LULISHTARI / Tregim nga Vladimir Muça

LULISHTARI

 

Tregim nga Vladimir Muça

Edhe tani i dalë në pension, lulishtarin e lagjes e kaplon më shumë malli për kopshtin e luleve. Ulet në gjunjë si me fal namazin në këmbësoren e rrugës buzë lulishtes “1Maj” dhe u merr erë luleve të hapërdara mes grumbujve të dherave, vazove të thyera shpirt humbura.
Ashtu, duke u falur me shpirt të djegur, disi i letohet ky shpirt kur i vjen ndërmend urtakja e një eruditi se” bota nuk është a atyre që ngrohen por e atyre që digjen”. I kujtohen ditët e punës në ndërrmarjen e gjelbërimit, kur punonte në këtë lulishte, kur mëkonte me aq dashuri lulet, duke i ushqyer me hajen e durimit. Kujtimet i vinë në këto ditë pleqërie, si ata zogjtë që ikin kur fillojnë shirat dhe na lënë pas hijet e një trishtimi.
Mirësia që ai ka marrë në atë lulishte vite e vite me radhë, shpagon më shumë se sa paraja e bosëve të ndërtimit sot. Në këto përhumbje, lulishtari plak mbyll sytë dhe krijon me dhimbje në shpirt atë kohë kur ishte jo i ngazëllyer por tejet i lumtur.
I lumtur, se dhe me dimrin më të egër në këtë vend të betonizuar, mbi supet e tij, kselofonia e erës së luleve kompozonte pranverën. Tani ai nxjerr dufin e dhimbjeve me zjarrin e shpirtit, me nostalgjinë për ermirën e bukurinë e atyre viteve, ku vinte çdo ditë me kep në dorë, u shkriftonte dheun bimëve e u përkadhelte me duart e kallta kurorat e luleve, duke shpërndarë rreth e rrotull gjithfarë aromash të këndëshme.
Ndonëse nuk e kish mbushur moshën e pensionit, “babai” i luleve, siç e thërrisnin jo vetëm në ndërrmarjen e “Pastrim- Gjelbërimit” por edhe fëmijtë e lagjes në qendër të qytetit, ai u pushua nga puna dhe shkoi në fshatin e tij të lindjes, atje ku akoma lulëzojnë lulesahatet, luleborat e lulekambanat. Shpirti i tij s’jetonte dot pa aromën e luleve.
Thonë se kur vdes një lulekishe, vdes një njeri rrotull pranë saj. Ndaj dhe lulishtari plak e ndjeu vdekjen e tij thellë në shpirt kur buldozerët i groposën lulishten tek “1Maji”. Me këtë dhimbë- vdekje në shpirt, ai migroi në fshatin e origjinës, rrëzë malit, larg dhimbjes për lulet që i jepnin shpirt gjithë qytetit.
Gjunjëzohej para lulekishës në oborrin ku ishte mëkuar me erëmirën e luleve , me aerosolin që kishte thithur për herë të parë. Bisedonte me çdo lule të vendlindjes dhe atje në ato troje të braktisura, ku gjithçka ish kthyer në një murranë, ku ndër gëlasa pullumbash lulekuqja bulonte me ngjyrën e saj të gjaktë.
I shtrirë në zabelin erëmirë, betoni, tullat, hekurat, i fundoseshin thellë shpirtit. E tek thith aromën herbare të aguliçes në zabelin mbi fshat, një dhimbje gurë i del nga shpirti. Herë lehtësohet si lulekambanat nën përkëdheljen e gishtrinjëve të erës, herë gurëzohet si betoni kur derdhet nga betoniera, bëhet statujë e betontë e u ngjan statujave të lashta fjetur 2000 vjet nën truallin e ngurtë, bëhet njësh me këto mure të stërlashta si arkivole të betonta si askurrë në frymën e këtij dheu.
Tani, i çakërrdisur në mendje dhe në shpirt, kur e pyesin kalimtarët se nga është ai e ka harruar qenësinë e tij, nuk di se nga cila galaktikë ka ardhur, nga cili meteor u godit vendi i tij, ku i pikoi pika e djersës dhe pika e lotit?
Cili ishte ai arkivol i plumbtë që po e rropos në këtë vend..!
Kur kalon para bar- restorant “Pranvera”, bisedon me lule dosido, ushqyer me hormone që kanë veç gjashtë muaj jetë, i pyet se nga cili kopësht kanë ardhur, si janë me shëndet, a janë ushqyer mirë me plehun e lopës laramane dhe me humusin e pyllit të Doçeve. Por lulet jetëshkurtra, ashtu të varura me kokën poshtë , heshtin dhe lulishtari plak i thinjur si lulebora, hesht edhe ai.
Sa herë që lakohet mbi ato pak lule të mbetura në lulishten para Postës, nga koha e tij, i kërcasin eshtrat nga dhimbja, dridhet, thua se në trupin e tij ka fillesën një tërmet që do të përmbysë nga themelet këto ndërtesa ngritur mbi një qytetërim të lashtë dhe mbi lulishten e tij, mbi shpirtin lulnajë.
Kalimtarët indiferentë pyesin e qeshin: Kush është ky njeri i marrë..? Ai në botën e tij, në faljen e talkinit veç për lulet falet si me përcjellë një të gjallë në varr. Largohen kureshtarët po aq indiferentë sa inxhinerët ndërtues, urbanisti i Bashkisë, kalojnë tej vitrinave ku gëlojnë lulet e shpifura artificiale e frutat e dyllta, mes kukullave të xhveshura ngjyrash nga rrezet e nxehta të korrikut.
Gurëzohet shpirti i lulishtarit në këmbësoren pranë ndërtimeve në lulishten “1 Maj”. Ai i do lulet këtu në këtë qytet bregdetar, siç i don në fshat lulekishat, lulekambanat, gojëujkun në atë zabelin me dhimbjen e gjaktë.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s