Poezi nga Rudina Muharremi Beja

Posted on October 20, 2019

1


Poezi nga Rudina Muharremi Beja

 

PËRQAFOMË!

Atëherë…, përqafomë fort,
pa fjalë, veç frymë merr thellë…
Dashuria, dallgë përmbi det të ngrihet,
një lot mbi faqe të rrëshqasë tinëz,
të ndjej gjoksin tënd të ngrohtë
e zemrën heshtas plogështim
në një botë tingujsh pa mbarim.

Mos fol, asgjë mos thuaj …

S’ do mund të them asgjë tjetër
sa i ngrohti,  i përzemërti përqafim,
mbështjellur në të,  si një fëmijë
në këtë botë pafajshëm sapo lind,
pa sy që fshehur mbajnë trishtim,
pa fjalë që mbajnë zemërim,
Trokit…,
shkund mermerët e ftohtë të shpirtit
dhe gjithçka do të marrë kuptim.

 

LAMTUMIRË!

Desha ta mbaj gjysmën e derës hapur,
dhimbja, si dredhëza trungut m’ u ngjit
frymën desh m’ zuri,
pesha më dysh kërrusur,
më i rëndë se Guri i Sizifit.

I vura kyç portës së vjetër
vështrimin përdhe…
Lamtumirë!
Asaj që kurrë s’do të kthehet,
e kurrë s’ qe,
Gjuhën lidhur, shpresën fikur, asnjë fjalë…
Burgos dhimbjen në fund të shpirtit
lotin e pafshirë e shoh përtej…
Heshtja me tinguj t’ akullt
pse s’ thyhet!

 

MË MBAJ!

Do të shoh në dritaren e syve tu
e do të gjej një botë më të mirë;
male, re, yje, oqeane e qiej,
Mëngjese më delikate, buzëqeshje.
Do të kërkoj thellë…
Mbrëmjeve më të arta heshtje.

Më mbaj brenda tyre.

Shoh vijën e qafës, gjurmën e faqes
përsosjen e fytyrës
përkëdheljen e pakrahasueshme,
pa të cilën, trupi im humb ndjesitë!

Larg, hipokrizisë, mjerimit e marrëzisë
…mos më braktis.

Lus çdo ditë, që në qiell një krah i bardhë më shumë të endet fluturim.

Në një rrahje të vetme besoj,
sa hap e mbyll sytë
diçka e ëndërrt më shafaqet,
fjalën tënde pres…
kafshatë e egër e mërgimit
më mban larg e më tret.

Ndihem mirë…
Hija jote kurrë s’ më braktis.
Një hap të kam pranë,
matem me të ditëve me diell,
e netëve kur si yll ndrin në qiell.

 

SODIS

Thellësitë e reve që fshehin rrufenë,
dallgën e jetës, rrëmbyeshëm kur vjen,
shelgun që krahët, më shumë zgjat se njeriu,
tek dielli, ndër degë e gjethe ku bën vend,
simfoninë e natyrës, që qiejt i prek…
dhimbja rrugën ka harruar
e shpirti, pak paqe gjen…
dheut, ka kohë mërguar.

Tokën e ëmbël, që ndizet
mbrëmjes së kthjellët,
ditë të ylberta, hëna të verdha,
sytë kanë të njelmët,
stinët e jetës, nga mot të trishta
heshtjeve të thella
faje jetime, njerëz të përkryer,
zemra të thyera.

Nostalgji muzgjesh, që flasin me lotë
e fjalë që qajnë,
lumenj të mëdhenj, tek vërshojnë turbullt e brigjet ndajnë…
Midis…!

 

PREMTOJ

Trembem, kur sytë të çel e më s’ të gjej
I egër shtegu i vjetër,  kthinave më pret
Krahy yt i gjatë, shtatë herë më vjen përqark,
më mbështjell mantelit muzg e më përhumb nëpër natë.

Me teh të mprehtë troket xhamit të thyer,
këput një degë, që gjethet i lë peng
E unë përherë, si një Penelopë:
“Në të kuq të horizontit, në hënë të plotë,
për çdo ditë që shkon, do të mund të të pres”

 

LOTI

Qiell turpshëm
brenda syve digjej,
në kraharor apokaliptik, stuhi!
Loti që faqen lagu për herë të fundit
gjatë mbajta ndër gishtrinj.

Ah, ky lot!
Njëmijë fjalë tha për madhështinë e një dashurie
pa kohë,
trishtimi u fsheh thellë në të,
e rëndonte bashkë me peshën e viteve.

Pushtuar plotësisht nga pafuqia,
fytyrën mbështetur mbi pëllëmbë.
E lashë të shkojë pa bërë zë.
Pikëllimi shkallët ngjiti në hënë
e loti im mbi të…

Posted in: POEZI