Refleksion rreth vëllimit poetik “Unë quhem Dje” të autorit Petraq Risto / Nga: Natasha XHELILI

Refleksion rreth vëllimit poetik “Unë quhem Dje” të autorit Petraq Risto

Një varg i gjatë si vetë fataliteti i jetës që “luan” si Fausti me Mefistofelin me vetveten, rishfaqet në veprën e Petraq Ristos “Unë quhem Dje”, të cilin autori e ngarkon me mendimin e vet për kohën pa kufi dhe ka guximin ta shpeshtojë ritmin duke e shkurtuar atë (Kohën), por edhe duke e sistemuar në strofa e rima, duke i dhënë një larmishmëri të shkruarit dhe duke thyer konceptin për stilin karakteristik të një shkrimtari të afirmuar tashmë. Autori ka fituar një koncept të vetin për botën, kohën ku jetojmë, historinë, dashurinë, natyrën apo ndërthurjen e të gjithave bashkë dhe na e shpalos pa ndërdyshje, duke na ftuar të shohim me sytë dhe vëmendjen e tij. Kapaciteti gjithpërfshirës në këtë libër voluminoz me poezi shkon që nga “mbreti i hijeve” te planeti i vogël që metamorfizohet duke marrë përmasat e një zemre të plagosur nga rrufetë; shkon deri në thellësitë e mëdha për të zbuluar kthjelltësinë e mendimit, parakalon në detaje në dukje të parëndësishme siç janë “kuajt” apo “shegët”, duke kaluar butësisht në lirika dashurie si “vallëzo me mua” apo “proverba dashurie”. Gjatë kësaj rruge, autori sjellë imazhe nga bota e pasur shpirtërore, duke u konfliktuar me pengesat që rishtazi duhen kaluar duke flijuar diçka në emër të ecjes përpara, duke sfiduar kohën me hipokrizinë e saj, duke ngjyer penën në lotët e humbjes, por duke marrë me vete pashmangshmërinë nga notat optimiste që lulëzojnë pas çdo kuptimi të fshehur.
…Në ekzistencën e vet njeriu ka vendosur kufij, duke sfiduar së pari vetveten për respektimin e tyre. Po si ndihet vallë era kur hyn në flokët e vajzës dhe i valëvit ato, si ndihen kujtimet e evokuara kur trazohen me një mashë të argjendtë dhe prushi brenda vetes hirëzon, apo si ndihet poeti kur zihet në befasi në shtratin e një petaleje pjeshke ku donte të vdiste? Kufijtë janë shpesh të pakuptueshëm, ata ngrihen në formën e mureve në mendjen tonë, lartësohen, rrëzohen, rishfaqen pas një çasti mosbesimi, edhe kur ky është reflektim dhe pohim i një të vërtete të madhe: “Populli qan kur bie nga shiu në breshër dhe breshëri janë bijtë e tij./ Kur populli qan si pëllumbi e ka dënesën: loti-gur peshoreje për Lirinë”. Janë vetëm dy vargje që pasqyrojnë vite të tëra histori të përbotshme. Autori thotë “populli” duke përgjithësuar në mënyrë gati proverbiale, produkt i një përvoje dhe vëzhgimi të gjatë i jetës së një a më shumë popujve që është e ngjashme në thelb të saj. Paradigma e metaforizuar që eklipson historinë e një populli është konstatimi i dhimbshëm “populli qan” çka tregon se janë kapërcyer të gjithë kufijtë e besimit për “shiun e breshërin” edhe për faktin e dhimbshëm se “ breshëri “ janë bijtë e tij. Vetë përdorimi i fjalës “breshër” nënkupton diçka që ndodh shpejt, papritur dhe mund të jetë i dhunshëm, një revolucion në fund të fund të fundit. Në kundërshti me këtë është loti në syrin e popullit që si pëllumbi e ka dënesën, të paqtë e të dashur. Kjo poezi mund të lexohet në disa rrafshe së pari në rrafshin e parë kuptimor të dukshëm që del në konkluzionin se populli pas “breshërit” po vendos lotin e vet si gur peshoreje për lirinë e atij momenti. Nga ana tjetër, është marrëdhënia etër-bij që bëhet përherë e më e vështirë kur maten rezultatet. Në rrafshin e tretë, atë universal, është ndeshja e përhershme e shkuar – e sotme me të gjitha dilemat e dhimbjet e veta.

Petraq Risto

Kufijtë mund të jenë të dobët e të padukshëm kur vendosen me dashuri e reciprocitet. Zinxhiri i fjalëve të pathëna tallazit gjuhën si det pa anije thotë poeti në poezinë: “Heshtim”. Është një proces i gjatë reflektimi në të cilin “vetvritemi ngadalë” po në kundërshti me përshkrimin e heshtjes “…ca flatra zgalemi/ krijojnë stuhitë e revoltave”. Pra, reflektimi sjell shpërthimin dhe dy vargjet e fundit sjellin një deduksion të arrirë: “nga fjalët e ndrydhura në ditënetët e heshtjes/ lindi raca e filozofëve…”
Lidhjet poetike që krijohen në një poezi janë të veçanta e të paperceptueshme normalisht. Duhet që të kesh kodin poetik për të shijuar vargjet. E megjithatë, magjia e të lexuarit të poezive të autorit Petraq Risto qëndron në pakufijshmërinë e fantazisë për të parë natyrën rreth nesh si një qënie e gjallë që jeton e përjeton deri në imtësi çdo ndjenjë brenda e jashtë njerëzore, duke na bërë më të ndjeshëm ndaj saj, duke thyer kufijtë paradoksalë midis frymorëve dhe jofrymorëve. “lotët /janë avuj shpirti/ kondesuar në dritaret e syve.” Vargje të tilla u ngjajnë aksiomave të cilat i kuptojmë të gjithë dhe nuk kanë nevojë për vërtetim.
Por kufijtë mund të jenë edhe të pakapërcyeshëm, sidomos kur kuptojmë se edhe Zoti ka gabuar shpesh. Te poezia “Është një derë e vogël” autori shprehet:

“Është një derë e vogël sa një nishan:e lë gjithnjë hapur
Miqtë zvogëlohen, lenë kodin te sytë dhe hyjnë brenda meje
Zemra është sofër e mirë, ulen përreth, flasin me zë të ulët…”

Siç shihet krijohet një situatë fantastike për të dhënë portretin e kohës sonë në mënyrë sensuale e të brishtë, ashtu siç ndodh në përralla. Po nga bisedat që zhvillohen në sofrën e zemrës së poetit që ndihet zëdhënës i problemeve shoqërore bashkëkohore, shpërthejnë me vrull një sërë pyetjesh retorike nga të cilat spikat: “Ku është Liria?” edhe pse duket se njeriu ka evoluar, duket se ky problem i vjetër sa vetë jeta rikthehet e rikthehet duke qenë aktual në çdo kohë. Por vëmendja e poetit nuk qëndron vetëm te konstatimi, por edhe te konkretizimi i situatës: “Janë shumëfishuar skllevërit. Skllevër me kravata. Skllevër me lap-top, i-Phon,i-Pad, celularë/ Gra të martuara me gra, burra të martuar me burra…/ Zoti është kthyer nga një Trojë ndërgalaktike/ dhe kupton se shpesh ka gabuar.” Kjo situatë e re, ku skllavëria ka ndryshuar formë, bëhet shqetësim ekstrem i poetit, i cili ka gjykimin e vet për skllavërinë, Lirinë dhe probleme të tjera të kohës sonë të degraduar. Duke mbajtur qëndrim të përcaktuar saktë, ai qëndron në pararojë, duke u bërë aktiv në jetën bashkëkohore, pa pasur frikë se do të paragjykohet, apo merret si shënjestër e lëvizshme në paskohësi.
Kufijtë mund të jenë edhe kufij imagjinarë të krijuar nga mungesa ose moskuptimi. Si një poet lirik ai krijon në mënyrë të natyrshme e të gjallë, për ndjenjat e veta në veçanti e ato të njerëzimit në përgjithësi. Edhe në atë që mund të quhet thjesht lirikë personale, një çast jetësor apo një meditim që krijon lidhje të shumëanshme ai di të vendosë diçka tipike e universale duke zgjeruar kufijtë me bukurinë magjike të dashurisë…
Zhbirimi i mëtejshëm i kufijve do të na çojë patjetër në kufij të paprekshëm. Trajektorja e lëvizjes së poetit rebel që nuk i nënshtrohet botës përreth, pa e njohur atë thellësisht duke pritur t’i gjunjëzohet si flaka erës, lë vazhdën e dukshme duke u bërë udhërrëfyes në botën e poezisë. Si poet ai birëson çdo përkundje të një sythi të ri që shfaqet i pambrojtur në stuhinë e kohës e evoluimit. Ai merr përsipër të shpjegojë si një profet fluturimin e kohës e sensin e zhgënjimit me të cilat përballemi çdo ditë duke ndëshkuar veten si të paaftë për t’i shmangur. “Po hape dritaren në muzg, patjetër ke ftuar një yll në tryezën tënde” e fillon poeti një poezi në të cilën krijohet kjo situatë me shumë “nëse” dhe merret përsipër të dramatizohet një skenë ku biseda me yllin është si një dialog filozofik për kalimin e kohës.
“Unë quhem Dje”, poema e gjatë që i ka dhënë titullin vëllimit, është një sintezë e fatit të të gjithë emigrantëve shqiptarë (por jo vetëm) që “vij dhe iki nëpër damarët e dhimbjes sime” dhe gjendja e të cilëve është: “Vetëm buzë Oqeanit: I panjohur për të/ vij nga një det i vogël me dallgët : zarfa malli / zgjohem si një këngë nën zë”. Dhe veprimi i vetëm i tyre në këtë mjedis të largët e të panjohur është ndezja e një zjarri : “ndez një zjarr të vogël, të padukshëm nga policia/ me shkarpa brinjësh e gishtërinjsh që dridhen nga malli/ të vetmin Zjarr që s’ma shuan Oqeani”.
…Realiteti artistik që përvijohet në veprën “Unë quhem Dje” trupëzohet me anë të një korpusi të gjerë figurash letrare që u japin sensualitetin modern poezive, shërbejnë si pikënisje për të inkuadruar artin si mënyrë jetese bashkëkohore, krijojnë realitete paralele të qenësishme, duke veshur vellon e artë metaforike, zgjerojnë imazhin e këndvështrimit të botës, mbushin shpirtin njerëzor me ndjenja të reja duke e bërë më të brishtë e më të fortë njëkohësisht.

 

Nga: Natasha XHELILI

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s