Edicioni XIII: Loredana PIETRAFESA (Italy) / Poetë të Takimit Poetik Ndërkombëtar: “Trirema e Poezisë Joniane” – Klubi i Krijuesve Jonianë, Sarandë, Albania (27 Shtator – 29 Shtator 2019)

Loredana PIETRAFESA (Italy)
 
Loredana Pietrafesa me origjinë lukane jeton në Molfeta. Është mësuese e shkollës së mesme, pianiste dhe klavicembaliste. Të shumta janë parathëniet e saj për tekste poezie dhe proze tregimtare ashtu si janë të shumta pjesëmarrjet e saj në promovime publike në rolin e autores apo të kritikes letrare.
Ka botuar nëntë vëllime poezie: Lëvore (bot. Il Salice, 1989), Prita dhe funde (bot. La Vallisa, 1991), Në skaj të një droçke gjërash (bot. La Vallisa, 1993), Veçni zvuci (Tinguj të përjetshëm) (bot. Krovori Sveta, 1994), Unë që jam prej hëne (bot. La Vallisa, 1998), Po ekzistoi një qiell (Ernes Editrice, 2004), Ne smeo me volio (S’duhet të më dashurosh) (bot. Apostrof, 2007), Përtej bovës së fundit (Besa Editrice, 2007), Si lule në shi (25 javë), (bot. Tabula Fati, 2014, fituese më 2017 të Botimit të Pestë të Çmimit të Botimeve abruceze, seksioni i Poezisë. Ka botuar gjithashtu tregime, përralla, romanet Mëllenjës që këndon mbi shtëpinë e fundit të Kleos(Ermes Editrice 2004), Gruaja e dytë (bot. Della Vigna, 2010) dhe Një madrigal për të vdekur (bot. Tabula Fati, 2015, fitues i Çmimit Italia 2016 si romani më i mirë fantastik me autor italian dhe përmbledhjen e tregimeve Përtej hekurudhës (botime Tabula Fati, 2012, fituese më 2013 të Botimit të Parë të Çmimit për botimet abruceze, seksioni i prozës tregimtare). Është përkthyer në serbisht, shqip, maqedonisht, sllovenisht, polonisht dhe spanjisht dhe ka marrë pjesë më 1994 në mitingun e 31-të Ndërkombëtar të letërsisë në Beograd.
 
 
 
FAQJA TJETËR E HËNËS
 
Të përgjërohem, mos ma zbulo
Faqen tjetër të hënës
Ku oqeane të reja
Të trazuar nga shqetësimi
S’e tregojnë kurrë fundin.
Bëj si unë,
Harroje dhimbjen,
Mbyte në atë det
Qetësie të stërqetë
Ku pikëllimi
Dalëngadalë rrëshqet
Dhe mjegull, jo mëri
Thithet si ajër për rreth.
Bëj si unë,
Harroje dhimbjen,
Harroji ato liqene
Gjumi dhe vdekjeje,
Lëre gjithë të ftohtit
Në skajet e qiellit
Të një vjeshte të avullt,
Të një shiu të heshtur
Fillikatja u fishk,
Po limonët lulëzojnë
Gjatë kësaj rruge
Që shkon drejt mbrëmjes.
Fekondojnë udhëtimin.
Me nektar e me zëra,
Pikëzojnë ajrin
Me flokë të dridhshëm.
Lugina është një kopsht,
Ka aq dhëmshuri,
Në shpirt fusha,
Hapësira, lirishta.
Shtrati është ende i ngrohtë
Nga trupi yt, era jote.
Unë po të sjell dhuratë
Shishka me ballsam.
 
 
 
MBI UDHËN E KTHIMIT
 
Natë që shtrihesh
Mbi udhën e kthimit,
Si det me errësirë
Ma gëlltit vrapin tim.
Më ndjekin dy fenerë
Nën flatrat e tua të zeza,
Sy të verdhë macesh
Të ngulur mbi prenë.
Notat e një blu-zi
Më çjerrin shpirtin,
Trishtimi përgjon,
Asgjë s’më ngushëllon.
Krahët e tu janë të gjatë,
Natë që më bën magji,
Hijet di t’i ngatërrosh,
Di vështrimin të gënjesh.
Më zbulo të fshehtën
E botëve që fsheh,
Hapmë një kalim
Përtej kësaj rruge të zezë.
Zemra rreh me ritmin e
Bluz-eve përherë më të trishtë,
Sytë e verdhë prej macesh
Këmbëngulin të më plagosin,
Po ti hesht, natë,
Dhe trishtimi është këtu,
Ulur pranë meje,
Është brenda rrobave të mia,
Është në bukën që hëngra,
Është në fjalët e hidhura
Që më pëshpërit ngadalë
Ndërsa asgjë s’më ngushëllon.
 
 
 
KURRË S’ËSHTË E VËRTETË DRITA
 
Më shtërngon mëngjesi
Në dredhat e veta,
Gjilpëra drite
Më shpojnë sytë.
Të prek një faqe,
Ndërsa të braktis,
Të puth dorën
Që kërkon krahun tim.
Po e përshëndes rrugën
Përherë më të gjatë
Dhe lisin e heshtur
Në skaj të udhëkryqit.
Përshëndes ullinjtë
Dhe fshatarin kockëmadh,
Përshëndes korbin e zi
Që krokat përmbi mollë.
Përshëndes qytetin,
Gjindjen e tij të panjohur,
Shtëpitë, dritaret,
Lehet e fishkura.
Kurrë s’është e vërtetë drita
Që zbardhëllon e pacipë,
Kurrë s’është e vërtetë drita ime,
Asgjë kurrë s’është ndryshe.
Ka gjithnjë një trishtim
I djallëzuar e pervers
Në mëngjeset e sëmura
Që përshkoj me sy mbyllur.
 
 
 
NË ËNDËRR, PËRSËRI
 
S’e di më sa kohë
Më ndan prej teje,
Dritë të pafund,
Net
E vite të gjata,
Po di ku të të gjej,
Di ku të të takoj.
Në ëndërr, përsëri
Ti kthehesh tek unë,
Unë kthehem tek ti.
I shoh sytë e tu
Të zes – zjarr që më ndezin,
I prek duart e tua
Që ma prekin fytyrën.
Një shi i lehtë
Ma spërkat me përkëdhelje,
Në sfond kulla eolike
Si kryq të një kalvari.
Një mjegull fine
E vagëllon ca kujtimin
Dhe njerëz të panjohur
Shohin gjetkë, larg.
Numëroj insekte të ngordhur
Të shtypur në dritare,
Po një aromë bredhash
Rrugën ma tregon.
Në ëndërr përsëri,
Trupin të shtërngoj tani.
Ti e përsërit lamtumirën,
Unë përsëris emrin tënd.
Ti, i veshur me të bardha,
Unë, e veshur me lot.
 
Përktheu: Prof. Dr. Klara Kodra
 
 
 
Poetë të Takimit Poetik Ndërkombëtar “Trirema e Poezisë Joniane”
Klubi i Krijuesve Jonianë, Sarandë, Albania
27 Shtator – 29 Shtator 2019
Edicioni XIII

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s