Edicioni XIII: Xhevahir SPAHIU ( Albania) / Poetë të Takimit Poetik Ndërkombëtar: “Trirema e Poezisë Joniane” – Klubi i Krijuesve Jonianë,  Sarandë, Albania (27 Shtator – 29 Shtator 2019)

Xhevahir SPAHIU, Albania

Xhevahir Spahiu lindi më 1 mars të vitit 1945 në Malind të Skraparit, është shkrimtar i njohur shqiptar.  Studioi në fakultetin histori-filologji, dega gjuhë-letëresi shqipe.

Përvojë pune

 -Gazetar në gazetën “Zëri i popullit”, 1968-1977. -Redaktor në revistën “Nëntori”, 1978-1986.

-Libretist në Teatrin e Operës dhe Baletit, 1989-1993. -Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, 1993-1998. -Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, 1998-2001.-Këshilltar i ministrit në Ministrinë e Kulturës, 2002. -Redaktor në shtëpinë botuese “Mësonjëtorja e Parë”, 2001-2002. -Këshilltar i Jashtëm për Kulturën i Presidentit të Republikës, 2003-2006. – Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë prej vitit 2005

Veprimtari letrare

Libra me poezi: -“Mëngjes sirenash” – 1970, “Vdekje perëndive” – 1977, “Zgjimi i thellësive” – 1979, “Agime shqiptare”-1981, “Nesër jam aty”- 1987, “Heshtje s’ka”- 1989, “Kohë e krisur”- 1991, “Ferrparasja”-1994, “Pezull”- 1996, “Rreziku” – 2001. Përmbledhja e zgjedhur në kolanën “Poezia Shqipe” është botuar më 1990. Përmbledhja e zgjedhur “Udha” I, II, u botua në vitin 2005. “Vetëtimë”, vëllimi më i fundit poetik i Xhevahir Spahiut botuar në vitin 2013.

Në Kosovë kanë dalë tri përmbledhje të zgjedhura poetike: “Epikë” (bashkautor, 1978), “Vdekje perëndive” (1981) dhe “Tek rrënja e fjalëve” (1988).

Libra me poezi për fëmijë: “Ti, qytet i dashur”, (1973), “Zambakët e Mamicës” (1981), “Ekrani i kaltër” (1982), “Kitaristët e vegjël”, (1983), “Kryeartëzat”, (1987), “Dielli i lodrave”, (1990), “Zogj të kaltër”, (përmbledhje e zgjedhur,1999).

Përmbledhje me eseistikë dhe reportazhe letrare: “Dyer dhe zemra të hapura”, (1978), “Bashkëkohësit”, (1980). “Plaku i këngës”, monografi (bashkautor, 2002).

Libra me përkthime nga poezia botërore: “Zemra pa mure”, (1992), “Këtej nuk kalon askush”, (1997), “Përtej meje”, (1999), “Zotit”, (2004).

Në gjini të të tjera letraro-artistike: -Autor i shumë teksteve poetike të këngëve të muzikës së lehtë. -Autor i disa skenarëve të filmave dokumentarë artistikë. -Eseja “Nderim Perliçevit”, botuar në maqedonisht, 2007.

Veprimtari letrare ndërkombëtare

Ka përfaqësuar kulturën dhe poezinë shqipe në Shqipëri, Francë, Itali, Greqi, Holandë, Suedi, Gjermani, Rusi, Rumani, Turqi, Kroaci, Bosnje, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni etj. Në tetor 2011, në Francë u përurua poezia e Xhevahir Spahiut me vëllimin “Lëshoje drerin, Artemidë”.  Këto kohët e fundit po përgatitet për botim një libër tjetër i tij në Francë.

Çmime letrare dhe tituj

Janë me dhjetëra çmimet e fituar në konkurset e ndryshme kombëtare në fushën e gazetarisë, letërsisë, filmit dokumentar, tekstet poetike të këngëve në  festivale etj.

Tituj: Titulli “Qytetar Nderi”, dhënë nga Këshilli Bashkiak, Skrapar 2005. Titulli “Nderi i Frashërit”, dhënë nga Këshilli i Komunës së Frashërit, 2005. Titulli “Nderi i Martaneshit”, dhënë nga komuna e Martaneshit, 2006

Urdhra dhe medalje: -Urdhri “Mjeshtër i Madh”, dhënë nga Presidenti i Republikës, Tiranë 2005; Urdhri “Naim Frashëri” klasi II, 1982, Medalja “Naim Frashëri”, 1972 Medalja e Punës, 1974.

Një vepër që nuk do të vdesë kurrë

Xhevahir Spahiu është shkrimtar i njohur shqiptar, një nga poetët më të spikatur të poezisë shqipe qoftë në idetë dhe mesazhet që mbart, por edhe në një teknikë dhe në ngjyrë të veçantë dhe të pakrahasueshme me poetë të tjerë. Nuk ka botime antologjike, brenda dhe jashtë vendit, ku poezia e tij të mos zërë vend krahas përfaqësuesve më të shquar. Libra dhe pjesë të zgjedhura të krijimtarisë së tij poetike janë botuar në: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, italisht, holandisht, maqedonisht, turqisht, rusisht, greqisht, rumanisht, arabisht, japonisht, kroatisht, hebraisht etj.

 

FJALA…

I thane fjales: tani je e lire
Po fjala s’kish fuqi t’u thosh : nuk më duhet
E ç’më duhet
kur s’ u thashë atëherë kur duhet?
Kam mbetur pa krahë ,
Kam mbetur pa qiell,
Jam jetë pa ëndërr,
Jam ëndërr pa jetë.
I thanë fjalës: je e lirë
Vështirë, tha fjala sa vështirë
Të besosh se je e lirë;
Pasi ke ngrënë rrokjet e tua,
Pasi ke mbetur cung
Dhe liria bëhet burg .
I thanë fjalës: liria jeton.
Fjala ua ktheu :
S’jam si Kostandini që pas vdekjes udhëton
I thanë fjalës: ti je liria
Për ta kuptuar këtë duhet fare pak
Ajo e besoi,
Ajo hapi gojën,
Por në vend të tingujve
Prej saj doli gjak

 

DASHURI E NDALUAR

Lëshoje drerin Artemidë.
Harkoje harkun, shigjetën shigjetoje,
pikën e lotit që shket nga syri i drerit,
nëse të ngushëllon, qëlloje.

Lëshoje drerin Artemidë.
Se dashuria ka uri,
dhe vjeshta, vjeshta e llahtarisur
vë kujen si të jetë në zi.

Shigjeta e nisur kurrë s’kthehet pas
dhe mosha s’është gafore që shkon praptas.
Kllapite e lindjes të tmerrojnë?
Rrëshqit, rrëshqit në sipërfaqen e jetës,
gjahtare e vetvetes.

Mbi kokën tënde rri mbërthyer një çerdhe gjysmë hëne,
nën dritën e saj në kopsht të Luksemburgut,
pëllumbat dashurohen gjersa çmenden.
Lëshoje drerin Artremidë
dhe mos e nis atë shigjetë.

Sorkadhja veshur me të zeza,
kah mot pas blirit pret.

 

O gur i mullirit
Te shtëpia e De Radës

Bluaj e bluaj
500 vjet;

ullinj
dhe të zitë e ullirit;

tani bluan eshtrat e fjalëve plaka,
bluan veten,
o gur i mullirit

 

Kufiri i shpifur

Kjo arë me grurë
E ndarë më dysh:
një vatër diellore atje në Qaf’Morinë.
Ngroh dheun dhe zemrën.
Shkruan fjalë të mbara:
Të ndahet buka,
Pa u ndarë fara!

 

MALI I VETETIMAVE

Gjideti pa peshk,
ullinjtë në zi.
ska sy e ska veshë,
ka vetëm uri.

Në qiejt e shkretuar,
mbi retë bokërrima
një mal i vetmuar
gatuan vetëtima.

 

Poetë të Takimit Poetik Ndërkombëtar “Trirema e Poezisë Joniane”
Klubi i Krijuesve Jonianë,  Sarandë, Albania
27 Shtator – 29 Shtator 2019
Edicioni XIII

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s