Poezi nga Vaso Papaj
Jam gënjeshtar
Jam gënjeshtar,
Mos u lodhni kot!
Jam gënjeshtar që kur linda,
Nuk ndryshoj dot.
Madje, jo vetëm
Jam mësuar të duartrokas tërë jetën
Atë,
Zonjën e madhe, Gënjeshtrën.
Jam gënjeshtar,
Bëj pjesë në piramidën e saj
(S’ka rëndësi, në bazë a në majë)
Pres medalje të përlaj,
Të bëhem Hero, Nder i kombit, Mjeshtër
Mjeshtër i madh,… i punës, i gunës.
Kam qenë dhe do të jem:
I flamurit të gënjeshtrës, tundës.
Jam gënjeshtar, vërtet
Vendin e çova të kacavaret litarëve, në det
Të mbytet thellësive,
Të ngrijë shtigjeve të dhive,
Të vdesë shpirtin te semaforët,
Të kapërcejë mure ambasadash:
Kope që i kanë varë këmborët.
Të uritur
Dhe me gënjeshtrën e madhe në xhep
Si vendi më i lumtur në planet,
Vetëm medalje nuk i dhashë,
Medaljet i mora për vete,
Me gjithë ç’kishin nga pas.
Jam gënjeshtar
I paparë
Dhe kur të mos jem,
Portretin do t’ma kenë varë
Në muzeun e madh të gënjeshtrës,
Si më i madhi atdhetar.
Jam gënjeshtar,
Vendi im, djepi im!
Vetëm ti do të mbetesh batall,
Me dallgët si gjithmonë përballë.
Medaljet do të kenë mbaruar.
I rrahur, i zhvatur, i mashtruar,…
Deri kur kështu, vallë?…
Të çjerrat
Me vete i mora të çjerrat e tua,
Netëve pafund,
Tek qendisje supin tim në kërkim të mrekullisë.
Si dy shina treni ngjanin
Dhe unë tashmë, një tren i vjetëruar,
Atë kujtim vazhdoj ta tund e shkund
Drejt pafundësisë.
Me krahë dallgësh
Më lindi deti me krahë dallgësh
E qiellit u lëshova.
E ndonëse qielli zjente flakësh,
Durova se durova.
Një ditë ashtu me dhimbje plagësh
Në gjirin tënd u shtrova.
E ti ç’nuk bëre të më ngjallësh,
Ndaj kurrë më s’u largova.
Dhe sytë e tu më pyesnin shpesh,
Përse kaq shumë të doja?
Ndërkaq të mitë ndriçonin flesh
Dhe heshtas sikur thoja:
S’do të rronte gjatë grimë lumturie
Pa patur butësinë tënde.
Pa përqafimin prej hyjnie,
Pa puthjen dhënë me ëndje.