Poezi nga Sabit Rrustemi
ATY JAM DIKU
( RREMBI )
Rremb i kësaj luleje jam
në dorën tënde
për çdo mëngjes
Pa këtë pjesë të trupit tim
asnjë lule nuk sython
as çelë
Pa aromë mbetet jeta
e ti pa shkëlqim.
( NGA ATA SY )
I mblodhe ngjyrat që i dua
e i shkrove nëpër faqe
ato fusha të paprekshme
që ujiten prej një lumi
Sa herë mbetem në bregun tjetër
ti mërrolesh
nëpër re fshihesh
Unë gjej një shteg
përbiroj mes resh
e i lajë rrezet me një rigë shi
Nga ata sy
ngjyra të tjera shpërthejnë
breg më breg
përkohësisht na afrojnë.
( NË ATË DHOMË SHPIRTI )
Aty jam diku
i fshehur prej kohësh
në kornizë
brenda zemrës trëndafilore
Ajo as hapet
as mbyllet më shumë
Më mban në atë dhomë shpirti
përjetësisht.
( BULËZOJ E HAPEM )
Në ditën tënde të shenjtë
bulëzoj e hapem
faqesh ngjyra – ngjyra
mbi ballin që shëndritë
mbi të zezat flokë që flakërojnë
për jetë e mot.
( VARGU I PAPËRFUNDUAR )
Sa herë që perdja e zezë e ditës lëshohet
në zonën time kuqërreme kthehem
e të kërkoj përmes vargut të shpirtit
Një jetë si kjo më ikën
Sa hap e mbyll sytë
Vargu për ty mbetet i papërfunduar.