“Bota e djeshme – Kujtime të një evropiani” ( Vepër autobiografike) – STEFAN CVAJG / Përktheu në shqip Aristidh Ristani

“Bota e djeshme – Kujtime të një evropiani” ( Vepër autobiografike) – STEFAN CVAJG

Rritemi të qetë, veçuar e në rehati,
por befas rrugëve të botës na lëshojnë;
sipër nesh përplasen prore dallgët mizëri,
gjithçka na tundon, shumë gjëra na gazmojnë,
mjaft të tjera zemrën na brengosin, dhe paprerë
shpirti ynë drithërohet paksa i trazuar;
ndjenja tepër të forta na pushtojnë, por përherë
të tëra i fshin e jetës vorbull e harbuar.
GËTE

Njeriu qe i detyruar t’u nënshtrohej vazhdimisht kërkesave të shtetit, të bëhej pre e një politike nga më idiotesket, t’u përshtatej ndryshimeve nga më fantastiket, pra, qe përherë i lidhur me zinxhirë pas një strumbullari dhe nuk shkëputej dot syresh sado që të mundohej. Kushdo që ka përshkuar këtë epokë ose, më mirë të themi, kushdo që ështe gjurmuar e persekutuar – dhe kemi pasur intervale të pakta për të marrë frymë – ka përjetuar më shumë histori nga ç’ka përjetuar ndonjëri prej stërgjyshërve të tij.

Edhe sot ndodhemi prapë përballë një kthese, përballë një fundi dhe një fillimi të ri. Prandaj edhe unë nuk e ndërpres aspak pa qëllim në një datë të përcaktuar këtë vështrim retrospektiv të jetës sime. Këtë e bëj, sepse ajo ditë shtatori e vitit 1939 i vë pikën përfundimtare epokës që na rriti e na edukoi ne gjashtëdhjetëvjeçarët. Por në qoftë se ne, me anë të dëshmisë sonë, i përcjellim brezit të ardhshëm qoftë edhe një pjesëz të vërtete, si gjurmë të asaj ngrehine të shembur, besoj se nuk do të kemi bërë diçka fare të kotë.

Jam i vetëdijshëm lidhur me rrethanat e pavolitshme, por tepër karakteristike për kohën tonë, në të cilat dua të hedh në letër kujtimet e mia. Po i shkruaj në mes të luftës, po i shkruaj në vend të huaj dhe pa pasur as minimumin e materialit arkivor për t’i ardhur në ndihmë kujtesës. Në dhomën time të hotelit s’kam asnjë kopje të librave të mi, asnjë shënim, asnjë letër miqsh. S’marr dot prej askund informacione, sepse në mbarë botën shërbimet postare nga një vend në tjetrin janë ndërprerë ose i pengon censura. Jetojmë po aq të izoluar nga njëri-tjetri sa dhe para qindra vjetësh, kur s’qenë shpikur ende as anijet me avull, as treni, as aeroplani, as posta. Pra, nga tërë e kaluara ime s’kam gjë tjetër me vete përveç atyre që ruhen në trurin tim. Në këtë çast, për mua gjithçka tjetër është e paarritshme ose e humbur.

Por brezi ynë e ka mësuar mirë artin e shkëlqyer që të mos vajtojë gjithmonë për atë që ka humbur, dhe ndoshta kjo mungesë dokumentesh e hollësish mund të kthehet madje në dobi të veprës sime. Sipas mendimit tim, kur kujtesa mban një element dhe mënjanon një tjetër, këtë s’e bën ashtu rastësisht: këtë unë e quaj si një fuqi që rendit me kompetencë dhe përzgjedh me mençuri materialin e saj. Gjithçka që njeriu harron nga jeta e vet, në të vërtetë ka qenë dënuar prej kohësh nga një instinkt i brendshëm për t’u harruar. Vetëm ajo që dua unë ta ruaj ka njëfarë të drejte të ruhet për të tjerët. Pra, flisni e zgjidhni ju e jo unë, o kujtimet e mia, dhe jepni së paku një shëmbëllesë të jetës sime para se të kridhet në errësirë!

(STEFAN ZWEIG: “Bota e djeshme – Kujtime të një evropiani”, 
Titulli i origjinalit: “Die Welt von Gestern – Erinnerungen 
eines Europäers”, Botimet “SANTORI”, Tiranë 2012, 440 faqe.)

 

Përktheu në shqip Aristidh Ristani

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s