Edicioni XIII: Agim MATO (Albania) / Poetë të Takimit Poetik Ndërkombëtar: “Trirema e Poezisë Joniane” – Klubi i Krijuesve Jonianë, Sarandë, Albania (27 Shtator – 29 Shtator 2019)

Agim MATO (Albania)

U lind në Sarandë më 1947, ku jeton edh sot. Në vitin 1969 boton vëllimin e parë me poezi “Jug” dhe në vitin 1974 vëllimin “Në pragun e shtëpive tona”, ku edhe i hiqet e drejta e botimit për shkak të luftës së klasave, e drejtë kjo, që iu dha vetëm në prag të shembjes së regjimit totalitar, kur boton edhe vëllimin e tretë “Buka e fjalëve”. Pas viti 1990 iu kushtua tërësisht punës për ngritjen e një shtypshkronje dhe shtëpisë botuese “Milosao”. Ka rinisur pas 30 vjetësh debutimin në poëzi dhe brenda vitit 2012 nxjerr nga shtypi përmbledhjet “Jashtë eklipsit” dhe “Fundo”. Në vitin 2014 botohet vëllimi “Lundrimet”, që pasohet nga vëllimi “Pluhuri i artë i përjetësive”. Botohet në Athinë përmbledhja “Kopshtet e kujtesës” më 2007, në Prishtinë botohet antologjia “Shkretëtirë harrimi” (2019) dhe botohet në italisht përmbledhja “Kopshtet e kujtesës”, pa lënë mënjanë ciklet e botuara në revista të ndryshme letrare. Me dhjetra janë shkrimet vlerësuese për krijimtarinë e tij, që nxitën Presidentin e Republikës Bujar Nishani t’i japë titullin “Mjeshtër i Madh”.

 

FAR I VETMUAR NË JUG

I vetmuar jam në jug,
far i plakur mbi shkëmb,
i nxirrosur dhe i gërryer nga rrotullimi i galaktikave,
i përrmjerë nga yjet, i pëgërë nga glasa hënore.

I vetmuar e i harruar nga anijet që prej kohësh kanë
ndërruar iteneraret.

Vetmitar, me llampën e fikur
mbi humnerën e frikshme të detit,
duke ndjerë vetëm ca regëtima sinjalesh të largëta që
ua kam harruar kuptimin.

Dritështerur e i verbuar jam përballë perëndive.

Fat më të mirë kish Prometeu
kur i dërgonin Hermesin
t’i ndërronte gozhdët atje lart mbi shkëmbinjtë e Kaukazit.

Të paktën këmbente dy llafe.
Merrte vesh ç’bëhej atje poshtë.

Po këtu ku jam, mbi këtë shkëmb të humbur
mes rrëmetit të dallgëve,
askush nuk vjen si më parë të sjellë gazin acetilen,
të pastrojë llampën dhe ndezë sërish flakën e shpirtit!

I vetmuar jam në jug,
i fshirë nga regjistri i hartave të detit.

 

ERDHE VONË, HYJNIA IME

Erdhe vonë, hyjnia ime. Nga pritja e gjatë
kaq herë e modelova shtatoren tënde.

Që në fëmijëri, gërvishtja në kujtesë
skena primitive
si në skenat e gjuetisë
në artin prehistorik të shpellave.

Kur m’u forcuan kërcinjëtë
fillova të shkelja këmbësbathur
si një eremit nëpër gjiret e fshehta të detit
dhe të prisja të vije si një Afërditë e ngjizur nga dallhët.

Ishe e fshehur për çdo gjallesë
që këlthiste në vijën e largët të horizontit,
pas çdo sinjali që më jepte një yll që binte,
pas çdo dritare që hapej.

Çdo shtjellë ere
më mbështillej si përqafimi yt i padukshëm
dhe Ylli i Jugut më bënte roje netëve
se mos
shkalloja.

Atëherë, me një furçë më vunë të zografisja
muret e zvetënuara të një epoke. Kisha frikë
ta thoshja emrin tënd. Zbrisja në Butrint dhe fshehurazi,
dilja të të prisja në portën Skea
nga patën hyrë dikur udhëtarët homerikë.

Ulesha në shkallaret e teatrit të lashtë
se mos kapja rastësisht jehonën e zërit tënd
në mes të ofshamave të tragjedive.

Shtrihesha në qelat nëntokësore të dyzet shënjëtorëve,
larg të tjerëve, të lëpija plagët që më shkaktonte pritja jote.

Erdhe vonë, hyjnia ime dhe mu desh kaq herë
të të modeloja, si në një studio ADN-je
dhe mu desh kaq herë të urtësoja zjarrminë
që më kaplonte.

Erdhe e rrethuar me një luzmë drite atëherë kur bëhesha
gati të fikja shpresat,
dhe si një amazonë e rreptë më ringjalle,
me shoqërueset e tua të përjetshme:
poezinë në një krah dhe dashurinë në anën tjetër.

 

Poetë të Takimit Poetik Ndërkombëtar “Trirema e Poezisë Joniane”
Klubi i Krijuesve Jonianë, Sarandë, Albania
27 Shtator – 29 Shtator 2019
Edicioni XIII

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s