“Mos e shisni shtëpinë e Vjetër” është një trokitje në ndërgjegjen tonë (Refleksion rreth poezisë “Mos e shisni shtëpinë e Vjetër” të autorit Mark Simoni) /

“Mos e shisni shtëpinë e Vjetër” është një trokitje në ndërgjegjen tonë
 
(Refleksion rreth poezisë “Mos e shisni shtëpinë e Vjetër” të autorit Mark Simoni)
 
 
Çdo njëri në mëngjes pa i lar sytë bënë diçka që ndoshta i ka mbetur si shprehi, shprehi e një dashurie, e një vesi apo e një detyrimi. Unë posa hap sytë lexoj diçka, tingëllon keq me thënë por lexoj ajo që më del e para në facenbook. Meqenëse jam adhurues i artit dhe miqtë e shumtë i kam krijues, lexoj një krijim nga ato më të shkurtrit. Sot sa hapa sytë me doli përpara një krijim arti, “Mos e shisni shtëpinë e vjetër” me autor Mark Simoni që më solli mendjen vërdallë nëpër gjithë Shqipërinë Etnike. Kah nuk shkova që nga Çamëria me plagë të thella e të pashëruara, Shqipërinë e vjedhur e të kriminalizuar, Iliridën ku të vetët janë fut në shërbim të projekteve sllave duke ia vënë shkopin rinisë, Kosovën ende në pelena e kanë nxjerr në ankand publik dhe kuptohet Malësinë dhe vendet tjera shqiptare të diskriminuara nga politikat sllave ku shqiptarët mezi marrin frymë. Po ç’mu desh t’i përmendi të gjitha këto vise ku shekuj kanë jetuar e jetojnë shqiptarët? Ky krijim letrar i thurur me shumë mjeshtëri përmes kujtimesh dhe jetës të një tradite shqiptare që gjithkund është zhvilluar me të njëjtat elemente që autori përmes figurash poetike na shëtit përmes mallit e dashurisë dhe herë-herë na fut në nostalgji e trishtim për të na ndërgjegjësuar për ditën e nesërme. Në këtë krijim “poezi” përshkruhet jeta shqiptare me një kulturë të bartur nga lashtësia dhe në detaje në shpjegon të kaluarën e ndritur me qëllim që na zgjojnë nga një gjumë i thellë dhe një ëndërr mashtruese që është veshur si nuse dhe shëtitet anë e kënd Shqipërisë (Shtëpisë së Vjetër). Është një krijim (poezi) me narracion dhe prozaizëm, që unë e kuptoj si një ese poetike që në letërsinë e sotme disa me vetëdije e ca të tjerë pa vetëdije e krijojnë dhe si e tillë ka zënë shumë vend në letrat e sotme. Autori me shumë elegancë krijuese prek shpirtin e lexuesit me një mori figurash poetike me shumë detaje dhe në mënyrë emocionale krijon identitetin e një Kështjelle që personazhet i njohin të gjithë. Shtëpia e Vjetër është Kështjelle ku zhvillohet jeta ku në atë Kështjellë kuvendojnë në mënyrë figurative elementet e një trashëgimie të lashtë e stërlashtë. Qëllimi i krijuesit është dhe mbetet që vargjet t’i bëjë të depërtueshme tek shumica e lexuesve, mendoj se Mark Simoni e ka realizuar bukur dhe ka depërtuar thellë në shpirtin e atyre që vërtetë e ndjenë dhe kanë respekt për veten dhe të kaluarën tonë të përgjithshme. Poeti është misionar dhe shumë gjëra i len të hapura që të tjerët ta marrin ashtu si duan, të kuptojnë e zbërthejnë ashtu siç duan por ky krijim artistik po të mendosh pak me qëllim është dhe i zbërthyer. Ai fuqishëm troket në ndërgjegjen shqiptare me të gjitha figurat poetike elemente këto të detajuara jetësore. Mendoj që autori duke zgjedh subjektin e vargjeve ia ka rrit qëllimit por neve na mbetet që çdo ditë të bëjmë diçka për “Shtëpinë e Vjetër”. Vargu i dytë është; “Nuk rri më askush atje” , përse kur ne e ndjemë se atje jeta ka lezet. Ky varg i lidh të gjitha territoret shqiptare që janë boshatisur… Po kush i ka shtrydhë e ndrydh që shtëpia do të mbetet edhe pa tjegulla nga “ndonjë copë mjegull e larë dielli”, aty duhet kërkuar personazhet. Me këtë rast po sjelli mendimin tim se “Shtëpia e Vjetër” e shkruaj me të madhe se kam shumë respekt është “Shqipëria Etnike”, është më e vjetra në Gadishullin Ilirik, dhe autori në mënyrë të tërthortë godet ashpër, qëllimisht dhe artistikisht me metaforën “Mos e shisni shtëpinë e vjetër”. Ky është mendimi im që nuk dua t’ua imponojë se vetëm autori nuk ka të drejtë të jap shpjegime, se këte askush nuk e ka bërë dhe as Mark Simoni nuk do ta bëjë, por ai nuk ka nevojë të thotë: “Mos e shisni shtëpinë e Vjetër”, po të flas për shtëpinë e vete, tundet apo timen. Në këto vargje ku ka shumë mall, dashuri, vuajtje, krenari, nostalgji, lutje… autori donë ta zbusë kriminelin shqiptar, matrapazit t’i ngjall pak dashuri për Atdheun, vrasësit i thotë lene hakmarrjen se jemi i të njëjtit gjak, shërbëtorëve që janë fut në shërbime të huaja larg duart nga “Shtëpia e Vjetër”. Ai më një kulturë të lart shprehjesh dhe figurash poetike i godet dhe në të njëjtën kohë i lut që të mos e shesin “Shtëpinë e Vjetër”, atë shtëpi që na e lanë trashëgim të parët tanë, por jo vetëm kaq ai lëshon si një formë kushtrimi për ndërgjegjësim t’të gjithë shqiptarëve “Mos e shisni” dhe kjo është një tjetër metaforë që do të thotë bëni diçka për “Shtëpinë e vjetër”.
 
 
MOS e shisni shtëpinë e vjetër
 
Nuk rri më askush atje.
E mbledhur kruspull, tek një pallat i plakur gërmuq,
Ku tjegullat kërcasin e thyhen përditë,
Sa herë mbi to kalon, si një mace, ndonjë copë mjegull a larë dielli.
Më duket se është mbledhur shtëpia e vjetër,
Tutluar e bërë sa një grusht,
Shtëpia fillikate, zvogluar sa më s’ka,
Bërë si plakat e vetmuara,
Që tremben nga rrufetë e shirave të vjeshtës.
Mbi çatinë e laskaruar,
Akoma mundohet të mbledhë valë antena garravaqe
E një televizori që ka dhënë shpirt prej vitesh.
Nuk ka njeri brenda prej kohësh.
Zilja e derës nuk cingëron më, është fikur,
Teksa nëpër brinjët e hapura të portës së mjerë,
Fishkëllen era e tërbuar, si vajtojcë dimri.
Diku në mur, varur në gozhdën e ndryshkur,
Fëlterja e vjetër e gështenjave dhe tepsia e shegëve dhe hurmave.
Librat dhe kapakët e bibliotekës i ka brejtur mola,
Ndërsa në qosh kotet soba me drurët e fikur, (dikur drurë të kuq),
Ku sipër saj gërhiste lehtë ibriku i çajit që ziente.
Karriget e shtrembëruara prej artritit, lëngojnë e vajtojnë
Sa herë që mbi to kërcen macja e vogël e lagjes.
Pak më tutje shtretërit e butë
Që flenë prej kohësh poshtë çarçafëve të pluhurit
Ndërsa në bufe, gotat dhe filxhanët,
Vazhdojnë akoma të nusërojnë për miqtë.
Dremit shtëpia e mjerë,
Por mos e shisni të shkretën!
Se akoma nëpër të sillet, si një shall i lehtë ngjyrë tjegulle,
Ajri i butë që mbështillte nënën time,
Si titrrimi i makinës së shkrimit
Bubrron nëpër shtëpi vështrimi i ftohtë e i prerë i tim eti.
Ndjej që akoma lodrojnë e hidhen përpjetë nga gëzimi
Ditët kur vinte M. dhe puthej me mua.
Ndërsa në qosh rrinë kruspull, këngët me kaçakë të gjyshes sime,
Që i këndonte gjithë hare dhe pastaj qante.
Ermojnë kudo, muresh, velenxash, skutash,
Erërat e reçelit të sapo bërë, aromat e gjellëve të drekës,
Shurupi bërë me trendafila,
Dollapi i kafesë që piqet ngadalë cingëron vajtueshëm,
Ndërsa në qosh të ballkonit, më duket se akoma sjell baltë për folenë,
Dallëndyshja, që s’di se përse, por më duket prej Shiroke.
Si në ëndërr, në ballkon, telit të parvazit tunden teshat
Që presin për t’u tharë.
Nuk e shisni dot shtëpinë e vjetër,
Me gjithë këto gjëra që ka brenda.
 
 
Nga: Safet Hyseni

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s