Poezi nga Nikollë Loka
Ujëvarë zemrash
Vështrimin hedh mbi një ujëvarë që fle,
dhe ujit ia heq gjumin,
prej agut ëndrrimtar në sytë e tu,
shkoj rrjedhës së kaltër të një lumi…
Në sytë e tu hyj fillikat i vetëm,
si dallgë që heq dorë nga deti,
le të më thonë se mbeta pelegrin i vonuar,
veç të fluturoj në fllad mëngjesesh,
e të ec ujëvarash ku ngjiten e zbresin orakuj,
prej zemrës në zemër ku lindin dhe vdesin fate!
Dora që më kishte rrëshqitur
Desha ta prek hijen, po më rrëshqiti dora,
rashë pa u mbështetur askund,
humba dhe kur veten e mora,
kisha dy plagë: në kujtesë dhe mbi hundë.
Kur hija po ngrihej vetiu,
u ngrita edhe unë pa e ditur,
si me magnet po më tërhiqte dora,
ajo dorë që më kishte rrëshqitur.
Po më ngrinte në këmbë pa më prekur,
si të kishte magnet nën lëkurë,
ishte hije dhe si hije rrëshqiste,
mbi dy plagë: në kujtesë dhe mbi hundë.
Mbi hundë u formua lëkurë tjetër,
s’kishte më plagë as bezdisje,
veç dora që më pat ulur dikur,
më la në kujtesë një rrokullisje.
Flutura nate
Nën një urë,
gurë të bardhë e të zinj,
nëpër ujë shkojnë si në magji
orakujt pa gjumë.
Nën këtë nënqiell
të pa diell,
dhé i shkul
që përcjell fate,
rrugët gjurmë e gjurmët fletë,
gjethe resh e flutura nate.
Flutura nate në ditë të ré,
të bardha për vete,
të zeza për ne.




























Leave a Reply