Mëmëdheu “Ndjenjë është” dhe Nëna “Ndjenjë është” vargje nga Alma Braja poete e majave të larta të fjalës së bukur dhe mendimit të dritësuar. 

Alma Braja

Mëmëdheu “Ndjenjë është” dhe Nëna “Ndjenjë është” vargje nga Alma Braja poete e majave të larta të fjalës së bukur dhe mendimit të dritësuar. 

“Më në fund” edhe pse jam lexues i vargut të poetes gjeta pak kohë për dëshirën time të shpreh mendimin tim apo thjesht të kënaq veten duke nxjerr jashtë atë që më mbushë për një rimbushje tjetër. Vargjet që të detyrojnë të mendosh, që të ndryshojnë gjendjen e përnjëhershme shpirtërore, dhe më thjesht që i ndjen shpirti lejnë gjurmë në letërsi. Kur poeti dijë të prek përditshmërinë të shtroj rrugë me lule e të fal dritë, të mbushë sytë me ngjyra e të tundoj me aromën e vargut kjo është poezia. Çdo poet i mirëfilltë i çdo nacionaliteti që të jetë themelet e krijimtarisë së tij i shtron të palëkundura me dashurinë për Mëmëdheun, Nënën dhe duke përcjellë dashuri për njerëzimin në veprat e tij/saj. Kjo është formula e jetëgjatësisë dhe Kështjellës që nis e ndërton për të bërë shtratin e përjetësisë. Kjo është rruga e poetes Alma Braja që unë nuk e njoh por e lexoj edhe pse jo më shumë se dyqind vite edhe unë kam pas mbiemrin Braja. Shumë shkrimtar e poet i kanë thure vargje Atdheut (“Mëmëdheut), dhe e kanë emëruar në mënyra të ndryshme. Shqiptarët janë me fat se të parët belbëzuan e kënduan se kjo ishte dhuratë nga Zoti që u la dy emra për dheun (tokën) ku lindin dhe këtë e përcollën të parët tanë brez pas brezi. Kjo quhet dhe fat se ne mund të shprehim ndjenjat ndaras për At dhe për Mëmë.  Mendoj se këto dy fjalë që janë të lidhura me prindërit na japin mundësi që ta duam At’dhee (at tokë) me peshën e dashurisë për At dhe Mëmëdheun me mallin e dashurinë për Mëmën. Ndonjëri apo ndonjëra bënë dallim në dashurin ndaj Mëmës dhe të Atit andaj ka mundësi që Atdheun dhe Mëmëdheun ta respektoj, dojë e ndërtoj me dashurinë më të madhe që autorja e quan “Ndjenjë”.  Poezia pa titull më emocionoj aq shumë sa duke e lexuar gati e mësova përmendësh. Këto vargje përveç që kanë në vete dashuri e mall që nuk matet me asgjë kanë një filozofi të brendshme shpirtërore dhe autorja këtë dashuri e mall i vë në një peshojë dhe nuk arrin t’i emëroj. Për ta “ndjerë” këtë varg që poetja të gjithë filozofin e derdh në fjalën “Ndjenjë” duhet së pari të jesh larg këtyre dy dashurive që kanë emrin “Ndjenjë” dhe që nuk ke mundësi t’i pagëzosh me asnjë emër tjetër se jetojnë me ty brenda teje shkrihen në mall e përqafim siç shprehet ajo; “As të një trupi me duar./ As të një toke me këmbë.”. Sado që ta shkelësh tokën e Mëmëdheut kurrë nuk do të shteret malli por të shtohet dashuria, sado që ta përqafosh Nënën aq më shumë do digjesh së brendshmi sepse ajo thotë se që të dyja janë “Ndjenjë”, i ndjen.

***

Mëmëdheu nuk është thjesht një vend.
Ndjenjë është.
Ajo ndjenja e të përshkuarit zbathur të një toke.
E ti nuk i jep dot një emër.

Nëna nuk është thjesht një njeri.
Ndjenjë është.
Ajo ndjenja e të përqafuarit papushim të një trupi.
E ti nuk i jep dot një emër.

Përveçse dashuri.Përveçse mall.
Nuk shuhet malli me përqafime, kurrë.
As të një trupi me duar.
As të një toke me këmbë.

Poezia “Fëmijës brenda meje” për mua është kryevepra e autores. Vargje këto që pasqyrojnë të gjithë dëshirat për një jetë me dritë e dashuri. E shkruar me një filozofi (dituri) që për subjekt ka dritën dhe dritën e mendjes, shikimin e pastër, zemrën e qetë, shpirtin e bardhë dhe porosinë (mesazhin) me rrugë të shtruar që të depërtoj drita brenda nesh..? Të flasësh me fëmijën brenda teje është një monolog, një dëshirë, një mall djegës që kërkon të dal jashtë vetes e të mbulojë hapësirën me dashurinë e nënës për ta përcjell tek shenjti i vet harmonin e melodisë së jetës. Autorja ka një guxim të tepruar kur nxjerr të gjithë shpirtin e përgatitur me dije e dituri jashtë vetes, ajo shpërndan rreze nëpër vargje duke krijuar personazhin më të dashur “shenjtin e vet” që diku flenë në qetësi por “rrëfenjat që fshehin dritë”, ka dëshirë që t’ia zbuloj. Qëllimi i autores është universal, duke edukuar fëmijën brenda vetes ajo si çdo poet/e që do të jetë misionar shtron një rrugë të përgjithshme edukimi, rrugë me shumë ngjyra ku ka dëshirë çdo kush të shkel. Të bësh dialog më fëmijën brenda teje është një dëshirë, një gëzim, një dashuri se si e do të duket trashëgimia jote frymore, ndaj ajo me shumë filozofi e nxjerr jashtë vetes pa asnjë pikë xhelozie se kështu donë të ndërtojë një botë përplot dritë e dashuri. Bota është ndërtuar me shumë ego andaj autorja thotë se: “Do të ketë të vërteta,/ që heshtin kur dalin në dritë,” dhe “Ashtu si do të ketë edhe rrëfenja,/ që fshehin dritë,”. Çdo nënë fëmijës i ka kandar apo e ka vënë në gjumë duke i treguar rrëfime të ndryshme por gjithmonë sipas përgatitjes andaj ajo thotë; “Na ishte një herë drita,/ bija ime…”. Kjo perlë e vërtetë që nuk ia gjen diku një krijim për ta krahasuar nga vargu në varg rrit intensitetin dhe dëshirën, rritë emocionin dhe zbardhë rrugën mbase edhe zbut zemërimin duke të bart nëpër biblioteka. Ishim tek poezia e parë dhe folëm për Mëmëdheun dhe Nënën që autorja tha se nuk mjafton të shuajsh mallin me një përqafim dhe as me një shkelje të dheut të Atdheut se gjithë është “Ndjenjë” është mall e dashuri që ndodhet brenda teje dhe atë mall dhe dashuri duhet ta trashëgojë ajo që rritet brenda teje. Këto poezi të krijuara në këtë mënyrë kanë një lidhje të fort shpirtërore një dashuri të madhe siç është ajo nënë fëmijë, andaj ajo kërkon dhe është në kërkim të dritës dhe dashurisë ndërnjerzore, të së vërtetës dhe drejtësisë. Këto nuk i kërkon t’i gjejë por t’i mbjell andaj bënë lidhjen me poezinë e tretë “disa herë ndihem si farë”.  Ja madhështia e vargjeve: “Shiko, bija ime./ Drita është këtu, në këtë jetë, e ne,/ ne kemi dëshirën e madhe të gjendemi në jetë./ E jeta ka dëshirën e madhe të na nxjerrë në dritë./ E dëshira na mban./ E jeta na rrit.” Për këto vargje mund të shkruash edhe një libër, por unë do mjaftohem të them se Alma Braja është poete e madhe e cila rrezaton si dielli, rrjedh si lumi dhe përkund jetën si deti. Dhe në fund mesazhi i saj i fuqishëm, njerëzor dhe human është tek vargjet: “E të mos këndojmë:/ ‘Na ishte një herë drita’./Të këndojmë:/‘Jeta na mbush dritë, veshur me erë të re’,/bija ime!”

(Fëmijës brenda meje)

I.
Do të ketë pasqyrime kjo botë, bija ime.
Do të ketë të vërteta,
që heshtin kur dalin në dritë,
e ti nuk do të jesh brenda.
Ashtu si do të ketë edhe rrëfenja,
që fshehin dritë,
e ti do të jetosh atje.
Atje është kjo botë, bija ime.
Në rrëfenja mbushur pasqyrime.
E do të fillojnë kështu:
“Na ishte një herë drita,
bija ime…”.

 

II.
Shiko, bija ime.
Drita është këtu, në këtë jetë, e ne,
ne kemi dëshirën e madhe të gjendemi në jetë.
E jeta ka dëshirën e madhe të na nxjerrë në dritë.
E dëshira na mban.
E jeta na rrit.
Por është përtej ende ajo dritë.
E jemi harruar së rrituri, nëpër biblioteka të errëta, bija ime.
Ndaj jemi këtu.
Që të rritemi.

Shiko.
Çdo dëshirë e madhe
mbart edhe një kërkesë të madhe.
Se që të rritesh nëpër biblioteka të errëta,
duhet të kërkosh ku janë merimangat nëpër rafte.
Të hapësh dyer e dritare
e drita
drita të vërshojë në çdo cep.
E era të hapë librin e mrekullive me rrëfenja.
Aty gjendet kjo botë, bija ime.
Në rrëfenjat e hershme, hapur nga erë e një jete të re, plot dritë.
E të mos këndojmë:
‘Na ishte një herë drita’.
Të këndojmë:
‘Jeta na mbush dritë, veshur me erë të re’,
bija ime!

Unë morra vetëm pak poezi të cilat i lexova dhe rilexova, por autorja ka krijime të shumta që do duhet t’i vështroj kritika e mirëfilltë letrare. E them këte se nga Alma mund të mësoj i vogli dhe i rrituri. Ishte atje lart Atdheu (Mëmëdheu), Nëna ishte Fëmija që u bë një lidhje e bukur dhe të gjitha këto lidhen me “farën”, fara mbin jep frytin. Dhe autorja thotë: “Disa herë ndihem si farë./ E mbjellë në tokë të huaj./ E mbjellë në stinë jo të duhur./ E fjetur.” Përse?! Se elita intelektuale shqiptare që nga artist, këngëtar, shkrimtar, sportist, shkencëtarë, mjekë dhe intelektual të profileve të ndryshme që  jetojnë jashtë Atdheut të tyre me një Ndjenjë malli. Ata prodhojnë e riprodhohen në tokë të huaj. “Disa herë si tokë ndihem/ Si tokë e huaj./ Që pret çdo stinë./ Zgjuar.” Ajo pret një ditë ndoshta do bëhet më mirë për dheun, nënën, fëmijën dhe farën ta hedhim atje, atje ku të rritet e të bëhet pemë. “Të takojë një farë./ Disa herë si farë ndihem./ Dhe si tokë./ Jo e huaj./ Si farë e mbjellë, e mbirë,/ e bërë pemë./ Dhe vallëzoj.” Atëherë kur ndihesh në tokën tënde si farë rritesh si pemë dhe vallëzon. Poezitë e Alma Brajës kanë një lidhje shpirtërore në mes tyre, sa të nisish të lexosh njërën të fton tjetra, kjo është bukuria e fjalës së saj ku ruan mendimin e përparuar për dashurinë, dritën, shpresën…

***

Disa herë ndihem si farë.
E mbjellë në tokë të huaj.
E mbjellë në stinë jo të duhur.
E fjetur.

Disa herë si tokë ndihem
Si tokë e huaj.
Që pret çdo stinë.
Zgjuar.
Të takojë një farë.

Disa herë si farë ndihem.
Dhe si tokë.
Jo e huaj.
Si farë e mbjellë, e mbirë,
e bërë pemë.
Dhe vallëzoj.
Nën ritmin e fëshfëritjes së gjetheve.

Disa herë zgjohem.
Në stinë të duhur.
Por nuk kam mbirë.

Më në fund unë gjeta pak kohë të them një pjesë të përshtypjeve të mija për poezinë e Alma Braja, por jo të gjithën se e gjitha nuk ka fund ashtu siç nuk ka fund drita që rrezaton vargu i saj. Edhe kjo poezi është në bashkëbisedim me të tjerat dhe porosia është të shpejtojmë që ta gjejmë ate që dëshirojmë dhe sa më shpejt të themi më në fund. Më në fund “Të marrish frymë ndryshe” është dëshira që ushqen shpresën Më në fund Ndjenja ime shkel dheun e mallit dhe rrinë përqafuar. Alma Braja është poete e vargut të veçantë, e stilit të Almës, dhe mendimit të saj të dritësuar.

***

Më në fund!

Të gjesh atë që kurrë nuk ke kërkuar, 
më në fund! 
Të thuash se e tashmja,
ka një shprehje të përshkruajë paqen e shpirtit. 
E të të pëshpërisë në vesh:
“Më në fund!” 
Të marrësh frymë ndryshe,
e të ndiesh atë që përshkruhet vetëm me tri fjalë:
“Më 
në 
fund!” 
Të dijë pastaj vetja,
se asnjëherë nuk do të ketë fund, 
ajo që të bëri të belbëzosh pas pëshpëritjes:
“Më në fund!” 
E të dijë mendja, 
se zgjidhje më të mirë nuk do të gjejë në të ardhmen, 
as në të shkuarën, 
përveç përjetimit të një çasti, 
që i përket së tashmes, 
e që përmes një prekjeje në kohë, 
diti të pohojë:
“Më në fund!”

 

Nga: Safet Hyseni

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s