Desantila Qerimaj (Albania)

Desantila Qerimaj (Albania)

Desantila Qerimaj 1980, ka lindur dhe është rritur në qytetin e Shkodrës. Fillimet e saj janë të lidhura ngushtë me muzikën, në veçanti violonçelin. Pasioni i saj për muziken thellohet me pas, me studimet në Conservatorio Cesare Pollini, Padova Itali. Merr pjesë në orkestra të ndryshme filarmonike dhe simfonike si violonçeliste në Itali, Shqipëri dhe Londër. Pasioni për letërsinë është prezent tek Desantila që në moshë të re, duke marrë pjesë në aktivitete të ndryshme letrare. Së fundmi ajo po pregatit librin e saj të parë poetik.

 

Poezi nga Desantila Qerimaj

 

***

Tanë trishtimet që s’ti kam thanë
i kam ndrye n’nji yll të heshtun
mbrue prej ujnash t’ngatrruem.
Por… m’shoqnon shija e mjaltit
që sytë tuej, m’kapërdijnë prej zemret….

 

***

Nuk u vodh drita prej nesh
ne ja morëm shpirtin
e me të ndërtuem shkallë prej hekuri.
I veshëm kallo ndenjave
e ftyra jonë u bá
burg zbukurue me lule.

Prej frikës njomësinë e harruem në nji grimcë univers,
që s’ja gjetëm pulsin
prej se ishte i padukshëm,
në ndjenjën e çdokuj.

Nuk u vodh drita prej nesh.
Prej dashunisë e shtrënguem fort ndër grushta
e prej ikjeve të tepërta
e hodhëm n’ujna të rrejshëm…

Mandej shohim si mundet njeriut
me iu zbehë andrra deri n’asgjá.

 

***

Më trajtuen si vazo kristali
dhe kur kisha plasje t’vogla
mi njitne me dashuni të kollajta.
Mandej u theva n’copa
e s’pat ma dashuni aq t’kollajtë
sa me mbledhë gjana t’coptueme.

Për grimcat pezull përballë meje
u desht me krijue nji urë mbi çka rrokë syni
dhe e patokë me ia mësue rrugën, pushimin…
pluhnit bardh t’rrënojave
mbetë gjatë ndër kambë.
Ura qëndroi tue i dhanë jetës sa vjet
e ruejt natës kujtimet e mia për mbloje .

Tash thehem prap…
përshëndes naden e urën.

Më trajtuen si kristal që plaset,
si tanë fundja…
Pa më pá që e përulun, e bjerrun,
tue naltësue kohën,
njalli ditë dhe mendime t’bame hí.

 

***

Jam n’harresën e një nate që s’vdes.
Butësia e zemrës
këput andrra t’thella prej ballit tand dhe nuk dij,
në ndjej lumtuni a trishtim,
tek ikja e dimnit
i ngjan zbaticës t’buzëve tueja.
Pezulli i hanës na mbeti gjatë nën lëkurë
si identitet i heshtun, i durueshëm,
prej harresës të një nate që s’vdes,
mbështjellë fitimtare puthjes t’bardhë…

E kam ruejt,
kumbonë që zbut tinguj t’shtrënguem
e veshi nji herë në ndonji jetë,
e vari n’diell nji herë n’qindra errsina.
Se edhe e bardha krijon njollën e vet,
po se pau drita.

 

***

Kur t’mbushet plot andrra e stinës
e ti mbarojnë lotët luleve ndër kopshte,
n’duer të thellohen fjalë
që kullojnë prej shiut
pa mujtë me u thá…
Dhe qielli mbetet fole e kangës teme
se tash bahet dritë e terrun,
e kur t’vdesin vjeshta der’ në fund…
tash më lirohet shpirti
se asht ma e thjeshtë
me i veshë sytë me dimën
tue mos pritë rreze má…

 

***

Dashunia mban dy palë duer që zgjaten,
sy t’vramë me diej t’qetë,
dy andrra që therin terr e dritë me gjak
dy thurje, gaz, lumtuni e dëshirë.
Dy male që shtrojne guximin
dy lot që shtrëngojnë fundin tonë
dy gjeth, që shpërngulen prej kohe në kohë, pa vorr…
Por duhet me pasë nji zemer veç, nji.

 

Qytet

Tanë hapsinat bajnë dashni t’ndrojtun
me pritesën flirte të muzgut.
Nji andje e ngjizun ndër kohna
vallzon rreth vocërrakëve t’lumtun në rrugicë,
ndërsa hana ka mbjellë mjaltë
n’duert e dorzueme të ditës…
Ashtu siç nadet ndahen në sekuenca puthjesh
zogjtë e shuen nji nga nji rrugën e ajrit,
e krahët e tyne t’rritun me erë naltësish
tash shkrihen n’mburojën tande prej nate.

Sot dita ishte ndryshe
pa fragmente t’njyeme në terr,
me melodi “Jazz” ajri flen n’kangën e hapave.
Qiejt saora, po mbjellin nji stinë t’mbushun malesh
e me tis të tejngopun lumenjsh jeshil
shtrihen andrrues n’yjet e botës tande.

 

Si…

Si ta mbërrij…
më thuej Zot,
mjegullën që s’fle ndër ne,
e kët’ ajër të murrmë prej ftyrash bosh.
Kët’ frymë të disatë puhizë,
trupash t’gjallë, të shprazun në limfë
tue lundrue, në agun e t’kenunit
áshti pemës të rritun.
M’thuej, si me e prekë, lëkurën e reve,
t’mburruna, t’nalta
mbi trupat tanë ku koha
heshtat e pritjes urdhnon,
dhe unë eci… hekurmbajtëse e gjanësisë
me ngjyrë t’xhamtë ,
me shikimin përballë ,
e mbet në vend
tokë e lame gjethesh…

 

***

Eci e ndjehem shpirt shkambor
a rana a heshtja jote
m’ban me u ndje kshtu.
Mbi mal asht ngri e dendun
mungesë e turbullt syshë që kanë rá!
Kanë rá… Honeve që zemra kërkon.

S’gjej asnji puhizë tash
ta shtroj rreth ikjes t’zogjve
e ta kthej në frymë…

 

***

Kjo rrugë
zgavrat e mungesës
duert tueja, k’to andrra
kjo maskë përmbi qytete
k’to dyer që zbehin muzgje
ky trishtim që ndjek pasqyrat,
k’to ndjenja, t’gjalla prej deti
k’to dege, forma jonë prej stinësh
tue gjetë dhimbjen e urtë tej vedit…
Qe… edhe nji zog që fluturimi
ia mbush trupin me dëshirë,
dhe që flet n’se un’ e dij
Me jetue a asht me humbë???
Me jetue a asht me ikë???

E me kërkue nëpër ajër qorrazi nji gjeth
a veç nji aromë lëkuret
që kumbon botën në zemër…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s