Poezi nga Lumo Kolleshi

Posted on October 6, 2019

0


Poezi nga Lumo Kolleshi
 
 
VETMI
 
Ditë e dielë dhe shtëpia i kërkoka ca gjëra:
Një fshesë, fjala vjen, brenda dhe jashtë,
një leckë për pluhurat, nëper qoshe cergat,
tapeti për t’ u shkundur kërkon diçka më gjatë.
 
Lavatriçja pret si një zonjë e rëndë
dhe s’ plotërohet e tëra me rrobat e mia,
kërkoj në garderobë rrobat që ti ke lenë
e prapë nuk e mbushka të gjithën vetmia.
 
 
 
***
 
Mësoja ca fjalë të mençura heshtjes,
do t’ i duhen një ditë,
kur injorancës t’ ia kenë prerë gjuhën.
 
 
 
MIZASKENË PËR TEATËR ABSURD
 
Pranoi ta bënin qen
Duke i hedhur përditë nga një kockë.
Në një kovaçanë të vjetër
Porositën ca hallka për zinxhir
Dhe e lidhën para një pasqyre.
Urdhër i dhanë për të lehur.
Nuk kishte kuisje më të përvajshme,
Njeriu brenda tij kishte vdekur.
 
 
 
CA SY
 
Pas hieroglifesh
i kam lexuar ca sy,
ca sy që kurrë nuk më panë drejt në sy,
ca sy që binin vetëm mbi këpucë.
Një shprehje
aty për aty,
nuk e mbajtën dot dhëmbët:
“Nga sytë këmbët.”
Posted in: POEZI