Dy fjalë për poetin Petrit Ruka dhe librin e tij me poezi “SHAMI TË ZEZA QIELLORE” / Nga: Riza Braholli

 

Dy fjalë për poetin Petrit Ruka dhe librin e tij me poezi “SHAMI TË ZEZA QIELLORE”

I dashur Petrit, vëlla i dashur, miku im i çmuar i letrave, por dhe më tej, më kërkove që t’i kursej fjalët e lavdërimet. Por, ti e di, ca gjëra, nuk janë në dorën tonë. Nëse zemra të urdhëron të thuash fjalët e saj, sidomos për ne të sërës së letrave, e kemi të pamundur të mos ia plotësojmë dëshirën.
Jemi mbledhur për ty këtu i dashur Petrit dhe ti, më shumë se një qenie fizike, je vepra jote poetike dhe kinematografike. Ne jemi të përkohshëm, veprat janë ato që mbesin. Dhe në saj të veprës tënde ti do të rrosh aq gjatë, sa të jetojë poezia dhe leximi i saj. Kështu që unë ato dy fjalë, që mu lute të ishin të thjeshta, do t’ia kushtoj asaj, sepse ti, grimë pas grime të jetës tënde e ke zhvendosur veten në vargje, në odat e artit.
Vepra jote është një shtëpi poetike Petrit, që e ke ngritur me gurët, ujërat, dherat e shpirtërat e Turanit, por dhe më tej. Dhe, aty në vatrën e fjalës, pranë vetes, ti ke mbledhur të gjithë të dashurit e tu, të njohur e të panjohur, të lëndë e të palëndë.

Petrit Ruka

Ke kënduar nënën tënde, si të parën e këngëve të tua; babain e heshtur e të mençur me duart e ashpëruara nga guri, por me shpirtin e butë; motrën, për të mos e lënë të tretet, sepse ajo jeton te ju; gruan fëmijët dhe ç’kishe më të dashur; gratë me të cilat udha të poqi, që nga Dilia apo Hankua e deri te gratë e jugut; atë që e bëri borën të rënkonte apo tjetrën që ti letrën ia ke shtënë te muri i lotëve në Jerusalem; Viktorin apo Qazimin tonë me zemrën qelibar, gjithë viset me male e fusha e lumenj. Nuk mund të rrije dot pa marrë Vjosën e Tepelenën tënde me vete; të gjitha të bukurat e miqtë e shokët që rrojnë apo që kanë ikur nga kjo botë dhe i ke bërë të tutë, duke i fshehur nëpër ato shkronjat e vockla, që shenjojnë tinguj, jo për t’u ruajtur kockat e mishin, por frymën e shpirtin e tyre, sepse i do të përjetshëm, sepse kanë qenë ushqimi i shpirtit tënd. Dhe ata e kanë atë fat do të jetojnë e do të marrin frymë me poezinë tënde.
Kështu miku im ajo shtëpi, në dukje e vockël, me disa libra, e nxuri të gjithë atdheun tënd aty brenda. Gjakimi yt është një rrekje e mundimshme, por dhe e bekuar, për të mbledhur gjithë ç’ka bota jote e dashur më të mirë, për ta shpëtuar nga apokalipsi i harresës.
Mund t’i ndaja dhe t’i sërënditja të gjitha krijimet e tua këtu, sipas tipologjisë apo sipas kontributeve që sjell çdo poezi apo libër më vete, gjë që, sigurisht do të ndodhë, por po zgjedh jo një rrugë studiuesish, doktorësh, por poetësh.
Danteja, Petrit, për ta udhëhequr drejt parajsës, drejt përsosjes hyjnore të shpirtit, zgjodhi Virgjilin për udhërrëfyes, ti vëlla zgjodhe njeriun e baladave, ison e këngëve polifonike dhe figurat e tyre lirike dhe epike. E kishe mësuar prej nënës dhe babait tënd të nderuar, duket: buka më e mirë është ajo që bëhet me magjen dhe miellin e shtëpisë tënde.
Por Tepelena jote e dashur Petrit, do të ishte e vogël për shpirtin tënd. Edhe Tirana edhe Shqipëria jonë e vogël duket nuk të nxënë. Janë kufijtë e baladave, miteve, përrallave që kënaqin hapësirat që kërkon liria jote estetike. Hipën kalin e tyre në vend të Ymer Agës apo përflakesh me të kuqin e trëndafilit të faqes së vashës. Por janë edhe kufijtë e pafund të qenieve, tërë kompleksiteti i tyre dramatik që na i hap ato, sepse ti thua që “Dashuria ka shijen e fortë të vdekjes …” Dhe gruaja është një “Brinja e thyer”. Dhe ç’mund të bësh “kur në zemër të bie shi!?”
I dashur vetëm sa i ceka dy-tri maja të poezisë tënde dhe mu hap një det përpara, por sonte është e pamundur të them gjithë ç’dua. Le t’ia lemë ditëve më pas premtimin se do t’i lexojmë shumë më thellë se kaq vargjet e tua; dhe se këto lexime do t’ua përcjellim përmes medjave edhe të tjerëve, sidomos nxënësve e studentëve.
Të uroj jetë pa fund dhe një penë rinore për nga dëshirat dhe të thinjur për nga arti e mjeshtëria….

Riza Braholli
19/10/2019… Tiranë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s