Poezi nga Behare Daja Kasa

Poezi nga Behare Daja Kasa

 

Më thuaj…

Ti s’e di se sa të dua unë,
Dhe kur ta them, ti qesh me mua,
E unë l(ojna) bëj, të llastohem ca,
Dhe me dy buzëqeshje të them:” Të dua”!

Dhe unë l(ojnat) prapë t’i vazhdoj,
Dhe them vargun që të pëlqen sa s’thuhet:
“Të kam zemër, a e di”? – të them,
E ti refrenin vazhdon: “Poo e diii”, -më thua.

E strofa jonë s’ka nevojë për kitarë,
Është melodi e krijuar nga vargu.
Janë ca vargje që nuk bëhen dot këngë,
Ashtu siç ka melodi që këndohen pa vargje.

Dhe kur kodet tona t’i çoj,
ti prapë qesh me mua,
Qesh, sepse e di përkthimin e tyre,
Janë të vëna nga ti,dhe ta dish,
Jam xheloze me kodet e tua!

Ti s’e di se sa të dua unë,
Të kam thënë është dashuri e veçantë.
Të dua pa prekje,pa joshje,
të dua thjeshtësisht
me një vështrim të paqtë.

E dua aq shumë gëzimin tënd,
E qesh me të dhe kur jam e trishtuar.
E ti më llastohesh,më thua:”E dii”,
E qesh me trishtimin tim të gëzimtë.

E dua aq shumë dhimbjen tënde,
Çdo herë me të njëjtën mënyrë,
E nëse loti yt mbi dhimbjen do të bjerë,
Me lotin tim do përzihet,e njësh do të bëhen.

Ti s’e di se sa të dua unë,
Ta dua të egrin shpirt,aq shumë,
Si fëmijët me plastelinë
me të më pëlqen të luaj,
Si amvisë e mirë ta mbruaj
në magjen e brumtë

E shpirtin e egër ta shoh teksa zbutet,
Tek bëhet i paqtë, tek bëhet i gjerë,
Më pëlqen ta shoh tek shkrihet si mjaltë,
E nga hojet bashkë me timin shpirt të bjerë.

Dhe ndjenjën e shpirtit ta ndjej jo veç unë,
Ta ndjesh edhe ti,ta ndjejmë tok të dy,
Sepse kështu të dua unë ty,
Të dua “Dy në një”.

Kjo është dashuria që nuk vdes kurrë,
Dashuri pa kushte,dashuri me shpirt të dlirë.
Hë pra,më thuaj,a të pëlqen kjo dashuri,
A mundesh vallë,
njëjtë të më duash edhe ti?!

…ma thuaj pra, hë …

 

Më beso…

Ti çdo çast më sheh në sy
dhe më thua: “Sa e bukur më je”!
Unë buzëqesh me çiltërsinë tënde,
Sytë i mbyll dhe buzëqesh me nge.

Por unë kam bukurinë e dritës,
sepse pranë ty të ndjej.
Në shpirt kam fluturimin e fluturave,
sepse aq lehtë ti më prek.
Mbi shtat kam aromën e trëndafilit,
sepse këndshëm ti më ujit.
Mbi sy kam magjepsjen e yjeve,
sepse syri yt më ndrit.

Dhe unë kam shpirt të bukur,
sepse nga shpirti yt buron.
Ja pra, pse unë jam e bukur,
sepse ti brenda meje frymon.

Merrmë dhe më mbill në vazo,
Ujitmë me një pikë lot,
Dhe pasi nata të reshtë,
Çdo ditë shihe në mëngjes,
Sa lule e bukur ka çelë…

.. provoje dhe do më besosh…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s