Poezi nga Xheladin Çitaku
VELORE PASIONI
Timbron pulsi
drithërima shqetësimi
që zërohen
në tinguj tundues,
valëvitet ledhatimi
në cimbisje të këndshme
e në shijim mjaltues,
si zjarmi prushërimi,
si nektare të lëngëshme
vullkan gulçues
e tufan harbimi.
***
Ngatërrohet mendja
ç`orientueshëm
nga hove përflakjesh,
që ndezë ngarendja,
nxitueshëm,
në vrulle përplasjesh,
mbërthehet hamendja
mashtrueshëm,
në nota gajasjesh.
***
Lundron shikimi
në velore pasioni
përplitshëm,
në përdredhje lazdrimi
nën vello iluzioni
dallgëzohet mahnitshëm
n`oqeane ëndërrimi…
TINGËLLIMË ËNDJESH
Tingujt e shpirtit lozin në kitarë
nota të ëmbla ëndrrash lumturie
përthyhet melodia në ritëm t`paparë
ndjenjat përkëdhelë si puhizë freskie.
***
Tinguj ngazëllimi lozin në serenata
tek parakalojnë poshtë nën dritare
ngjyrat tunduese s`i fshehë dot nata
se vezullim i hënës i kthen në tipare.
***
Tinguj të shtruar shpirtin ledhatojnë
lehtas tek lozin në simfoni t`natyrës
n`racione ngrohtësie brengat sfidojnë
dhuratë i vijëzojnë buzëqeshjen fytyrës.
***
Tinguj partiturash zërohen me ëndje
cimbisin emocionet me hoje ëndërrimi
pushtojnë horizontin me flatra ëndrre
në qiellin e shpirtit tek zbardhë agimi.
***
Tinguj dëshirash lozin në skena t`jetës
shpirtin ushqejnë në shujta shpresash
tek çaste shijojmë, i bëjmë qejfin vetes
në ditët që treten sikur sumbulla vesash.
PAS MESNATE
Natën vonë, si urët në vatër
rrijnë zgjuar disa mendime
lozin skena, si në teatër
akte dramash e inskenime.
***
Pas mesnate, para agimit
kur errësira e mundë dritën
ëndrrat bien në lak tundimit
që me kohë u ka zënë pritën.
***
Përgjatë natës, ndajnatë e tutje
pa zbardhë agu, pa ndritë qielli
lozin hijet n`errësirë, me ngutje
që namatisjet mos t`i shohë dielli.
***
Pas mesnate shkrehet vatra
disa e kthejnë faqoren tjetër
i ka rrëmbyer nata në flatra
i nisë vrullshëm avazit të vjetër.
***
Pas mesnate kur është qetësi
çfarë nuk bëhet në këtë orë
pështirësitë, kjo botë mavri
i përcjellë dorë e nën dorë…