Poezi nga Sokrat Habilaj

Poezi nga Sokrat Habilaj

 

SHËN TI…

Mund të rendja deri në fund të jetës,
Deri sa të të gjeja ty, herët apo vonë.
Se fëmijëve të mi, muret e kujtesës,
Nuk ua lija dot, pa pasur një ikonë.

Si lija dot pa një kult, pa një faltore,
Pa një SHËN TI, që të bënin lutjet.
S’isha unë që të ktheva në shenjtore,
Unë jam muri ku ti mbështet supet.

 

Etyd shiu

Nuk do ta vrisja mendjen për këtë shi,
Ndërsa po pikon mbi qerpikë pemësh.
Po ç’të bëj ty, që s’të tundoi njeri,
Që do dalësh, me shiun do ma dredhësh.

Ashtu e vetme, do humbasësh tutje,
Si ke humbur me mua, sa e sa herë.
Pastaj ti, që dikur më kërkoje puthje,
Atij vagabondi, do i lutesh të bjerë.

Kur bulëzat të të rrëshqasin në mjekër,
Për to, pak e nga pak, do bëhesh grua.
Unë do kuptoj se je me një tjetër,
Po ti, nuk do kujtohesh më për mua.

Shiut do t’i thuash:-Më zhvish!Më zhvish,
Po dhe rrobat e tua do të bëhen ujore.
Puthjet e shiut do ndjesh thellë në mish,
Mos më kundërshto, të njoh në çdo pore!

Po unë, çfarë duhet të bëj, ja më thuaj,
Ndërsa shikoj ty si puthesh gjithë gaz?
Ta dish, si i çartur do nis e të gjuaj,
Pikat e shiut me plumba do t’i vras!

Nëse do mundem që t’i vras të gjitha,
E qielli më pas, s’do hedhë më rrebesh.
Do vij vetë mbi ty, derdhur pika-pika,
Ty në vend të shiut, unë do të zhvesh.

E pra harroje shiun dhe më prit atje,
Më prit dhe beso se, e ndryshoj motin.
Sytë e mi për ty, do t’i mbush me re,
Ma drodhe me shiun!?Harbo me lotin!

 

ASKUSH SI TI

Mjaftoi një muaj, një vit ndoshta,
Që të të thosha pa menduar gjatë.
Unë të kërkova ndryshe nga bota,
Po dhe ti ke trille si të gjitha gratë.

Dhe ti provon sa fustane, aq stile,
Kur ke për të dalë me mua përbri.
Unë s’të bëj asnjë pyetje pa lidhje,
-Kaq e bukur për cilin je bëre ti?

Dhe ti nuk del me mua në një kohë,
-Pritëm një minutë!- thua me ngut.
Kur pas një ore ngjitem që të shoh,
Prapë lutesh:-Të thash një minutë!

Dhe ti i bënë flokët dhe kaçurrelë,
E parfumin që pëlqej unë, u hedhë.
Më pas, në çast ti shpikë një sherr,
Dhe nervat e mia, nisë m’i dredhë.

…Duhet të prisja me vite ndoshta,
Kur frymë të bëheshin trillet e tua.
Vërtet je si gjithë gratë që ka bota,
Po sa ti, nuk më deshi asnjë grua!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s