Poezi nga Elida Rusta

Poezi nga Elida Rusta
***
I vogli jém prej vese,
a mos ke harrue se vijmë prej një bote të dhunshme,
ku asgja nuk ásht e bukur,
veç zogjve të lumtun në qiej t’plagosun.
Rrushi hala nuk ásht pjekë.
Prej kohës së Ezopit
dhelpna t’páknaquna ka,
rrugës e bri mureve.
Ti je i dëshpêruem my love?
Kam ecë në rrugë të vështira,
pak si Ajkunë, pak má shumê si Tamarë,
shkodrane prej Begajve,
lodhun n’trup e n’shpirt.
Ná t’çmendunat e tua flejmë spitaleve
pa mjek, pa shpresë.
M’lén në vuejtjen téme të thellë e delikate,
varun në boshtin e anijes së Rembosë.
Ty burrë i përveçëm
të ka hije trembja.
Trembesh si burrë që s’do lotë,
s’do trishtim,
sall xhelozia s’të ka hije,
të bán të errët si fyt prroni.
Me fjetë me mue dalin boll vullnetarë,
çështje “detyre”.
Ti që mbytesh n’mue je tjetër.
S’të mbesin në fyt yjet as xixëllonjat,
i fut në gjak me zjerm e dritë bashkë.
Ti s’je burrë jo.
Je shpirt!!
Je bosht që m’gjuen jashtë orbite,
ndez e shkim planetin tém si ta dojë qejfi.
Kështjellën e përmbysun
má ngre deri në zemër të tokës.
Me flokë e gjinj në ajër luej hopthi si Rozafë e çlirueme.
Të due u báfsh copë e grimë
u shpërbafsh në mijëra atome mrenda meje,
t’u shkriftë dielli në zemër!
Tuj u márrë n’gji
u shofshim në oqean,
u lagshim deri në palcë.
Tash jam e rritun,
nuk më kapin ethe trupi,
i kam nën kontroll ndjesitë.
Marr formë në trupin tánd,
si uji në enë,
oqean në një kromozom.
Mbetsh gjallë deri në vjeshtë,
me m’márrë në ajër,
e me ndejtë pezull mbi dheun e pistë.
Fëmijë i trembun me gjuhë vullkanike,
drue se n’mue ásht má shumë prej teje se e jémja…
***
Natë…
As zogj, as yje.
S’po rrihet pá ty u djegsh n’zjerm
si krande të thata
mbi dërrasë t’krahnorit tém!
U báfsh hi!
Kam me ta shpërnda hinin ndër yj’
të báhen má t’bukur e t’lindin yje të vogla si sy lulesh.
Unë si në krye të herës,
dhelpën shkretine me shpirt të butë zogjsh,
bijë e gjarpnit e diellit,
mbesë e Shasit ilir,
rosa e vogël e pellgjeve të syve të tu.
Zánë e vogël që kndon e shkon,
me kursye nji tjetër plagë.
Loti yt përvëlues,
duhi,
stuhi,
mot i ashpër zemrash.
Po të puthi e po shkoj.
Të kam këtu në një muze aromash
që m’dalin prej trupit
mbushun epshe t’nënshtrueme
si kuaj të plagosun në një Waterlo të trishtë
refuzimesh e ikjesh të befta.
Ndoshta e pushkatoj veten,
askush s’ka të drejtë me u ngjitë
nëse bjen ti…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s