MOS e shisni shtëpinë e vjetër / Poezi nga Mark Simoni

Poezi nga Mark Simoni

 

MOS e shisni shtëpinë e vjetër

Nuk rri më askush atje

E mbledhur kruspull, tek një pallat i plakur gërmuq, 
Ku tjegullat kërcasin e thyhen përditë,
Sa herë mbi to kalon, si një mace, ndonjë copë mjegull a larë dielli.
Më duket se është mbledhur shtëpia e vjetër,
Tutluar e bërë sa një grusht,
Shtëpia fillikate, zvogluar sa më s’ka,
Bërë si plakat e vetmuara,
Që tremben nga rrufetë e shirave të vjeshtës.
Mbi çatinë e laskaruar,
Akoma mundohet të mbledhë valë antena garravaqe
E një televizori që ka dhënë shpirt prej vitesh.

Nuk ka njeri brenda prej kohësh.

Zilja e derës nuk cingëron më, është fikur,
Teksa nëpër brinjët e hapura të portës së mjerë,
Fishkëllen era e tërbuar, si vajtojcë dimri.
Diku në mur, varur në gozhdën e ndryshkur,
Fëlterja e vjetër e gështenjave dhe tepsia e shegëve dhe hurmave.
Librat dhe kapakët e bibliotekës i ka brejtur mola,
Ndërsa në qosh kotet soba me drurët e fikur, (dikur drurë të kuq),
Ku sipër saj gërhiste lehtë ibriku i çajit që ziente.
Karriget e shtrembëruara prej artritit, lëngojnë e vajtojnë
Sa herë që mbi to kërcen macja e vogël e lagjes.
Pak më tutje shtretërit e butë
Që flenë prej kohësh poshtë çarçafëve të pluhurit
Ndërsa në bufe, gotat dhe filxhanët,
Vazhdojnë akoma të nusërojnë për miqtë.

Dremit shtëpia e mjerë,
Por mos e shisni të shkretën!

Se akoma nëpër të sillet, si një shall i lehtë ngjyrë tjegulle,
Ajri i butë që mbështillte nënën time,
Si titrrimi i makinës së shkrimit
Bubrron nëpër shtëpi vështrimi i ftohtë e i prerë i tim eti.
Ndjej që akoma lodrojnë e hidhen përpjetë nga gëzimi
Ditët kur vinte M. dhe puthej me mua.
Ndërsa në qosh rrinë kruspull, këngët me kaçakë të gjyshes sime,
Që i këndonte gjithë hare dhe pastaj qante.
Ermojnë kudo, muresh, velenxash, skutash,
Erërat e reçelit të sapo bërë, aromat e gjellëve të drekës,
Shurupi bërë me trendafila,
Dollapi i kafesë që piqet ngadalë cingëron vajtueshëm,
Ndërsa në qosh të ballkonit, më duket se akoma sjell baltë për folenë,
Dallëndyshja, që s’di se përse, por më duket prej Shiroke.
Si në ëndërr, në ballkon, telit të parvazit tunden teshat
Që presin për t’u tharë.

Nuk e shisni dot shtëpinë e vjetër,
Me gjithë këto gjëra që ka brenda.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s