Poezi nga Kristaq Turtulli
E njoha vjeshtën
E njoha vjeshtën,
Qysh fëmijë,
Në pyll kur ngjitesha,
Të mblidhja shkarpa,
Të ngrohej babai i sëmurë.
E njoha vjeshtën,
Me ngjyrat luaja,
Mrekullohesha.
Me to pikturoja,
Vajzën që ëndërroja.
E njoha vjeshtën,
Kur buzë gjithë musht putha.
Dhe gjoks si ftua preka.
E njoha vjeshtën,
Magjiken, naziken…
Rrëzëllen si nusja me tela.
Zhvishet shpejt si gratë e reja.
Dhe vesh teshat e trasha,
Të punëve të rënda…
LYPSARI
Në stol dërrase,
Anës lulishtes dhe rrugës së madhe,
Jetonte një njeri.
S’ kish emër, e thërrisnin lypsari.
Çdo mëngjes lahej me bulës vese,
Që lëvizte kah drite.
Era lëkundte degët e shelgjeve.
Krihej me krehrin e rezeve mëngjesore,
Kravatën e ylberit nyje e lidhte.
Stinët ishin mure, ndërsa qielli çati.
Dimri i dërgonte dëborë erë dhe shi.
Mbi qerpikët e ngrirë i qëndron loti.
Pranvera naive s’dëgjonte,
Si lëmoshë një pëllëmbë fllad i hidhte,
Dhe një grusht petale.
Vera me zemërgjerësi e mbështillte e çlodhte.
Me kuvertën e yjeve,
Vjeshta finoke e mbulonte me fletë të arta.
Së bashku pëshpëritnin gjera të harruara,
Në atë stol dërrase me tre ristela.
Në atë stol,
Anës lulishtes dhe rrugës së madhe,
Jetonte një njeri.
Dikush me pendesë një trëndafil vendosi,
A ndoshta e flaku rastësisht aty.
Eh, aty,
Në atë stol të thjeshtë prej dërrase,
Midis lulishtes dhe rrugës së madhe….