Poezi nga Agron Tufa
KËNGË PLEQËRISHTE
ç’melodi e fshehtë rrëshket nën lëkurë…!
vasha bëhet grua; djali bëhet burrë;
vala e shtyn valën saktësisht nën urë…
përreth bien rreshje, sikur mbajnë taktin
e gjakut që mplaket. nuk ia kam më vaktin
flakës që djeg tok të njomin me të thatin.
një nevojë a urdhër më shkund hera-herë,
të brof i tromaksur, mos troket në derë
Ajo, që të lë këmbë e duar prerë.
por… i kotë paniku. veç ankthi që mbyt
valë-valë përhapet, shuket lëmsh në fyt;
prore veshcurrekë, duket, më gatit
mos kapem gafil, kuk, në befasi,
por të jem pupël, që pluskon n’ajri
pa iu rëndur kujt, pa më parë njeri.
ç’melodi e fshehtë rrëshket nën lëkurë…
gruaja bëhet plakë, plaku bëhet urë
mbi lumin që shterr.
nuk ka rrjedhur kurrë…