poezia “Djepi dhe arkivoli”, poeti thotë se të dy këto pjesë të absurdit udhëjetë janë “Dy sinonime të pa ndashme/Njëri i lindjes/Dhe tjetri i vdekjes/Sinonim i ferrit dhen i parajsës”. Në këtë dualitet poeti shqetësohet në thellësi të shpirtit të tij tek poezia “Mbi flokët e pakrehura të gurëve” me nocionin e vargjeve të mëposhtme “Mbrëmë të përbeva me dashurinë/Ti nuk dëgjove asnjë fjalë/Për lindjen e kashelashave/Kurse shiu tredhak/Trokiste si i çmendur mbi gurët e varreve”.

Në të gjithë vëllimin e tij të ri “Çfarë bëra për ty Atdhe” folja “lind” si diksurs imediat i jetës dhe i lidhjes me Atdheun sillet si një metodë më vete për të lexuar didaktin e saj, po aq dhe për të riformatuar kuptimin e saj diskursiv. Poeti në të tetë rastet e përdorimit në mënyrë të thjeshtë e të thellë na jep atë që përbën diksurs plotësor dhe jetik me foljen “lind” në disa forma dhe formate të saj vargore.

Konteksti emetues i hijes

“Loti i lënduar i Atdheut” është poezia e këtij vëllimi që hap siparin e emetues të hijes, në një kontekst më të gejrë të saj. Hija si tre-dimensionalizëm i saj midis jetës dhe vdekjes në lidhjen me Atdheun, mbetet një zonë e errët (imazhi i vërtetë) ku drita nga një burim drite bllokohet nga një objekt i errët. Ajo zë të gjithë vëllimin tre-dimensional pas një objekti me dritë përpara tij dhe na qaset me tërë aspektualitetin e saj logjik në këtë poezi duke u fokusuar dhe në hijen morbide “Nga ato pjesë të gjymtyrëve/Që më kanë mbetur/Ende përkunden në trupin tim/Përkunden /Si hijet morbide në qiellin e vjedhur”. “Këtu nuk dihet kurrë” mes vargut dhe diskursit të fjalës “hije’ na qartëson se vetë seksioni kryq i një hije është një siluetë dy-dimensionale, ose një projeksion i kundërt i objektit që bllokon dritën. Në këtë kuptim hijet e poetit lozin valle, dhe jeta duket e mbytur në hije, në zbrazëti “Ju thashë o njerëz prej hijeve/Kot jeni duke trokitur/Këtu nuk banon asnjë i gjallë/Vetëm të vdekurit mbrëmjeve vonë/Lozin një valle të lashtë mistike”

Pra prodhohet një “umbra, penumbra dhe antumbra”, që do të thotë një burim i dritës që pikë-hedh vetëm një hije të thjeshtë, të quajtur një “umbra”. Për një burim drite jo-pikë ose “të zgjatur”, hija ndahet në umbra, penumbra dhe antumbra. Sa më i gjerë të jetë burimi i dritës, aq më e paqartë bëhet hija. Nëse dy penumbra mbivendosen, hijet duket se tërheqin dhe bashkohen. Kjo njihet si efekti i blisterit “Hije”. Dhe kjo është si një preambulë “Mbi një arkivol të kalbur” ku “Një kalimtar i uritur/Thotë se në këtë hapësirë mungon drita/I mungon edhe frymëmarrja/Nga sytë e lëbyrta/Burojnë hijet e thyera/Ai qante mbi një gur/Nuk di se çfarë guri ishte/Por megjithatë ishte gur i murrmë/Nga sytë e të cilit/Largoheshin disa lloje hijesh të verdha”. Ky lloj blisteri i hijes në vargun e poetit, si përdorim i qartë semantik na tregon se skicat e zonave të hijes mund të gjenden duke gjurmuar rrezet e dritës të emetuara nga rajonet më të jashtme të burimit të zgjatur të dritës. Aty ndodhet pikërisht rajoni i kërthizës, ku vetëtakohen dhe vetëmpleksen hijet me tërë format e tyre diskursive. Rajoni i kërthizës nuk merr ndonjë dritë të drejtpërdrejtë nga ndonjë pjesë të burimit të dritës, dhe është më i errëti. Një shikues i vendosur në rajonin e umbra nuk mund të shohë drejtpërdrejt ndonjë pjesë të burimit të dritës, ashtu sikurse ndodh dhe me atë që meton vargu i poetit, jo pa kuptim për këtë hije të lidhur me fatet e Atdheut.

“Vetëm heshtja e gurëve të murrmë” si një poezi didakte, tipologjike e formatit të poetit, kërkon të na zhbirojë realitetin “S’dëgjojmë as zëra të hijeve/Kambanat janë ndryshkur/Para disa qindra viteve/Vetëm heshtja e gurëve të murrmë/Kohë pas kohe/Murmurit një lloj lutjeje të panjohur”. Kjo hije e tipit penumbra tregon në të kundërt, se ndriçohet nga heshtja, mbarimi i jetës, nga disa pjesë të burimit të dritës që mbesin në gjatësi kohe të largët, duke i dhënë asaj një nivel të ndërmjetëm të intensitetit të dritës që pritet të emetohet si dritë për vetë hijen. Poeti mbetet në këtë pikë një shikues i vendosur në rajonin e penumbrës që pret të shohë burimin e dritës, por që është bllokuar pjesërisht nga objekti që hedh hijen.

Nëse ka më shumë se një burim drite, do të ketë disa hije, dhe këtë e di poeti, ndaj ai përqëndrohet aty ku pjesët mbivendosëse janë më të errëta, dhe kombinime të ndryshme të shkëlqimit ose madje edhe ngjyrave bëjnë rrokadën e tyre djallëzore. “U varrosën pa lënë asnjë varr mbi tokë” sjell poeti në vëmendjen tonë. dhe leximi i kësaj poezie forcon atë mesazh të tij se “Thonë se ishin njerëz të padukshëm /Hije të zeza mbi tokat tona/Por gjithsesi ishin ushtarë/Dhe vrastarë/Të pamëshirshëm të cilët me shekuj/I dogjën dhe i poqën lisat dhe pemët”. Në këtë rast duhet më shumë ndriçm, jo se autori nuk e ka, dhe jo se nuk e di, por se sa më shumë të jetë ndriçimi më i përhapur, aq më të buta dhe më të padallueshme bëhen skicat e hijes, derisa ato të zhduken. Ndriçimi i një qielli të rrëmbyeshëm prodhon disa hije të dukshme. Dhe kjo është e kushtëzuar sikurse dimë nga efektet atmosferike. Mungesa e efekteve atmosferike difuze në vakumin e hapësirës së jashtme prodhon hije që janë të rrepta dhe të përcaktuara ashpër nga kufijtë me kontrast të lartë midis dritës dhe errësirës. Për një person ose objekt që prek sipërfaqen ku parashikohet hija (p.sh. një person që qëndron në tokë, ose një pol në tokë) hijet konvergjojnë në pikën e kontaktit. Një hije tregon, përveç shtrembërimit, të njëjtin imazh si siluetë kur shikon objektin nga ana e diellit, pra imazhi i pasqyrës së siluetës që shihet nga ana tjetër. Edhe poezia “Asgjë tjetër përpos hijeve”, apo dhe vëllimet e tëra poetike të mëparshme të autorit si “Hijet e ndryshkura”, poezi, “Qendra e kulturës”, Kastriot, 2010; .“Mëkati i hijes”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve “ Fahri Fazliu”, Kastriot, 2013; “Thirrmat e hijeve”, Poezi, Shtëpia Botuese “Trend”, Prishtinë, 2015; “Përballë hijes së mollës”, Poezi, Shtëpia Botuese “Trend”, Prishtinë, 2016 apo dhe “Mes gishtave të hijes”, poezi, Shtëpia Botuese “Tend”, Prishtinë, 2019 na përcjellin kontekstin emetues të “hijes” në lidhjen me tërësinë dhe Atdheun.

Në vend të mbylljes

Unë e kam analizuar ngarkesën mesazhiere të vëllimit të ri poetik të këtij poeti, për të dëshmuar se autori përdor një rrugëtim të gjerë jetik për të prurë në syrin dhe vëmëndjen e lexuesit argumenta të qartë e tejet filozofikë në lidhjen e tij me Atdheun. Në këtë analizë disa faktorë tregojnë se poeti ka bërë një punë të shkëlqyer për të na sjellë jo thjesht një vëllim të shtuar në numrin e tij të madh të botimeve, por një libër me argument më të pjekur e tejet diskursiv. Një gjuhë e e pastër dhe tejet e qartë është dukshëm e ndryshme nga stili i shkrimit në fillim të librit, mesazhi ndryshon në të gjithë arsyen e një poezie duke marrë drejtime të reja, dhe nuk ka asnjë fjalë zhargonike më afër asaj që i ka ardhur fundit nga njohuria e autorit, ndërsa ato shfaqen shpesh në fillim të reduktuara e të emetuara në qartësi e logjikë.

Sikurse u citua më lart lidhja semantike dhe diskursive në vargun e poetit Zaplluzha mes dy koncepteve diskursive “lind” dhe “hije” është një strukturë e detajuar, tipologjike, që e bën autorin të jetë i dallueshëm, vetvetja dhe më së shumti një pikë referimi për anën e tij të detajimit të mesazhit poetik.

 

Nga: Prof. Dr. Fatmir Terziu

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s