TAJFUNI, APO SHTETI?! / Poemth nga Miltiadh Davidhi

Posted on October 6, 2019

0


Poemth nga Miltiadh Davidhi

 

TAJFUNI, APO SHTETI?!

Tajfun në qiell, tajfun mbi tokë,
Tajfun mbi mua,
Mbi këtë perlë plot me miq e me shokë,
E mbi shpirtin tim të qelqtë,
Tajfun në bregdet,
Tajfun që s’të përkëdhel,
Por, të vret,
Ndërsa po shëtisja mes pishave
E mendoja për ty,
Si të kënaqja ardhjen tënde,
Të nesërmen tonë,
Tek ecja i qetë.
***
I kisha parë në Florida, në Teksas,
Tajfunet kuçedra,
Që hanin njerëz,
Ndërtesa, automjete, qiej e dete,
Por, jo në Divjakë,
Por, jo mbi mua, mbi zemrën time,
E mbi dallgët e detit tim,
Që të shfrynte me aq tërbim,
E të shkatrronte gjithçka
Me aq shumë flakë e zëmrim!
***
Dhe erdhi kaq i frikshëm,
Dhe erdhi kaq me rrëmbim,
Si një rrebesh që s’pret,
Si një i egër pushtet,
Si një vetëtimë në qiell të thatë,
E unë vrapova në dhomën,
Që për pak
M’u kthye në arkivol, atë natë.
***
Syri im ishte kaq i lumtur atë mbrëmje,
Mes pyllit të ëndrrave tek shëtisja
Me fytyrën tënde në mëndje,
Që në zemër si fidane e vadisja.
Por, falënderoj pa fund çastin,
Që atë natë isha pa ty,
Se unë arrita të shpëtoja,
Por, si dihej, se çdo të ndodhte
Po të ishim të dy.
***
Kisha ardhur nga larg, nga Modena,
Duke kaluar fusha, male, për pak det,
Diell, e rërë,
Për pak ajër, jod, e mall,
Në tokën e në vëndin tonë,
Në të shtrenjtin vatan,
Që n’ëndërr e shikoja në kurbet,
E zemra si një zok
Atje, herë më këndon,
E herë më qan.
***
Por, përbindëshi nisi të shkulte
E rrëzonte pishat, shtyllat elektrike,
Të prishte ndërtesat,
Si të ishin lodra prej kartoni,
E i flakte
Mbi trupin e shpirtin tim,
Me uturima si të ishin bomba,
Ku deri në qiell
Shkonte jehona,
Që gjakun të ngrinte pa pushim.
***
Një pishë gjigande
Rrënjëshkulur si një bishë rënkoi,
E dyta tundi ndërtesat si të ishte tërmet,
Dhe kur mendova se shpëtova
Tavanin e gabinës shkatërroi një e tretë,
E ftohtë si një bollë gjigande
Më erdhi,
E mbi kokë befas më ndaloi,
Dhe për pak më gëlltiti, e më kafshoi.
***
Ishte fat, apo rastësi,
Kjo që shpëtova për mrekulli
Nga këto pisha të plakura,
Që mezi mbanin peshën e vet,
E të deformuara,
Që duhet të ishin prerë me kohë,
Nga kjo indiferencë me rrogë,
Nga ky pushtet,
Që nga mosfunksionimi të vret?
***
Apo, ishte dora e butë e nënës, e babait,
E prindërve të mi të ndjerë
Që kujdeseshin nga qielli,
Si përherë
Kur ishin gjallë?
Kush më shpëtoi, vallë?!
***
Ajo që gjithë jetën
Kisha bërë mirë?
Se, në fakt, s’kam zemër të bëj keq
Në këtë botë të pa mbrojtur ku jetoj,
E mundohem diçka të ndreq,
Apo, Zoti im që më njeh mirë
Më erdhi në ndihmë?!
***
Ndjeva mbi kokë diçka të ngrohtë,
Me baltë e me hala pishe,
Si të ma kishin sjellë me porosi zogjtë
Të bënin fole në kokën time,
E zemra qëndroi e fortë,
Qëndroi trime,
Në gjithë këtë tmerr,
Në gjithë këtë lebeti,
Kur tajfuni më vërtitej në dhomë
Me erë të fortë,
E me një lumë me shi.
***
As derë, e as dritare
S’mund të hapja dot,
I kishte bllokuar pisha e bisha,
E muret me duar
I gjuaja më kot,
S’më përgjigjeshin, ishin shurdhuar,
E unë mundohesha,
E lodhesha me dhimbjen
Që pikonte lot,
I lagur deri në palcë, e i shokuar.
***
Për 45 minuta me vdekjen mbi kokë
I murosur në dhomë së gjalli,
I vetëm e pa një shokë
Për ndihmë,
Luftonin për shpëtim
Shpirti,
E trupi im.
***
Dhe sërish rri e mendohem,
Se kush më shpëtoi,
Telefonata që i bëra qiellit,
Zogjve, njerëzve,
Ti e bukura ime
Me zemrën që të qante në lëngim,
Apo, urimi me gjithë shpirt
I një plaku të mjerë,
Që i falja diçka, thuajse, çdo ditë?!

***
Mbase të gjitha këto,
Por ishte dhe një komshi i mirë,
Që kishte ardhur për pushime,
Një punëtor i thjeshtë,
E me zëmër të madhe,
Gëzim Çekrezi nga Prrenjasi,

Që mposhti tufanin, erën, shiun,
E shqeu derën
Me një bllok betoni,
Dhe më kapi dorën që më dridhej
Nga fijet nervore,
Si të ishin tela të këputura telefoni.
***
Mora frymë i lirë
Pranë këtij njeriu të mirë,
E të nderuar,
Me disa pika shiu,
Që më binin përmbi kokë
E më kujtonin,
Se kisha shpëtuar.
***
Si preha gjahtarin
E pa shpirtë,
Nisa të shikoja tajfunin që ikte…
Një përbindësh me vetëtima
Zjarresh mbuluar,
Që kishte nxjerrë mbi ne
Inatin e vet,
E nga kjo perlë e bukur,
Largohej duke gjëmuar,
I qetë e triumfator
Si të qe mbret plot pushtet,
Duke u fshehur me kokën ndër qiej,
E këmbët nëpër det.
***
Dhe vija nga larg,
Me një qiell malli nga kurbeti,
Por, ende se kam të qartë,
Se kush desh më vrau,
Tajfuni, apo shteti?!

Dt. 04. 09. 2017. Çermë.

 

Posted in: POEZI