Edicioni XIII: Donato ALTOMARE (Italy) / Poetë të Takimit Poetik Ndërkombëtar: “Trirema e Poezisë Joniane” – Klubi i Krijuesve Jonianë, Sarandë, Albania (27 Shtator – 29 Shtator 2019)

Donato ALTOMARE (Italy)
 
Donato Altomare lindi në Molfeta më 1951 dhe banon aty edhe sot. I diplomuar në inxhinieri qytetare, ushtron profesionin e lirë. I martuar me Loredana Pietrafesan ka tre fëmijë. Tregimtar, eseist, poet, ka botuar gati treqind vepra (poezi, tregime, romane, antologji, sprova, parathënie, recensione etj.) me botues të ndryshëm (Mondadori, Tabula Fati, Solfanelli, Fanucci, Giunti, Fazi, Della Vigna, Delos, Perseo, Elara, Altrimedia e shumë të tjerë) në Itali, po edhe jashtë (Republika Çeke, Sllovaki, Serbi, Finlandë, Ukrainë, Shqipëri, Meksikë etj.). Ka fituar shumë çmime, midis të cilave çmimin e kritikës Ernesto Vegetti (Vexheti) për romanin “Simfoni për perandorin” (bot. Elara, Bolonja, 2010) dy herë Çmimin Urania të Mondadorit me “Mater Maxima” më 2000 (Mondadori, 2001) dhe “Dhurata e Svetit” më 2007 (Mondadori, 2008). Për poezinë ka fituar disa çmime të para në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare. Bën pjesë ndër “Poetët La Vallisa” të Barit.
Tani vonë monologu i tij FIDES është shfaqur në teatër në Molfeta dhe në Xhenova. Ka bashkëpunuar me disa emisione televizive dhe radiofonike. Është intervistuar gjatë një emisioni te RAI Radio 2 dhe ka marrë pjesë në emisionin televiziv të RAI 2 “Qytetet e Xhiros” të 2017-ës.
Mbi të janë mbajtur punime diplome.
Që nga 2013-ta është Kryetar i Ëorld SF Italia, e vetmja shoqatë italiane të veprimtarëve të fantashkencës dhe të fantastikës, e formuar ligjërisht.
 
 
SHPËRNDARËS ËNDRRASH
 
Dhe ne vazhdojmë të flasim për seks,
futboll, politikë,
Të dhurojmë pak pika gjaku
Apo pak euro të tepërta pa pyetur kurrë:
Kush t’i ka vjedhur ëndrrat,
Aamir me sy të mëdhenj
Që pasqyrojnë gërmadha a vdekje,
Kush t’i ka vjedhur ëndrrat,
Burrë i vogël vetëm gjashtëvjeçar,
I rritur tepër shpejt
Në një klinikë – lager rumune?
Megjithatë të pikëllosh a të mundosh,
biri im,
Është një fat i kërkuar (i dashur?)
Nga ata që e quajnë veten burra
Dhe çdo herë që më sheh në sy
Trembem mos më pyet:
Babi, kush ia ka vjedhur ëndrrat
Hiqmetit, Farizit, Ivanit, Jarosllavit?
 
Sonte ti pyet një përrallë,
Do të doja të të flisja për
fëmijë që flenë
Midis bombash, shtëpish të çara, kufomash
Dhe që do të gjejnë urinë në zgjim
Po s’kam guxim
Dehe po të rrëfej për botë të magjepsura
Për mbretër – diva – princesha e funde
të lumtura.
I qetë ti mbyll sytë
Në heshtjen e mbështjellë me lumturi,
Atëherë të lutem, çoji atyre ëndrrat
e tua
Më bëj të ndihem shpërndarës
ëndrrash
Dhe një herë, veç një herë
Bëji që të ndihen të gjithë bijtë e mi,
Edhe nëse u ofroj drogë të egër sepse …
Jam edhe unë hajdut shpresash
Që ëndrrat e mia do të gënjejnë
Dhe për ta, fort i hidhur
Do të vijë sërish agimi.
 
 
 
XIXËLLIMA TË PËRNATSHME
 
A e mban mend ?
Atë rreze hëne
Të gjarpëronte mbi trupin tënd
Të ndriçonte përroska,
Të breronte emocione?
 
Unë të mbaj mënd tek valëzoje
Mbi shqisat e mia të hutuara
Dhe tek m’i njomje sytë
Për ato kurrë të parat
Xixëllima të përnatshme
Dhe frymën time tek bëhej flakë
Dhe heshtjen tënde gulçuese,
Shpërthimet e tua të heshtura,
Orgazmat e mia tronditëse,
Po ti kafshoje deri në fund
Kënaqësinë time mosbesuese
Dhe thërrisje shërbyesen tënde
Të pikturonte në errësirë
Ngjarjen e pabesueshme.
 
Ndërsa unë i befasuar
Vetëm mendoja
Për mrekullinë të të prekja
Ti që ishe e paprekshme
Se ishe tashmë prej hëne.
 
 
 
NË FUNDIN E BOTËS
 
Përsëri mendoja
Sa herë jam gjetur
Në fund të botës,
Në breg të detit
(ç’është vallë në mos fundi i botës?)
Të kujtoja një dashuri të përfunduar
(të kurrëlindur?)
Të meditoje përçart për një
jetë të humbur
Apo në majën e çfarëdo mali
(edhe aty bota merr fund
se nuk ngjitesh dot më lart)
Dhe meditoja: çdo herë bota rilind
Më e egër se kurrë
Dhe e gjejmë prapë veten duke përshkruar
Me hapa fëmije
Rrugë të reja mbase tashmë të shkelura
Vetëm që ta zbulosh veten përballë
Një fundi të ri.
Po do të jetë vallë fundi i gjithçkaje?
Do të jetë kjo shpresë
(të paktën do të mbetet shpresa
që gjithçka të mbarojë më parë a më pas)
Apo do të na shtypë makthi
Që jeta pambarimisht të përsëritet?
 
Do të gjejmë atëherë veten
Mbi brigjet e një deti indiferent
Me sajsën që kreh plazhin
Apo mbi kurrizin e një mali
Që është si trampolinë për qiellin
Që të tregojë jetën e harxhuar
kot të radhës
Dhe të gjithë do të murmurijmë
një lutje të re:
Të lutem, Perëndi, në ekziston
Kushdo qofsh Ti (T e madhe nga droja)
Bëj që gjithçka të mbarojë, ji bujar
Dhe mbi ne mos merr hak
Për përjetësinë tënde të tmerrshme
plot mundim.
 
Solli në shqip Klara Kodra
 
 
 
Poetë të Takimit Poetik Ndërkombëtar “Trirema e Poezisë Joniane”
Klubi i Krijuesve Jonianë, Sarandë, Albania
27 Shtator – 29 Shtator 2019
Edicioni XIII

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s