Poezi nga Lumo Kolleshi
ETYD VJESHTE
Erdhën në qejf vetëtimat
(Dhe gurët dehen nga mushti në vjeshtë)
Rrëketë kullotin në bokërrima
e shpesh për sinoret grinden retë.
Kazanët përmbi prush kërkojnë të bëhen trima,
Llullaja kërkon lotin e vet.
MOS E VAJTO!
Të gjorin që dheu e mori me vete,
mos e vajto!
Ti që ia shtove më tepër ca derte,
mos e vajto!
Ti që zemrën ia pike, ia trete,
mos e vajto!
Ti që në qafe i lidhe gurin,
mos e vajto!
Ti që në kurriz i vure veç drurin,
mos e vajto!
Ti që në jetë s’ i ktheve kusurin,
mos e vajto!
Vdekjen e ndershme që përlot dhe burrin,
mos e lëndo!
Mos më thirr!
Aty ku gëzimi nuk ka emër,
mos më thirr!
Aty ku bukuria nuk është femër,
mos më thirr!
Aty ku zemra nuk është zemër,
mos më thirr!