Poezi nga Suzana Malaj

Poezi nga Suzana Malaj

 

Migjenit !

Millosh!
– jemi akoma të sfilitur…
vullkani qoftë dhe i fashitur është herezi!
Mali që s’bëzan është bërë vargmal me maja të rrudhosura
e grushti është kaq primitiv
saqë njeriu që kapërceu shekullin
i trembet instiktit të dhunshëm – e nuk ka faj !
Grushti i hekurt nuk rrëzoi malin por bëri fole qyqesh !
Me ndje !
Kërkesa juaj e moslutjes i ka trishtuar murgeshat
e ato nuk luten më,
por këndojnë në kor dashurinë për qiellin!
Nuk e di nëse u pezmatua qielli nga dhimbjet e tua turbekulare
nuk e di …
– rrëzimi i kulteve – të gjatë e ka mërinë
e fataliteti matet me breza!
Perëndimi dhe Lindja nën këtë qiell janë
por Perëndimi është larg – mortja
ka kohë të mendohet brenda kokave të nxehta
-mbi pleh…
Marshe këndesash ende lajmërojnë ditën e re
e mali as që mbarset më
për të pjellë qoftë dhe një mi !
A e mban mend tragjikomedinë?!
sot është cështje komerciale
nuk na bën më as të qeshim – as të qajmë!
Jemi si ato maskat që përqeshim të tjerët
për të pranuar veten…
Më fal !
delli i gazit dhe marazit në muskujt e gojës
vuajnë paralizën e këtij shekulli
e nuk kanë faj !
Millosh – është ag
drita akoma nuk ka rënë…

 

E ndërlikuar

Kjo vjeshtë nuk është si të tjerat
nuk është!
E ndiej por ndryshimin nuk po e di…
Ka tension në sfond,
ka dashuri,
ka heshtje,
pasiguri e siguri,
ka drithërimë…
Nuk ka lot e parashikuesi i motit
thotë se nuk ka të dhëna për shi
Kjo vjeshtë m’i carmatosi mendimet – riciklimit
e kërkon të më bëjë frymëmarrje artificiale…
Deti i mjegullës dhe ora e brendshme e drurit
më ngatërrohen me orën time…
Orakujt thonë se njerëzit u ngjajnë stinëve
e stinët u ngjajnë njerëzve!
E di cfarë?!
Marr me mend pse drita dhe ngjyrat
japin shfaqje bamirësie,
por nuk e kuptoj pse marramendjes
ruaj gjithnjë veshin e brendshëm!
Të jetë cështje kortezie…
apo është risia e kësaj vjeshte?!
E ndërlikuar…

 

Matanë kufijve

Tronditi autoritetet mbi ballin tim,
morale e politike,
majtas e djathtas
tronditi!
Bëhu ditë!
Mos e lër fijen e fundit të dritës
të tufëzohet nga nata!
Mos i lërë sytë të bëhen ujë!
Mos vajto!
Piji retë e më lër të lahem në shi!
Pa pasaportë e lejekalim
qëndro mbi buzë!
Piqu si fjalë!
Mos ia merr masat gojës!
Mos bëj mort!
Fjala nuk bën mort
ka hone e maja…
Zbrit dhe ngjitu – thepisjes e misterit
lindje e perëndim
Harroje shenjtërimin
me Mekë e Jerusalem!
Jam vrarë atyre kufijve e shenjtërohem
kur dëshmoj vrasjen time…
Më ngjall matanë tyre!
Bëhu diell!
Unë fjalën do ngjall
do e bëj të pavdekshme
mbi ballin tim
nuk ka autoritete!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s