Poezi nga Behare Daja Kasa

Poezi nga Behare Daja Kasa

 

Valë deti

Me valët sot më pëlqeka të loz me gishta,
si krëhëri mes flokësh ashtu lehtë-lehtë,
vetëm të jem mes krahëve të tyre,
i xhelozokam dhe peshqit kur me to u përkëdhelkan.

Mes valësh sot më pëlqeka të fle,
ca vargje të thjeshta t’u nanuris me ëndje,
bregut të fjetur t’i shkruaj ca fjalë,
e vala t’i fshijë mes puthjesh të zjarrta.

E unë me detin do zemërohem skajshëm,
dhe me dallgën e egër që furishëm përplaset,
e mes zemërimit t’i shoh tek grindet me rërën,
e prapë tek dashurohet me rërën e lagësht.

 

Mall nëne

Kam mall për duart e sime mëje tek më gatiste bukën në një gazetë të vjetër,
tek fshehtas më jepte ca gjëra të vockla,
por që për të ishin madhore, sa jeta,
tek nxirrte nga gjiri ca monedha të shkoqura
e me tingëllimë m’i linte në dorë,
e dorën ma mbyllte që mbrapsht mos t’ia ktheja.
“Mbaji se të duhen moj bijë”!

Kam mall për përkëdheljet e sime mëje,
për puthjet e saj tek bëja sikur flija
e tek më merrte erë ashtu shtrirë me qepalla mbyllur.
…sa ma kishte ënda ta ndjeja atë çast…

Kam mall për lotin e sime mëje
tek më përcillte në fund të rrugës
e priste gjersa unë bëhesha pikë horizonti
e puthesha me qiellin e zvogëlohesha një grimcë.

Kam mall për flokët me onde të sime mëje
tek ia krihja me dëshirë e ajo shkrihej prej ndjesisë së duarve të së bijës e enkas llastohej.
“Po m’i shkule të uruarat moj bijë”!

Kam mall për zjarrin e sime mëje
tek e ndizte me duart e rreshkëta që i dridheshin,
por prapë s’ndaleshin,
se i mërdhinin të mitë fëmijë.

E tash nuk kthehem dot pas,
as tek duart, as tek puthjet,
as tek flokët e as tek zjarri.
Tash të gjitha janë bërë erë,janë bërë yje,
e unë pasqyrë e yjësisë së saj qiellore.

…sepse të njëjtën gjë bëj me time bijë nënë,
si ti…!

 

Hipokrizi…

E rëndë sot kjo kafe e mëngjesit,
plot llum filxhanit qenka ngjitur,
si mendimet e ndryshkura në kohë, 
përtej kohësisë duke pritur.

I rëndë ky ajër së sotmi,
mbytës sa vetë shoqëria,
këmbët shtrirë ndër kafenera të ndyra,
me fjalë flluska e gota rakie.

Vrasëse sot kjo shoqëri hipokrite,
plot ojna,bojra,lustra hipokrizie,
në buzë ta ngrijnë buzëqeshjen,
me tentakulat e zbrazëtirës.

Kaq bosh kjo këngë së sotmi,
pa fjalë të ngrohta,pa tekst,
pa notat e pentagramit jetë,
me gomë të fshira për dreq.

Kaq fallco kjo shoqëri,
me buzëqeshje të pështirë,pa nerv,
ku veç gota rrokulliset me raki,
e spërkatet me stërkalat plot helm.

…e ne endemi me shpirtin rebel,
mes llumit të lumit që rrjedh…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s