Poezi nga Suzana Malaj

Poezi nga Suzana Malaj

 

Pa titull

Nuk jam më e njëjta…e ndiej,
nuk jam më e njëjta…
qelizat e mia të gjitha kanë ndërruar,
shprehja e zakonshme nuk do të thotë asgjë
gjinkallat kanë ngordhur në mua,
nuk këndojnë më!
Tani edhe bota më vjen më e plotë me heshtjen
se edhe bota boll ka kënduar!
Ia kam dëgjuar këngën kur vetë belbëzoja
e përbetohesha për botën…
Përse të flas?!
Zëri im vjen nga koha kur nuk pështyhej zjarri
dhe hëna gjuhej me gurë
për të larguar ujqërit…
vjen nga koha kur bëhej be për tokë e për qiell
e betoheshe përmbi gur
atje… tek murana,
kur mbështjellja trupore ishte me flatra…
E sot?!
Pragu i dëgjimit është zhvendosur kilometra të tëra
dua të them se gogolët, kucedrat, lubitë
nuk janë vec përralla!
Përse të flas kur heshtja llamburit
e në dritën e saj shkruaj të gjitha historitë
që asnjëherë nuk i shkrova.
Le të derdhë bota të gjitha lukunitë
se do të flas – kur fjalët
t’i mas me pëllëmbë!
(asgjë nuk peshon më rëndë sesa heshtja)

 

Ndërveprim me kohën

Asnjëherë nuk e hetova mënyrën
për të ndërvepruar me kohën
akuzova qelizat konike…padrejtësisht
i quajta dritëshkurtër!
E mund të kenë qenë ose jo
për këtë nuk jam e sigurt
kurse kohën e quajta – hidër
një hidër përbindësh!
Të ndërkallur e të pakallur
në hapësirën time,
në mendimet e mia,
në qenien time,
ngjyrëhumbur
të shushatur
me njërën kokë të pavdekshme
të frikshme si zogu i natës.
E hidër është – këtë se ndryshoj !
një hidër në rezistencë,
ndonëse nuk kam qenë Herakliu
kam tentuar kryet t’ia pres,
t’ia vjedh
pak të djeshme
pak të sotme
pak të nesërme
pak gjallje e pak vdekje ,
sa për t’i thënë se asgjë e asgjë
nuk mund të jetë krejt e paprekshme.
E tani, pikërisht tani
gjërat kanë nisur të zbardhen
konet e mia pikasin shit-blerjen e kohës
dëshmojnë kontrabandën…
Tregtohet aq lirë sa blihet me thasë
nuk është nevoja të thuash shumë
vetëm – mundem – dhe kaq…
E ashtu – e hutuar – vendosa të blija një ditë
doja të ishte e nesërme
momentin e fundit u tërhoqën qelizat e mia konike
më morën me vete!
Brenda tyre kuptova se e gjatë është drita
ndonëse dritëprerjet
i pashë e i prita…
sa për kohën kam po atë mendje
se është një hidër që mund ta shmangësh
veç kur i bën kokëprerje…
(me flakë, si Herakliu, me flakë}

 

Një fije pa mend

Mendimet e kanë humbur gjallërinë
janë bërë të plogëta, përtace,
lëvizin pak,
flasin pak,
topiten shumë,
agjërojnë, kreshmojnë e gjumë…
Jo domosdoshmërisht gjumë,
gjysmëgjumi a një formë gjumi
dremitje ndoshta apo ngrirje
jo si ngrirje diplomatike
dicka më pak interesante … dicka si fikje,
një lloj ngërci
një lloj mpirje…
Vec një fije mend…një fije
e vogël, fare e vogël
është varur tek retë
në qiell.
O dreq!
Një fije pa mend do të thotë më pak mend…
E përndarë nga tufëza e fijeve
e padeleguar
rebelohet në mua
përgjaket në mua!
E dua e nuk e dua
atë fije pa mend
ndonëse e ndjek e ndonëse më ndjek
ndonëse e prek e ndonëse më prek
më bën të qaj e më bën të qesh!
E marra!
Cfarë pret?!
Cfarë pret?!
Me perspektivë bubullime
në mos më vret – do të më humbë!
A ndoshta, ndoshta do të më shkundë…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s