EKZISTENCA E RRËNJËVE TE POEZITË E DASHAMIR MALOS ( “Verë dhe poezi” ishte mbrëmja poetike me vargjet e poetit Dashamir Malo në një rikthim emocional në vendlindjen e tij, Përmetin, në Tetorin e Letërsisë. Ky shkrim është bërë enkas për këtë takim) / Nga: Dr. Irena Gjoni

EKZISTENCA E RRËNJËVE TE POEZITË E DASHAMIR MALOS

“Verë dhe poezi” ishte mbrëmja poetike me vargjet e poetit Dashamir Malo në një rikthim emocional në vendlindjen e tij, Përmetin, në Tetorin e Letërsisë. Ky shkrim është bërë enkas për këtë takim.

 

Nga: Dr. Irena Gjoni

Poeti dhe vendlindja

Mes poetit e vendlindjes janë mijëra fije të dukshme e të padukshme, të ndërgjegjshme e të pandërgjegjshme, në afërsi apo në distanca mijëra kilometrash drite, që i mbajnë të lidhura fort e kurrë të pazgjidhshme, pavarësisht kohës që ikën. Pikërisht, këtë lidhje të pazhbëshme poet – vendlindje, tregon edhe ky takim i sotëm për poezitë e mikut tonë të mirë, i hijeshuar me  ndjeshmërinë e tharmin poetik, kontravers e rrebel Dashamir Malo, këtu në Përmetin e tij.

Prania jonë sonte këtu nuk është vetëm për të treguar prezencën e miqve në jetën e tij këtej e përtej Vjosës (çka nuk ka nevojë për konfirmim), por një mënyrë e mirë për të dëshmuar se poezia e Malos në vite, ka rrugëtuar me hapa të sigurt në ngjitje, ka krijuar lexuesin e saj, një lexues potencial i cili e çmon, e shijon dhe e vlerëson në gjithë përmasën e saj përmes botimeve të vëllimeve: Midis vetmisë dhe heshtjes (1996), Precedent (2001), Fshehja e lotit (2007), Ndoshta (2012), Vagëllimthi (2014). Apo sensin e tij artistik në përkthimin e dy librave: Poezi të zgjedhura (2005) dhe Vallja e çmendur e Merlin Monrosë (2006).

Ndaj mendoj se Atdheu i vërtetë i një poeti si Dashamir Malo, është poezia. Për këtë arsye dhe unë do të përpiqem të ravijëzoj disa tipare thelbësore të poezisë së tij në këtë shkrim.

Ekzistenca e rrënjëve te poezitë e Dashamir Malos 

Brenda poezisë së tij gjendet si vendlindja që i dha duhmën, frymën e saj shpirtërore si një forcë për t’u ndjerë i sigurt në çdo portë vargu; si thellësitë jonike të detit që gjeti në vitet e mëvonshme duke reflektuar misterin e thellë e të pazbuluar të së ardhmes; ashtu edhe ndjeshmëria e tij individuale, çka na bën përmes vargjeve për të parë aty ku nuk shihet, për të ndier aty ku nuk ndihet, për të krijuar asociacione idesh, aromash, ndjesish, aty ku nuk mund ta rrokë dot logjika njerëzore. Sepse siç thotë Borhesi, të gjitha vargjet janë fragmente të një poeme të madhe. Çka tregon për një unitet të brendshëm mes të gjitha poezive të Dashamir Malos dhe atë fillin e unit lirik që lëviz lirshëm në secilën prej tyre.

Ekzistenca e rrënjëve te poezitë e Dashamir Malos, shfaqet te figurat personale të tij, të cilat bartin shenjat e jetës. Secili titull e përcakton këtë duke vënë në spikamë dhe duke u shndërruar në referenciale. Tataja, një emërtim dialektor, intim për gjyshen. Po kaq intime shfaqet edhe brenga e ikjes për të apo raportet me vdekjen: Tataja vendosi të ikte një mëngjes shtatori/ pa bujë/ në heshtje- shprehet poeti. Ajo përfaqëson jetën dhe fundin e rrëfimit për jetën, kujtesën dhe heshtjen, ajo që vendos edhe kur do të ikij. Në varrin e tim eti është një tjetër poezi e figurave personale, ku dashuria shpërfaqet përmes mallit te vargjet: Kohë që nuk kam shkuar,/ veç ja,/ stinët e mallëngjyera,/ çdo mëngjes shtrojnë/ atyre bregoreve, brymën e bardhë të mallit tim. Për të vijuar me poezinë Nënës: Iku,/ iku pa kthim/ që mua mos të më mungojnë kurrë këngët e dhimbjes. Apo: Iku beftësisht./ Në pikun e lulëzimit të pranverës iku!/ Në çast,/ gjelbëruan bisqet e brishta të dhimbjes sime. Një ikje, por me prezencë tronditëse brenda shpirtit të poetit, gati baladeske përmes ekzistencës së gjërave më të qenësishme, çka përbëjnë esencën e mospranimit përfundimtar të ikjes.

Fëmijëria e mallëngjyer duke vrapuar bashkë me vëllain vjen te poezia Helmeta e vjetër, të cilën e tërhiqnin zvarrë mes rrapullimave në rrugët pa emër. Një gjetje poetike e jashtëzakonshme për të ndërtuar subjektin lirik te kjo poezi, ku gjyshja në helmetën e vjetër të kthyer kokëposhtë mbolli farat e karafilave të bardhë.dhe shumë vonë, ai fëmija i dikurshëm do të kuptonte domethënien e këtij gjesti.

Poeti i bart me vete rrënjët e tij, përmes çdo frymëmarrjeje, ndaj vargjet e tij shndërrohen si kumte të kujtesës, me madhështinë e thjeshtësisë së tyre. Dhe pjesë të  vazhdimësisë së figurave personale, si degë e harlisur e ushqyer prej rrënjëve të tij të Amave të Jetës, poeti konsideron edhe veten: Për Kërshëndella/ te kjo kishëzë këtu në këtë kodër do të vij./ Do të vij, jo për t’u falur, as për t’u lutur./ Do të vij atëherë,/ Kur të më ketë mbetur edhe aq rrugë drejt fundit/ sa të mos kem më mundësi të kthehem prapa.

Disa veçori të gjetjeve poetike, të figurës e strukturës te poezia e Dashamir Malos 

Studiuesi Minella Gjoni në një shkrim studimor për poezinë e Dashamir Malos, të përfshirë në librin Fjalë zemre, shkruan: Ndër prurjet kryesore të Dashamir Malos përmendim modernizimin e figurës letrare, kontrastin e tonaliteteve, i cili sjell kalimin e beftë nga njëri regjistër i gjuhës në tjetrin, thyerjet sintaksore, plasticitetin e vargut. Sistemi poetik i Dashamir Malos, është i ndërtuar mbi bazën e metaforave të goditura që vijnë përmes gjetjeve poetike dhe përpunimit mjeshtëror të saj, – përfundon Gjoni

Tek poezitë e Malos shfaqen  në mënyrë të mrekullueshme mprehtësia e një vëzhguesi deri në imtësi, me fantazinë dhe intuitën e poetit. Ka një tendencë për t’i përsosur këto dhunti dhe ato shërbejnë si themele të përtëritjes së vazhdueshme të krijimit të tij.

Shpesh duket se poezitë e Dashamir Malos reflektojnë që janë produkt dhe e gjejnë frymëzimin tek emocioni i çastit që lind vetiu, ndaj poezitë e tij dallohen për konkretësi, natyrshmëri, për imazhe të gjalla, për prezencën e subjekteve poetike që lëvrijnë nëpër personazhe e mjedise të njohura, por që verbi poetik i Malos i identifikon e i shndërron në universalë. Disa tituj poezish në këtë konteks përmendim: Saranda, Ti dhe Kitara, Shtegëtimi i fundit i peshkatarit plak, Se si i ikim kështu njëri – tjetrit, sesi i ikim, apo Fare thjesht etj.. Bashkë me këto elemente thellohet edhe karakteri meditues, duke përftuar gjerësi në mendim dhe kthjelltësi. Në shumë poezi poeti mbetet eliptik dhe është sa një gjetje e tij, sa një element që e karakterizon.

Kur figura është e mbështetur në mit, atëherë ka karakter identifikimi. Synon të identifikohet me subjektin lirik, ose me objektin poetik. Këtu përmend Araknenë dhe Shumë burra kaluan prej shtratit të Penelopës. Të dyja të ndërtuara mbi simbolikën e gatshme të dy figurave mitike të Antikitetit, Araknesë dhe Penelopës. E megjithatë, ato, falë gjetjeve të veçanta poetike të poetit, nuk u kanë qëndruar besnike deri në fund mitit tradicional, por i shohim të devijuara, madje dhe të përmbysura. Penelopën besnike që thur e shthur pëlhurën, këtu poeti na e shfaq si një femër që për çdo natë (në pesëdhjetë netë), provon nga një mëtonjës në shtrat,     e fshehur nën lëkurën e skllaves së vet Myrto, e cila i kishte joshur ditën. Penelopa provonte secilin burrë në dashuri, për të zgjedhur atë të duhurin, sepse burrat provohen si të tillë, në luftë e dashuri, – shprehet poeti.

Dashamir Malo merr e gërsheton elemente prej çdo gjinie letrare të cilat mnd të funksionojnë pa sforcime, në mënyrë të natyrshme brenda strukturës së poezisë. Nga veprat narrative merr rrëfimin, por edhe figurën. Nga drama merr personazhet, dramacitetin. Dhe këto i mvesh me lirizmin e theksuar dhe verbin e përzgjedhur poetik. Mjafton të lexojmë poezinë Fare thjesht, ku gjithçka më sipër gërshetohet më së miri: Si një i ftuari ynë i veçantë/ nga Athina e largët vinte Jorgo poeti/ ishte pragdimri i vitit 2005/ dhe si për ters qëlloi/ energji elektrike mos të kishte atë natë në qytet. Dhoma përballë detit, ndriçohej nga një qiri dhe nga hëna. Sikletin dhe stepjen e poetit mikpritës e thyen bujtësi me fjalët e tij: E ç’duhet më tepër për poetin/ kur ka qiririn/ hënën dhe detin!

Çdo send ka fshehtësinë e vet. Poezia është fshehtësia e çdo sendi – thotë Lorka. Dhe pikërisht këtë fshehtësi dhe këtë befasi, sidomos në këto poezi ku i hasim të gjitha format letrare, poeti Dashamir  Malo na i shfaq kryesisht me vargjet e fundit, duke e lënë edhe lexuesin të befasuar e si në një shook të shijimit të asaj që nuk e priste, por që e adhuron në çast.

Pra poezia e Dashamir Malos, vjen pa bujë e zhurmë, por me sharmin, finesën, ndjeshmërinë, bukurinë e përkorë të vargut që le gjurmë te çdo lexues që di ta shijojë poezinë, ashtu si shijuesit e vërtetë të verës së mirë dinë ta ndiejnë aromën dehëse të saj deri në pikën e fundit, në kërkim të imagjinatës për vargun tjetër që ende nuk ka ardhur, por e ndjen se do të jetë akoma më dehës shpirtëror…

 Përmet, 12 tetor 2019  

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s