Poezi nga Arjola Zadrima
***
Një ditë ka me heshtë
e trupi im pa peshë ka me u derdh
krahëve të tu çelik.
E kena me u puthë pa frikë se nata na sheh,
kena me u dashtë pa vakt,
a veç në mjes,
ku ferrat therin brrylat e qulltë,
kena me u dashtë mbi bar tanë vesë
a zdeshë, uje në djersë
nji natë pa shkue, nji natë pa kthim,
se veç njaty ku ti bluen mallin me pak pendim,
unë ndezi zemrën ,
e mëkoj shpirtin.
Tash a e kupton pse dashnia
asht e kuqërremtë në perëndim.
***
E kam msue mallin
me vetëtue
bubullue,
me zhgulë pemë
kërrusë pallate,
me shemb mure
e përpie distanca,
veç me i ba dritë
ardhjes tande
i dashtun!
***
Më dashuro,
edhe kur më duket sikur nuk e kuptoj,
kur humbas mrenda heshtjes teme
e nuk du të më avitesh,
kur grricem, gaboj
qaj apo nxjerr thonjtë si micë e egër.
Më dashuro sot mbasdite, në darkë vonë ,
nesër,
hapë ditën me mu.
Ani pse jam e çmendun , një pijanece nervoze
e mërzitshme,
e ti drejtoj tanë fajet e botës.
Më dashuro kur rrudhat të duken në fytyrën rrahun prej viteve,
kur strukem qosheve të jetës,
e mbart nji mal me dhimbje.
Më dashuro edhe pse nuk më kupton,
sepse unë jam një dreq e gjysëm grue,
një përrue i çmendun,
që ti zhgulë degët e shpirtit,
më dashuro pse unë nuk due me më dashtë
kërkush tjetër,
ndaj eci me nji kalë vetmi,
së për herë të parë në jetë,
du me më dashtë veç ti…
A ndin?