Mbi disa veçori të stilit narrative të Vaso Papajt (Shënime për vëllimin e tretë të “Gongël” të trilogjisë “Dritë në Humbëtirë” SHB Millenium Durrës 2019) / Nga: Fatmir Minguli

Mbi disa veçori të stilit narrative të Vaso Papajt
(Shënime për vëllimin e tretë të “Gongël” të trilogjisë “Dritë në Humbëtirë” SHB Millenium Durrës 2019)
Duke mos anashkaluar dy pjesët e para të trilogjisë “Dritë në Humbëtirë”, do të theksoja se pjesa e tretë e titulluar “Gongël”, është e ndriçuar ndryshe. Kjo pjesë e tretë ka magjinë e tërheqjes së menjëherëshme dhe e zhyt lexuesin në një botë të brëndëshme dhe njëkohësisht të jashtme të heroit të romanit, Patrit.
Vaso Papaj me këtë roman jep njëkohësisht dy subjekte që ecin paralel me njëri-tjetrin. Subjekti i parë është Patri dhe bota e tij dhe subjekti i dytë është bota ku jeton Patri. Merita e autorit është intersektimi racional i këtyre dy subjekteve.
Kjo është edhë vetia e parë e stilit narrative të romanit. Nuk është e lehtë që këta dy kuaj narrativë të tërheqin karrocën e absurdit shqiptar që kishte mbirë kudo si fara e gremit.
Duke dhënë galerinë e personazheve, Patri pikturon portretet e tyre, si pjestarë të botës së jashtme ku ai jeton. Vetëm drejtorit, çuditërisht ai nuk i bën portret. Ndërkohë ai na jep një roman me copëza jete të shkëputura por të lidhura me fije të padukshme midis tyre, si arterie të një trupi të tillë që romanit i japin statusin e një qenieje integruese.
Vaso Papaj është besnik i lojës së tij psikologjike, i vizatimit të karaktereve, i përshkrimit në detaje të jetës dhe të mjedisit e të veshura të gjitha këto me frikën që qëndronte si një mjegull e padukshme për disa por tepër e dukshme për Patrin dhe familjen e tij. Ishte frika që pomponte për ditë pushteti politik i asaj kohe.
Kësisojë, romani “Gongël” kthehet në një dokument të kohës që kaloi po që gjurmët e së cilës kanë hequr koren e harresës dhe janë bërë të dukshme.
Ndërtimi narrativ i romanit “Gongël” bazohet në dy aspekte.: Atë të retrospektivës, e cila vjen me sentencë të miqve të vjetër si Gjergji, Bim Gruda etj, dhe me skenat e ambjenteve, qyteteve ku ka kaluar Patri më parë, si Gramshi, Vilë-Bashtova, Tirana, etj. Këto dy aspekte do t’i quaja fluturime narrative të cilat duket sikur e largojnë lexuesin nga ngjarjet kooherente, por që forcojnë idetë që autori përcjell. Mjediset e fermës së Gosës që unë i kam njohur për shkak të punës, janë dhënë me forcë balzakiane.
Një tjetër veti narrative në këtë roman është dyzimi i Patriotit si njeri, por jo si karakter. Ky dyzim është një lëvizje pindarike në narracion që e lëkund atë nga meditimi ekzistencialist në veprimet jetësore të punës së përditëshme tek meditimet që janë si të thuash ajka e romanit, ku frika e fshehtë rrëshqet si hije në çdo faqe të tij. Meditimet në roman bashkë me poezitë e bukura që ndërfuten ashtu shkujdesur i japin veçori stilit narrativ.
Më tej vjen pasioni i fshehtë për letërsinë si dhe lufta gati e përditshme midis vetmisë intelektuale dhe vetëmbrojtjes instiktive nga spiunët e tipit të “çapon Bushit”.
Vaso Papaj me romanin “Gongël” na jep konkret sloganin e At Zef Pllumbit “Rrno vetëm me tregue”. Dhe Ai ka akoma për të treguar.
Si pjesë të veçanta por po kaq të rëndësishme janë edhe disa artifica interesante që e intrigojnë lexuesin, të cilat janë:
Radio De-Lux, e cila kthehet në personazh të fshehtë, sjellja e figurave të njohura të intelektualëve durrësakë si Pertef Kruja, Remzi Tivari, Zonja heshtje që e shoqëron kudo si dhe futja e poezive në fund të kapitujve.
Romani “Gongël” është një kontribut i shquar në letërsinë e sotme shqipe.
Në roman gjejmë edhe një shprehje të fuqishme, jo vetëm si vlerë artistike, si figure letrare e veçantë, por edhe si një konkluzion:”Filxhanët nisën një valle të heshtur morti. “Filxhanët ishin gjuetarët e njerëzve intelektualë, nën pretekstin e ruajtjes së vijës së Partisë…
Ndonëse subjekti i romanit “Gongël” përqëndrohet në Shqipërinë e Mesme, Durrës, Tiranë, Gosë, Gramsh, etj,kjo nuk e pengon romanin të marrë vlerat e ndërkombëtarizimit të tij, ndoshta me një përkthim në gjuhën angleze apo italiane.
Nuk ishte e thjeshtë apo e lehtë për autorin ta shkruante këtë vepër.Ai ka vuajtur ndërsa ka shkruar, por fatmirësisht nuk e ka kujtesën të burgosur dhe kujtimet e tij të dhëna në një narracion elegant po shohin dritën e lirisë.
Durrës 15.10.2019
Diskutim në promovimin e romanit në Odeonin “Nikolin Xhoja” të Teatrit “Aleksandër Moisiu.
Nga: Fatmir Minguli

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s